Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës organizoi sot një aktivitet simbolik me rastin e 249-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përmes një aktiviteti me biçikleta, studentët dhe profesorët e Universitetit të Tetovës dhanë mesazhin e miqësisë, respektit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ky aktivitet nisi nga sheshi i Rektoratit të Universitetit të Tetovës, ku morën pjesë drejtues të Universitetit, profesorë e studentë nga të gjitha fakultetet, si dhe punonjës të administratës. Me flamuj në duar dhe me energji pozitive, pjesëmarrësit pedaluan përmes rrugës industriale drejt “Monopolit” vazhduan nëpër qendrën e qytetit, më pas në drejtim të Xhamisë së Larme deri te rrethrrotullimi në dalje të qytetit në drejtim të Gostivarit dhe përfunduan përsëri në sheshin e Rektoratit para shtatores së themeluesit dhe Rektorit të parë historik Prof. Dr. Fadil Sulejmani.
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli tha se Universiteti i Tetovës dhe populli shqiptar janë të bekuar me miqësinë që kanë me popullin amerikan dhe me institucionet amerikane, ndaj për të çmuar e respektuar partneritetin tonë, gjatë këtyre ditëve kemi disa aktivitete sportive dhe kreative me të cilat shënojmë edhe Pavarësinë e SHBA-së. “Për të qenë përkrah miqve tanë, për ta shfaqur solidaritetin dhe për të qenë në kuadër të afirmimit të vlerave të cilat kanë të bëjnë sikurse me sferën e arsimit po ashtu edhe me respektimin e të drejtave të qytetarëve në nivel botëror, me sundimin e ligjit, zhvillimin e demokracisë. Pra të jemi përkrah botës së civilizuar dhe t’i çmojmë miqtë tanë” – tha Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Dekania e Fakultetit të Kulturës Fizike Prof. Dr. Shpresa Memishi vlerësoi pjesëmarrjen e gjerë dhe entuziazmin e treguar nga studentët dhe stafi i Universitetit, duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve që bashkojnë komunitetin universitar përreth vlerave të përbashkëta – sportit, lirisë dhe respektit ndërkulturor. “Turi me biçikleta shërbeu jo vetëm si promovim i një jete të shëndetshme dhe aktive, por edhe si shenjë nderimi ndaj një date të rëndësishme për historinë e demokracisë globale, shpalljes së Pavarësisë së SHBA-së më 4 korrik 1776. Universiteti i Tetovës, përmes këtij turi, riafirmoi angazhimin e tij për të kultivuar një frymë aktive qytetare, sportive dhe miqësore, në një kontekst global gjithnjë e më të ndërlidhur”, theksoi Prof. Dr. Shpresa Memishi.
Përmbyllja e aktiviteteve sportive për nder të 4 Korrikut, 249-vjetorit, të shpalljes së Pavarësisë së SHBA-së do të mbyllet nesër me ndeshjen finale të Beach Volleyt me fillim në orën 18:30.




