Ministri i Turizmit i Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, ftoi një kolumnist ta shoqëronte gjatë pushimeve në Greqi.
Gazetari Ahmet Hakan Coskun shkroi për qëndrimin e tij në Greqi më 21 qershor në një artikull të botuar nga e përditshmja pro-qeveritare Hurriyet .
Coskun tregoi se si po bisedonte me Ersoyn, kur ministri i sugjeroi: “le të shkojmë së bashku në Athinë. Do të lundroj me jaht nga Pireu në Detin Egje.”
Të nesërmen në mëngjes, dyshja fluturoi për në Athinë dhe vazhdoi rrugën drejt superjahtit të Ersoy-t, i cili ishte ankoruar në Portin e Pireut në marinën “megajaht” D-Marin Zea.
Superjahti 50 metra i gjatë është në pronësi të kompanisë së ministrit, Voyage Turizm Otelcilik. Jahti cilësohet si ndër anijet më të mëdha dhe më të shpejta të këtij lloji në botë.
Anija ka pesë kabina për pritjen e 10 mysafirëve. Ka një staf prej nëntë personash dhe djeg 600-700 litra naftë në orë. Nëse do të jepej me qira, një javë do të kushtonte 120,000 euro.
Si ishte e mundur që ministri i turizmit i Turqisë po kalonte pushimet në Greqi, ishte pyetja që iu shtrua Ersoy-t, i cili tha “një ministër turizmi duhet të kontrollojë rivalët. Unë bëj pushime si turist normal në të gjitha vendet tona rivale në çdo rast. Kam bërë pushime në Itali, Spanjë”.
“Isha në Dubai për pushimet e mia të fundit. Pikëpamja ime ka ndryshuar. Zona e lirë, turizmi, tregtia… Ata i menaxhojnë të gjitha këto së bashku”, shtoi ai.
Sipas Ersoy, Athina, Madridi, Barcelona, Roma dhe Parisi janë destinacione alternative ndaj Stambollit dhe Izmirit të Turqisë, ndërsa Majorka është një alternativë ndaj Antalyas së Turqisë dhe ishujt grekë janë një alternativë ndaj bregdetit Egje të Turqisë.
Ersoy deklaroi se ai i paguan vetë faturat e pushimeve dhe se nuk ka shpenzime nga arka publike.