Në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Tetovës, në organizim të Fakultetit Pedagogjik, u zhvillua aktiviteti sensibilizues “Muri i zërit tonë kundër dhunës”. Ky aktivitet është pjesë e projektit “Promovimi i mjediseve të sigurta shkollore”, ku morën pjesë nxënës, mësimdhënës dhe studentë të përkushtuar ndaj krijimit të një mjedisi shkollor më të sigurt, më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës.
Studentët e Fakultetit Pedagogjik, të cilët kanë ndjekur trajnime bazike dhe të avancuara në fushën e parandalimit të dhunës dhe diskriminimit në shkolla, ndanë njohuritë e tyre me pjesëmarrësit dhe theksuan rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe reagimit aktiv ndaj çfarëdo forme të dhunës në ambientet shkollore.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, theksoi se ky aktivitet është pjesë e nismave të vazhdueshme për edukimin qytetar dhe ndërtimin e kulturës së bashkëjetesës në shkolla. “Këtë herë studentët kanë përgatitur projektin “Muri i zërit tonë kundër dhunës”, ku janë përfshirë edhe nxënës të shkollave fillore. Projekti ka më shumë karakter simbolik se sa garues – me qëllim që të ngrejë zërin kundër dhunës dhe të ndërgjegjësojë opinionin publik se dhuna, në çfarëdo forme, është e papranueshme në mjediset tona, e veçanërisht në ato shkollore”, u shpreh Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Aktiviteti u zhvillua në mënyrë interaktive dhe gjithëpërfshirëse. Nxënësit u inkurajuan të shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre përmes formave të ndryshme krijuese si: vizatime, ese, mesazhe dhe rrëfime personale. Kjo qasje krijoi një hapësirë të sigurt për komunikim, duke dëshmuar se zëri i të rinjve është i domosdoshëm për një mjedis shkollor pa paragjykime.
Ky projekt i studentëve u vlerësua lartë nga stafi akademik i Fakultetit Pedagogjik, si një shembull i suksesshëm i përfshirjes aktive të studentëve në çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe sigurinë e komunitetit shkollor.
Aktiviteti u mbështet nga Fondacioni Pestaloci dhe u realizua në partneritet me Qendrën e Maqedonisë për Edukim Qytetar, si dhe me partnerë të tjerë të angazhuar në fushën e edukimit dhe të drejtave të njeriut.




