Raportet ndërkombëtare prej vitesh paralajmërojnë për largimin e kapitalit të paligjshëm nga Shqipëria. Nga llogaritë bankare në Zvicër te kompanitë offshore në Qipro e Maltë dhe investimet në Londër e Dubai, sa para mund të kenë dalë jashtë vendit dhe përse drejtësia shqiptare nuk ka arritur të gjurmojë sistematikisht pasuritë kriminale përtej kufijve?
Sa para kanë nxjerrë jashtë Shqipërisë zyrtarët e korruptuar, biznesmenët e përfshirë në afera publike dhe grupet e krimit të organizuar? Ku janë investuar këto para dhe në emër të kujt figurojnë sot pasuritë e krijuara prej tyre?
Pas mesazhit të diplomatit amerikan Eric Wendt drejtuar SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, vëmendja rikthehet te një problem që institucionet ndërkombëtare e kanë evidentuar prej vitesh: gjurmimi dhe rikuperimi i pasurive të paligjshme që kanë përfunduar jashtë Shqipërisë.
Raportet ndërkombëtare tregojnë se fenomeni nuk është i ri. Përllogaritjet e flukseve të paligjshme financiare dhe anomalive në tregtinë ndërkombëtare arrijnë në miliarda dollarë, ndërsa rezultatet e drejtësisë shqiptare në rikuperimin e pasurive të krijuara nga korrupsioni mbeten të kufizuara.
Sa miliarda dollarë mund të kenë dalë nga Shqipëria?
Një prej vlerësimeve më domethënëse është bërë nga organizata amerikane Global Financial Integrity (GFI), e cila monitoron flukset e paligjshme financiare në vendet në zhvillim.
Në raportin për periudhën 2004–2013, organizata përllogariste se nga Shqipëria kishin dalë mesatarisht 123 milionë dollarë në vit nëpërmjet flukseve të paligjshme financiare.
Në harkun e një dekade, kjo përkthehet në rreth 1,23 miliardë dollarë.
Por një tjetër studim, i publikuar në vitin 2021, evidenton përmasa edhe më të mëdha të anomalive financiare.
Për periudhën 2009–2018, diferencat në vlerat e deklaruara të importeve dhe eksporteve shqiptare përllogariteshin mesatarisht në 904 milionë dollarë në vit, ose rreth 9 miliardë dollarë përgjatë dhjetë viteve.
Këto mospërputhje mund të lidhen me evazionin fiskal, manipulimin e faturave tregtare, transferimin e paligjshëm të kapitalit dhe pastrimin e parave. Megjithatë, jo e gjithë kjo shumë mund të konsiderohet si kapital i paligjshëm i transferuar jashtë Shqipërisë.
Një tjetër vlerësim i Global Initiative Against Transnational Organized Crime, për periudhën 2020–2022, i vendos daljet e paligjshme financiare të lidhura me deformimin e çmimeve tregtare në nivelin e 2,16 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Trafiku i drogës, korrupsioni, krimi ekonomik dhe evazioni fiskal identifikohen si disa prej burimeve kryesore të flukseve të paligjshme financiare në Shqipëri.
Megjithatë, asnjë prej këtyre raporteve nuk jep një pasqyrë të plotë se sa para zotërojnë aktualisht jashtë vendit zyrtarët e korruptuar shqiptarë dhe grupet kriminale.
Paralajmërimi ndërkombëtar që në vitin 2018
Në vitin 2018, MONEYVAL, mekanizmi i Këshillit të Europës për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave, ngrinte një shqetësim konkret për Shqipërinë.
Në paragrafin 274 të raportit të vlerësimit, ekspertët ndërkombëtarë evidentonin se vetë autoritetet shqiptare e konsideronin serioz fenomenin e të ardhurave kriminale të gjeneruara brenda vendit dhe të depozituara apo investuara jashtë tij.
Europa Perëndimore identifikohej si një prej hapësirave kryesore gjeografike ku mund të përfundonin këto para.
Megjithatë, ekspertët nuk kishin konstatuar ekzistencën e një strategjie sistematike për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e këtyre pasurive.
Një prej rasteve të veçuara në raport ishte rikuperimi i pasurive të lidhura me mashtrimet e skemave piramidale, të cilat ishin depozituar në Hungari.
Pra, problemi i kapitalit kriminal shqiptar jashtë kufijve ishte evidentuar ndërkombëtarisht edhe përpara krijimit të SPAK-ut.
Nga Zvicra në Dubai, gjeografia e mundshme e parave të fshehura
Zvicra, Luksemburgu, Qiproja, Malta, Britania e Madhe, Emiratet e Bashkuara Arabe, Monako, San Marino, Panamaja dhe Ishujt Kajman janë disa prej juridiksioneve që ndër vite janë përmendur në diskutimet mbi transferimin dhe fshehjen e kapitalit.
Por ku duhen kërkuar konkretisht paratë e korrupsionit dhe krimit shqiptar?
Zvicra dhe Luksemburgu njihen si qendra të administrimit të pasurive private dhe investimeve financiare, ndërsa Qiproja dhe Malta janë juridiksione ku operojnë struktura të shumta korporative me aktivitet ndërkombëtar.
Londra dhe Dubai përfaqësojnë dy prej tregjeve të mëdha ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme, ku kapitali i huaj investohet në apartamente, vila, ndërtesa tregtare dhe prona luksoze.
Ndërkohë, juridiksione si Panamaja dhe Ishujt Kajman janë përmendur vazhdimisht në investigimet ndërkombëtare mbi kompanitë offshore dhe vështirësitë në identifikimin e pronarëve përfitues.
Këto destinacione përbëjnë drejtime të mundshme hetimi, por deri më sot nuk ka një bilanc publik të verifikuar që të përcaktojë se sa para të korrupsionit shqiptar ndodhen në secilin prej tyre.
Gjithashtu, zotërimi i një kompanie, llogarie bankare apo pasurie në këto vende nuk përbën në vetvete provë të një veprimtarie kriminale.
Sfida për hetuesit shqiptarë është të identifikojnë pronarët realë të pasurive dhe të provojnë lidhjen e tyre me të ardhurat e përfituara në mënyrë të paligjshme.
Brukseli prej vitesh ngre të njëjtin shqetësim
Një prej konstatimeve më domethënëse gjendet në raportet periodike të Komisionit Europian për Shqipërinë.
Në raportet e viteve 2020, 2021, 2023, 2024, 2025 dhe 2026 përsëritet në thelb i njëjti shqetësim: Shqipëria nuk ka një qasje sistematike për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale që ndodhen jashtë vendit.
Megjithëse Shqipëria arriti të dilte nga lista gri e FATF-së në tetor të vitit 2023, pas përmirësimeve në kuadrin e luftës kundër pastrimit të parave, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe transparencën e pronësisë përfituese, çështja e rikuperimit të pasurive kriminale jashtë kufijve mbetet një sfidë.
Dalja nga lista gri nuk do të thotë se paratë e transferuara ndër vite janë identifikuar apo rikthyer në Shqipëri.
Përmirësimi i legjislacionit dhe ngritja e mekanizmave institucionalë janë vetëm një pjesë e procesit. Pjesa tjetër është rezultati konkret: sa para janë gjurmuar, sa llogari janë bllokuar dhe sa pasuri janë konfiskuar.
Vetëm 100 mijë euro të konfiskuara nga korrupsioni i nivelit të lartë gjatë vitit 2025
Raporti i Komisionit Europian për vitin 2026 evidenton një tjetër të dhënë që meriton vëmendje.
Gjatë vitit 2025, vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara nga SPAK arriti në 45,4 milionë euro.
Por vetëm 1,2 milionë euro lidheshin me procedimet për korrupsionin e nivelit të lartë, ndërsa vlera e pasurive të konfiskuara në këtë kategori ishte rreth 100 mijë euro.
Shifrat ngrenë pikëpyetje për dimensionin pasuror të hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë.
Sa pasuri janë identifikuar jashtë vendit? Sa llogari bankare janë bllokuar? Sa kompani të regjistruara në juridiksione të huaja janë bërë objekt hetimi? Sa para janë rikthyer në buxhetin e shtetit shqiptar?
Ndërsa dosjet e korrupsionit përfshijnë kontrata publike, tenderë dhe koncesione me vlera të konsiderueshme financiare, rezultatet e konfiskimit të pasurive në çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë mbeten modeste.
Shifrat e SPAK
Të dhënat e bëra publike nga SPAK tregojnë se gjatë periudhës 2020–2026 janë sekuestruar 94 pasuri në Shqipëri për llogari të autoriteteve të shtatë vendeve të huaja.
Kërkesat kanë ardhur nga Belgjika, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Holanda dhe Spanja.
Nga 94 pasuritë e sekuestruara, vetëm një rezultonte e konfiskuar në momentin e raportimit të këtyre të dhënave.
Por ndërsa autoritetet europiane kërkojnë dhe identifikojnë pasuritë e grupeve kriminale në Shqipëri, pyetja është se çfarë rezultatesh kanë arritur institucionet shqiptare në drejtimin e kundërt.
Sa pasuri të krijuara nga korrupsioni dhe krimi në Shqipëri janë identifikuar në Europë dhe përtej saj?
Sa kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar janë dërguar për gjurmimin e pasurive të zyrtarëve të dyshuar për korrupsion dhe cilat kanë qenë rezultatet?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve do të ndihmonin në krijimin e një pasqyre më të qartë të kapitalit kriminal që mund të ketë dalë nga Shqipëria.
A disponojnë amerikanët gjurmët e parave?
Pikërisht në këtë kontekst merr një domethënie të veçantë deklarata e diplomatit amerikan Eric Wendt përpara drejtuesve të SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Diplomati amerikan foli konkretisht për llogaritë offshore, portofolet e kriptomonedhave, kompanitë guaskë dhe transferimin e parave përtej kufijve.
Ai evidentoi gjithashtu mundësinë që hetuesit shqiptarë të sigurojnë prova elektronike nga kompanitë amerikane, përfshirë komunikimet, dokumentet dhe të dhënat e ruajtura në serverët e tyre.
Deklarata e Wendt nuk konfirmon se autoritetet amerikane disponojnë një listë të zyrtarëve shqiptarë me pasuri të fshehura jashtë vendit. Por ajo tregon se ekzistojnë mekanizma për të zgjeruar hetimet dhe për të siguruar prova përtej territorit shqiptar.
Për vite me radhë, vëmendja e opinionit publik është përqendruar te tenderët, koncesionet, kontratat publike, ryshfetet dhe arrestimet e zyrtarëve.
Por pyetja që mbetet është se çfarë ka ndodhur me paratë.
Nëse përfitimet e korrupsionit janë transferuar jashtë Shqipërisë, arrestimi dhe dënimi i personave përgjegjës përbëjnë vetëm një pjesë të procesit të drejtësisë.
Ku janë sot paratë? Kush i administron? Në emër të kujt figurojnë kompanitë dhe pasuritë? Sa prej tyre mund të rikuperohen?
Pas paralajmërimeve të përsëritura ndërkombëtare dhe mesazhit të fundit amerikan, sfida për SPAK-un nuk është vetëm të provojë korrupsionin, por edhe të ndjekë gjurmët e përfitimeve të paligjshme, kudo që ato mund të kenë përfunduar.
Sepse bilanci i luftës kundër korrupsionit nuk matet vetëm me numrin e zyrtarëve të dënuar, por edhe me vlerën e pasurive të paligjshme që drejtësia arrin të konfiskojë.

