Lajme

Rreziku i atyre që besojnë se janë të destinuar të sundojnë

Nga universi imagjinar i Dune te figurat e mëdha historike, arketipi i të zgjedhurit dëshmon rrezikun që mbart përqendrimi i pushtetit dhe besimi i pakushtëzuar tek udhëheqësit karizmatikë…

Arketipi i të zgjedhurit është një nga rrëfimet më të zakonshme në median moderne. Një person me aftësi të jashtëzakonshme është i destinuar të bëhet udhëheqësi më i madh i epokës së tij dhe t’i largojë masat nga korrupsioni i rendit të vjetër, drejt dritës së perandorisë së tij të re. Ky arketip është romantizuar dhe idealizuar skajshëm në narrativën moderne. Megjithatë, pasojat dhe mësimet që burojnë prej tij duhet të kuptohen nga çdo individ.

Një nga mishërimet më të rëndësishme, interesante dhe me ndikim të arketipit të të zgjedhurit në kohët moderne është Paul Atreides, nga seria Dune e Frank Herbertit. Paul Atreides është biri i një duke dhe zotëron aftësi të jashtëzakonshme parashikuese. Ai është në gjendje të shohë të ardhme të mundshme përpara se ato të ndodhin, çka i jep një epërsi të dukshme dhe unike ndaj çdo individi tjetër në universin e tij.

Pas vrasjes së të atit dhe dëbimit nga qyteti i Arrakeenit, ai bëhet pjesë e fisit Fremen, popullit të planetit Dune. Këta banorë të shkretëtirës kanë pritur prej brezash një figurë mesianike që do t’i udhëhiqte drejt një parajse të gjelbër. Falë aftësive të tij të jashtëzakonshme parashikuese, Paul përfundimisht bëhet figura e tyre mesianike dhe i udhëheq jo vetëm drejt rimarrjes së Dune-s, por edhe drejt zhvillimit të një lufte të shenjtë në mbarë galaktikën, për ta nënshtruar atë dhe për të themeluar perandorinë e tij të re.

Paul është mishërimi i arketipit të të zgjedhurit. Brenda këtij besimi të pakushtëzuar tek i zgjedhuri i tyre fshihen shumë kurthe, ndër të cilat edhe bashkëfajësia e fremenëve në një luftë të shenjtë që u merr jetën 61 miliardë njerëzve.

Paul ushtron kontroll të plotë dhe absolut mbi të gjithë galaktikën e njohur, nëpërmjet statusit të tij mesianik mes fremenëve dhe aftësive të jashtëzakonshme parashikuese. Në sytë e tij dhe të besimtarëve të tij, ai është një shpëtimtar; në sytë e armiqve të tij, është një tiran dhe një despot që sundon galaktikën me grusht të hekurt.

Qëllimi nuk është të gjykohen moralisht veprimet e këtij të zgjedhuri imagjinar, por të shqyrtohen kurthet në të cilat bien njerëzit që e ndjekin dhe veprimet në të cilat përfshihen për shkak të besimit dhe përkushtimit të tyre. Po kështu, duhen shqyrtuar veprimet që ndërmerr Paul ndërsa fillon të besojë se është vërtet i zgjedhuri dhe mënyra se si ai shkakton një luftë të shenjtë që u merr jetën 61 miliardë njerëzve në mbarë universin e njohur.

Si ndjekësit, ashtu edhe udhëheqësi, bëhen jashtëzakonisht të rrezikshëm, sepse besojnë se çdo veprim që ndërmarrin është i justifikuar dhe i përligjur racionalisht. Natyrisht, në librat e Dune ekzistojnë shumë nuanca që lidhen me aftësitë parashikuese, të ardhmet e mundshme e të tjera. Megjithatë, kjo përmbledhje shërben për të ilustruar rreziqet që duhen marrë parasysh kur përballemi me njerëz që pretendojnë se janë të zgjedhurit.

Edhe historia ka njohur të zgjedhur, por këto figura nuk kanë zotëruar aftësi të mbinatyrshme dhe as nuk kanë qenë subjekt i profecive që kanë ekzistuar mijëra vjet përpara tyre, me përjashtim të Njërit.

Me përjashtim të këtij rasti, të zgjedhurit e historisë nuk kanë qenë njerëz me aftësi të mbinatyrshme, por individë që kanë zotëruar inteligjencë, karizëm, guxim dhe aftësi të spikatura në përmasa të jashtëzakonshme.

Për të përmendur vetëm disa shembuj historikë të arketipit të të zgjedhurit, mund të veçojmë Jul Cezarin, i cili frymëzoi besnikëri te populli dhe vendi i tij, duke u bërë sundimtari i vetëm i Romës.

Më pas vjen Augusti, i cili, ndryshe nga paraardhësi i tij, nuk e shpalli veten mbret, por princeps, ose qytetarin e parë të popullit, ndërkohë që i gjithë pushteti politik dhe perandorak ishte përqendruar në duart e tij.

Këta dy burra janë përzgjedhur si shembuj të këtij arketipi, sepse konsoliduan pushtetin dhe, në dukje, por jo tërësisht vetë, e çuan qytetërimin dhe historinë drejt fazës së tyre të ardhshme.

Një tjetër mishërim i këtij arketipi është Napoleoni, i cili doli nga kaosi i Revolucionit, konsolidoi pushtetin dhe u bë perandor i Francës. Gjatë këtij procesi, ai i udhëhoqi francezët drejt fitoreve të shumta dhe një zgjerimi territorial të paparë prej brezash.

Një tjetër arketip historik është Aleksandri i Madh. Që në moshë të re, guximi i tij e shtyu drejt pushtimit të botës së njohur, që në fillim të të njëzetave. Ai ishte i guximshëm dhe karizmatik, cilësi që i mundësuan të përmbushte ëndrrën më të çmendur të çdo pushtuesi: pushtimin e botës.

Këta të zgjedhur patën ndikim të jashtëzakonshëm. Ata i dhanë drejtim historisë, por nuk ishin të vetmit që e bënë këtë.

Pikërisht këtu qëndron mangësia e teorisë së njeriut të madh: secili prej këtyre individëve ishte produkt i qytetërimit të vet. Ata i çuan përpara qytetërimet e tyre nëpërmjet këmbënguljes, mendjemprehtësisë dhe veprimeve të guximshme, por nuk do të kishin ekzistuar apo arritur të lulëzonin pa qytetërimet që i formësuan.

Historia duhet kuptuar në tërësinë e saj dhe jo përmes fragmenteve të izoluara të kontekstit historik, pa marrë siç duhet në konsideratë ngjarjet paraprake.

Gjithashtu, duhet kuptuar se mishërimet historike të arketipit të të zgjedhurit zakonisht nuk kanë qenë figura mesianike. Shembujt e përmendur ishin burra të aftë për të përqendruar dhe konsoliduar në duart e tyre një pushtet të jashtëzakonshëm politik dhe perandorak.

Arketipi i të zgjedhurit është i rëndësishëm për arsyet e përmendura: këto figura kontribuojnë në ecjen përpara të historisë dhe shndërrohen në heronj e idhuj për të gjithë brezat që vazhdojnë të kujtojnë emrat e tyre. Megjithatë, ata nuk duhen ndjekur verbërisht.

Ashtu si në shembullin e Dune, udhëheqësit mund të jenë jashtëzakonisht karizmatikë dhe, në dukje, të jashtëzakonshëm. Por, sapo kjo bindje përvetësohet nga njerëzit, në mendjet e tyre nuk mbetet më vend për racionalitetin, por vetëm përkushtim ndaj asaj që ata besojnë se është kauza më e pastër.

Kur natyra njerëzore dhe prirjet e saj të qenësishme egoiste përligjen nëpërmjet «ndërhyrjes hyjnore», racionaliteti i mendjes njerëzore zëvendësohet nga besimi dhe nga një qëllim i supozuar hyjnor. Në të ardhmen e botës do të ketë të tjerë të zgjedhur të vetëshpallur apo të supozuar. Mos e ngatërroni mungesën e një të zgjedhuri të dallueshëm në kohët moderne me një rregull universal.

Kini kujdes nga të gjithë ata udhëheqës karizmatikë që besojnë se janë të vetmit që mund të tregojnë rrugën./ “Principate Press”

3sgIgLJ.png