Lajme

Fati i Iranit do të shkruhet nga vetë iranianët

“A mendon se do ta shoh ndonjëherë përsëri Iranin?”

Pyetja mbetet pezull në ajër – e qetë, e brishtë, e rëndë, plot mall. Im atë e bën atë në muzg të jetës së tij, teksa lufton me kancerin që përpiqet ta vërë përfund. Nuk është vetëm zëri i tij që dëgjoj, por jehona e miliona të tjerëve: atyre që u detyruan të iknin nga toka që donin, dhe atyre që mbetën pas, dhe që ende janë duke pritur ditën kur Irani mund të bëhet sërish… Iran.

Ai iku drejt Londrës pas revolucionit të vitit 1979, duke i shpëtuar për pak litarit të një teokracie që zëvendësoi një monarki të rrëzuar. Im atë i shërbeu kësaj monarkie me besnikëri, duke besuar se pavarësisht të metave si autokraci, ajo ishte modernizuese, shoqërisht liberale dhe politikisht e reformueshme: e kundërta e Republikës Islamike.

Që kur iku, ai nuk u kthye më kurrë në Iran. Në mërgim, u bë dëshmitar i një regjimi që burgosi, torturoi dhe vrau pa mëshirë. Një regjim që e shkëputi nga toka e tij, por që nuk arriti kurrë t’i shuante shpresën.

Po të tjerët? Ata që mbetën. Familjarët dhe të dashurit tanë. Ata që duruan kamxhikun e shtypjes dhe gati pesë dekada pasigurie të vazhdueshme. Edhe ata pyesin: Kur do ta rimarrim vendin tonë nga kjo natë e gjatë dhe e errët?

Unë u rrita mes nostalgjisë për një atdhe të humbur dhe realitetit të mërgimit. Thirrjet jashtë ambasadës së Republikës Islamike, zhurma e gotave të çajit persian në mbledhjet e disidentëve në banesat tona të vogla, lajmet për atentate dhe vrasje që na morën miq dhe ëndërrimtarë. Ajo përzierje rrëqethëse trishtimi dhe sfide na formësoi. Dhe tani, teksa lufta errëson horizontin, e ndjejmë sërish: dhimbje për të pafajshmit, shpresë për rënien e persekutorëve.

Kur flas me figura të shoqërisë civile brenda Iranit, duket se pak iranianë ia hedhin fajin drejtpërdrejt duarve të huaja për këtë luftë. Megjithëse çdo vend ka shumë zëra, shumë iranianë besojnë se Republika Islamike kurrë nuk ka qenë mbrojtëse e kombit, por vetëm e revolucionit të vet. Edhe Trupat e Gardës Revolucionare nuk mbajnë emrin e Iranit – por të një ideologjie të dhunshme që përpin bijtë e vet dhe u sjell atyre luftë.

Në një deklaratë të përbashkët, fitueset e çmimit Nobel Narges Mohammadi dhe Shirin Ebadi, regjisorët Jafar Panahi dhe Mohammad Rasoulof, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, i bënë thirrje liderëve botërorë të ndalin pasurimin e uraniumit dhe gjakderdhjen e të pafajshmëve në Iran dhe Izrael.

Brenda vendit, optimizmi dhe frika luftojnë për shpirtin e popullit.

Për dekada, shumë prej nesh u bëmë thirrje liderëve botërorë: refuzoni njëkohësisht përkëdheljen dhe luftën ndaj Republikës Islamike. Kishte një rrugë tjetër – të izolohej regjimi dhe të fuqizohej populli. Pak e zgjodhën këtë. Shumë pyetën: “A duan vërtet iranianët ndryshim?” – sikur nuk i dëgjonin protestuesit iranianë të thërrisnin “Vdekje diktatorit” dhe “Vdekje Khamenei-t” në rrugë. Ndoshta tani – teksa këto thirrje jehojnë nga çatitë e Teheranit, edhe në kohë lufte – do t’i dëgjojnë më në fund.

Që prej nisjes së përplasjes, disa prej arkitektëve të terrorit të regjimit janë vrarë në bunkerë e krevate. Por bashkë me ta janë vrarë edhe një poet, një sportist, dhe fëmijë – premtimi i ndritur i së nesërmes që shuhet bashkë me errësirën e të vjetrës. Shumë prej nesh e shohin me dhimbje se si bashkëkombësit tanë braktisin shtëpitë, të dëshpëruar për një strehë larg shtypjes dhe shkatërrimit.

Siç pyet reperi disident Toomaj Salehi: “Si mund të evakuohen mbi 9 milionë njerëz – pa karburant, shpesh pa kursime të mjaftueshme për të lëvizur, dhe pa një shtëpi të dytë në një qytet tjetër?”

Iranianët e shohin hipokrizinë e dhimbshme të zyrtarëve të regjimit që sot derdhin lot për civilët, ndërkohë që në vitin 2019 vranë 1,500 protestues, më shumë se 500 të tjerë gjatë kryengritjes “Grua, Jetë, Liri” të vitit 2022, dhe shumë të tjerë gjatë katër dekadave të tiranisë.

Megjithatë, regjimi vazhdon të kapet pas skenarit të tij autoritar: mbyll internetin, censuron lajmet. Në vend që t’u ofrojë qytetarëve siguri dhe mbrojtje gjatë luftës, i detyron studentët të japin provime sikur asgjë nuk ka ndodhur, dhe shton shtypjen e fjalës së lirë.

Mungesa e legjitimitetit të Republikës Islamike nuk shfaqet vetëm në shkeljet mizore të të drejtave të njeriut, por edhe në dështimet strategjike. Siç thotë Kylie Moore-Gilbert: “Duke shtypur kundërshtimet, burgosur të pafajshmit, dhe dështuar në operacione jashtë vendit – Iranit nuk i ecën më asgjë.”

Së fundmi, spiunët dhe pilotët izraelitë kanë arritur të dëmtojnë seriozisht aftësitë kundërpërgjigjëse të Iranit.

Të gjithë ata që besojnë vërtet në paqen, e refuzojnë si luftën agresive, ashtu edhe terrorin në çdo formë. Mospërfillja ndaj njërës i shkatërron themelet tjetrës.

Asnjë fuqi e jashtme nuk do ta shpëtojë Iranin. Epoka e shpëtimtarëve të huaj ka marrë fund. Nuk jetojmë më në botën e perandorive unike apo aleancave të thjeshta. Çdo komb duhet të kujdeset për kopshtin e vet. Por asnjë tokë nuk është e shkëputur. Për gati një gjysmë shekulli, regjimi në Iran ka helmuar më shumë se tokën e vet – infeksioni i tij është përhapur në Jemen, Siri, Irak, Gaza, Liban.

Fati i Iranit do të shkruhet nga vetë iranianët – jo në kryeqytete të huaja apo në dhoma të mbyllura, por në rrugët e tyre, me zërat e tyre dhe përmes përpjekjes së tyre.

Dhe për sa kohë ata që ëndërrojnë një demokraci liberale mbeten të përçarë, për sa kohë ambiciet personale, plagët e vjetra dhe ndarjet ideologjike pengojnë një qëllim të përbashkët – e kam frikë përgjigjen ndaj pyetjes së tim eti.

Për hir të një Irani të lirë, një rajoni të qëndrueshëm dhe një bote në paqe – teksa kërkojmë përmbajtje dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare – duhet të sigurojmë gjithashtu sovranitetin e popullit iranian, jo të shtypësve të tij. / TIME – Bota.al

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png