Lajme

Fundi i MJAFT-it; modeli më i shëmtuar politik i dekadës

MJAFT-istët e ndërtuan karrierën mbi politikën e fasadës dhe të lëpirjes. Fuqinë ua dha PS-ja, ndërsa sot humbjen e kolltukëve kërkojnë ta shesin si persekutim politik

Trashëgimia politike e MJAFT-istëve është modeli i lëpirjes dhe i fasadës, i ndërtuar mbi besnikërinë ndaj kryetarit dhe ndryshimin e qëndrimeve sipas interesave personale. Një model ku marketingu politik zuri vendin e debatit, ndërsa elozhet ndaj udhëheqësit u kthyen në instrument të karrierës.

Nga shitja e fiqve në rrugët e Tiranës përfunduan në krye të ministrive, bashkive dhe institucioneve më të rëndësishme të shtetit. Ata që dikur protestonin kundër privilegjeve të qeveritarëve, patën mundësinë të tregonin për më shumë se një dekadë se çfarë modeli qeverisjeje përfaqësonin.

Pa autoritet elektoral të pavarur, MJAFT-istët e provuan forcën e tyre politike me G99 në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, kur nuk siguruan dot asnjë mandat. Fuqinë ua dha Partia Socialiste, strukturat e së cilës u mundësuan ngjitjen në hierarkinë e pushtetit.

Erion Veliaj u bë ministër dhe më pas kryetar i Bashkisë së Tiranës. Elisa Spiropali kaloi nga drejtimi i Doganave në qeveri e deri në krye të Kuvendit. Arbjan Mazniku, Endri Fuga dhe figura të tjera të këtij brezi morën gjithashtu poste të rëndësishme në administratën e Rilindjes.

Mjafton të kujtojmë Elisa Spiropalin dhe elozhet ndaj “Skënderbeut” të saj për të parë kontrastin me qëndrimet që mban sot. Gjuha e përdorur gjatë viteve të ngjitjes në pushtet dhe ajo e përdorur pas humbjes së pozicioneve drejtuese tregojnë dy etapa krejt të ndryshme të së njëjtës karrierë politike.

Sot po zbythen nga politika të turpëruar, ndërsa kërkojnë ta shesin largimin e tyre si sulm politik e të dalin si të persekutuar politikisht.

Kërkimi i armiqve imagjinarë brenda Partisë Socialiste nuk e ndryshon bilancin e viteve të tyre në pushtet. Asnjë figurë tjetër e kabinetit nuk ka qenë përgjegjëse për administrimin e Bashkisë së Tiranës nga Veliaj, sikurse nuk mund të mbajë përgjegjësi për vendimet e Spiropalit në institucionet e larta që ka drejtuar.

Përplasjet e sotme politike nuk mund të shërbejnë si alibi për përgjegjësitë e djeshme. Secili prej tyre ka pasur kompetenca, pushtet, buxhete dhe vite të tëra në dispozicion për të dëshmuar aftësitë që reklamonte.

Pa autoritet dhe pa fuqi elektorale, sot po zbythen nga politika të turpëruar, ndërsa kërkojnë ta shesin largimin e tyre si sulm politik e të dalin si të persekutuar politikisht. Ndërtuan një model lëpirjeje dhe fasade, ndërkohë që fuqinë politike ua dha Partia Socialiste.

3sgIgLJ.png