Gjermania ka paralajmëruar se Rusia mund të intensifikojë sulmet ndaj infrastrukturës jetike të Ukrainës gjatë muajve të dimrit, duke synuar të rëndojë kushtet e jetesës së popullsisë dhe të dobësojë qëndresën e vendit.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë një takimi në Bruksel, deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin pritet ta përdorë sërish dimrin si mjet presioni ndaj Ukrainës, duke vënë në shënjestër sistemet e furnizimit me ujë, energji elektrike dhe ngrohje.
“Ne presim që Putini të përpiqet përsëri të shkatërrojë furnizimin me ujë, energji elektrike dhe ngrohje. Ai e përdor dimrin si armë”, tha Pistorius.
Ministri gjerman theksoi se mbështetja e Berlinit për Ukrainën mbetet e vendosur, ndërsa paralajmëroi se Moska po përpiqet të zgjasë konfliktin me shpresën se Kievi dhe vendet që e mbështesin do të lodhen dhe do të heqin dorë.
Sipas Pistorius, Putini po “luan me kohën”, duke shpresuar që Ukraina dhe aleatët e saj “të dorëzohen”.
Në këtë kontekst, ai konfirmoi vazhdimin e ndihmës ushtarake gjermane për Ukrainën, me përparësi forcimin e mbrojtjes ajrore.
Paketa e mbështetjes përfshin qindra milionë euro për iniciativën PURL, radarë me performancë të lartë, municione për interceptimin e dronëve, si dhe ndihmë të mëtejshme për programin e raketave Freya.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u bëri thirrje vendeve europiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbështetjen e Ukrainës.
Rutte vlerësoi kontributin e aleatëve, por theksoi se një numër i kufizuar shtetesh vazhdon të mbajë pjesën më të madhe të barrës financiare dhe ushtarake.
“Aleatët evropianë do të duhet ta ndajnë barrën edhe më në mënyrë të barabartë, disa vende ende po bëjnë pjesën më të madhe. Ne të gjithë duam që Ukraina të ketë sukses. Ne të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë dhe do ta vazhdojmë këtë bisedë në koalicionin e Vullnetit në Berlin pas dy ditësh, të enjten”, deklaroi Rutte.
Paralajmërimet vijnë ndërsa Ukraina përgatitet për një tjetër dimër nën kërcënimin e sulmeve ruse, me mbrojtjen e infrastrukturës energjetike dhe civile që mbetet një nga përparësitë e mbështetjes perëndimore.

