Lajme

Tryeza Shenzhenit dhe doktrina e karrigës bosh

Shkruar nga Gjergj Zefi

Trump, Xi dhe Putin përballë një Jalte të re. Tri fuqi në tryezë, dhe Evropa jashtë saj: frikë se historia mund të shkruhet pa evropianët.

Trump kërkon lavdinë e një marrëveshjeje historike, Xi Jinping kohë për të forcuar Kinën, ndërsa Putin një vend mes fuqive që vendosin fatet e botës. Në Shenzhen, fantazma e Jaltës rikthehet me një ndryshim domethënës: Evropa rrezikon të mbetet jashtë tryezës ku diskutohen edhe interesat e saj.

Në diplomaci, ndonjëherë mungesa flet më shumë se prania. Mjafton të shohësh tryezën e Shenzhenit: Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin, tre udhëheqës që përfaqësojnë fuqitë më të mëdha bërthamore të planetit. Përballë tyre, dosjet e sigurisë ndërkombëtare, armët atomike, luftërat dhe ekuilibrat e ardhshëm të pushtetit. Evropa mungon.

Mund ta quajmë “Doktrina e karriges bosh”: një rend diplomatik ku fuqitë e mëdha ulen për të negociuar, ndërsa ata që do të jetojnë me pasojat e vendimeve të tyre nuk kanë domosdoshmërisht një vend në tryezë.

Secili prej tre presidentëve mbërrin me llogaritë e veta. Trumpi, i dobësuar politikisht pas zgjedhjeve të mesmandatit, kërkon një sukses ndërkombëtar që t’i japë peshë presidencës së tij. Xi kërkon qetësi me Uashingtonin, sepse ekonomisë kineze i duhet kohë për të kapërcyer vështirësitë e brendshme. Putini kërkon diçka më simbolike, por po aq të rëndësishme: njohjen e Rusisë si fuqi pa të cilën nuk mund të vendoset për rendin botëror.

Tri ambicie të ndryshme, një interes i përbashkët: të negociojnë nga pozitat e fuqisë.

Këtu nis shqetësimi evropian. Në vitin 1945, në Jaltë, Roosevelt, Churchill dhe Stalini diskutuan të ardhmen e një kontinenti të shkatërruar nga lufta. Tetë dekada më vonë, askush nuk mund të pretendojë se kushtet historike janë të njëjta. Megjithatë, tundimi për t’i trajtuar marrëdhëniet ndërkombëtare si një marrëveshje mes fuqive të mëdha nuk është zhdukur.

Nëse Uashingtoni negocion me Moskën për sigurinë evropiane pa evropianët, nëse Pekini arrin të shkëmbejë lëshime tregtare me përfitime strategjike, nëse Kremlini fiton njohje politike pa ndryshuar qëndrimin ndaj sovranitetit të fqinjëve, atëherë Evropa ka arsye të shqetësohet.

Rreziku nuk qëndron domosdoshmërisht te një marrëveshje e fshehtë për ndarjen e botës. Ai qëndron te normalizimi i një diplomacie ku interesat e shteteve më të vogla mund të trajtohen si pjesë e pazareve mes të mëdhenjve.

Për Evropën, kjo do të ishte një kthim pas. Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi bindjen se kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe se sovraniteti nuk është privilegj i shteteve të fuqishme. Pikërisht këto parime vihen në provë kur diskutohet e ardhmja e Ukrainës, siguria e kontinentit dhe marrëdhëniet me Rusinë.

Ka, megjithatë, edhe një të vërtetë të pakëndshme për Brukselin. Një karrige në tryezën e fuqive nuk sigurohet vetëm duke kërkuar ftesë. Ajo kërkon peshë politike, aftësi ushtarake, fuqi teknologjike dhe, mbi të gjitha, unitet strategjik.

Evropa ka një treg gjigant, industri të zhvilluara dhe institucione të fuqishme. Megjithatë, vazhdon të mbështetet në masë të madhe te garancitë amerikane të sigurisë, ndërsa vendimmarrja e saj shpesh pengohet nga interesat e ndryshme kombëtare.

Në një botë ku ndikimi përcaktohet gjithnjë e më shumë nga kontrolli i mikroçipeve, inteligjencës artificiale, energjisë dhe kapaciteteve ushtarake, madhësia ekonomike nuk mjafton për të garantuar peshë diplomatike.

Kjo çështje prek drejtpërdrejt edhe Ballkanin. Shqipëria dhe Kosova kanë interes jetik që siguria evropiane të mos kthehet në objekt marrëveshjesh mbi kokat e shteteve të vogla. Një Evropë e dobët politikisht do ta kishte më të vështirë të garantonte stabilitetin e rajonit dhe të mbronte parimet mbi të cilat mbështetet pavarësia e Kosovës.

Dialogu mes Trumpit, Xi-së dhe Putinit mund të jetë i dobishëm për uljen e tensioneve ndërkombëtare. Diplomacia nuk duhet t’i trembet bisedimeve mes kundërshtarëve. Ajo duhet t’i trembet çastit kur kompromisi mes fuqive kthehet në marrëveshje në kurriz të të tjerëve.

Shenzheni mund të mos prodhojë një Jaltë të re. Ndoshta do të mbetet vetëm një fotografi historike dhe disa premtime për negociata të ardhshme.

Megjithatë, fotografia do të ketë një mesazh që Brukseli duhet ta lexojë me kujdes. Kur të mëdhenjtë të ndajnë tortën, Evropa duhet të kujdeset që të mos përfundojë në pjatë./Pamfleti

3sgIgLJ.png