Shkruar nga Federico Dal Cortivo
Ndërsa lufta në Lindjen e Mesme vazhdon, Italia dhe vende të tjera mesdhetare po shndërrohen në destinacione për qytetarët izraelitë. Ambasadori Bruno Scapini, ngre dyshime se përtej investimeve dhe emigrimit, mund të fshihen edhe interesa strategjike e ushtarake…
Ambasadori Bruno Scapini, themelues i Komitetit “Italia Neutrale” dhe ish-ambasador i Italisë në Armeni, analizon mundësinë e krijimit të vendbanimeve izraelite në Itali, Shqipëri dhe Qipro.

Bruno Scapini /
Në intervistë, ai e lidh këtë prirje me pasigurinë politike dhe ushtarake në Lindjen e Mesme, por edhe me interesat strategjike të Izraelit në Mesdhe.
A po largohet një pjesë e qytetarëve izraelitë nga vendi? A mund të shndërrohet kjo prirje në një diasporë të re?
Emigrimi i qytetarëve izraelitë është një zhvillim i rëndësishëm politik, por nuk besoj se përbën një proces të mirëfilltë diasporik. Ai lidhet më shumë me rrethanat e veçanta politike dhe ushtarake që po përjeton Izraeli, sesa me ndonjë projekt të posaçëm qeveritar për krijimin e vendbanimeve jashtë vendit.
Përkundrazi, politika zyrtare izraelite ka synuar historikisht të nxisë emigrimin drejt vendit. Kjo përputhet me projektin e krijimit të Izraelit të Madh (Eretz Israel), i cili mbështetet edhe në referenca biblike dhe ka ndikuar në orientimin e qeverive izraelite që nga themelimi i shtetit.
Interesi për të nxitur emigrimin hebraik drejt “Tokës së qumështit dhe mjaltit”, daton që në kohën e Mandatit Britanik. Në atë periudhë, Britania favorizoi vendosjen e hebrenjve në Lindjen e Mesme për të përmbushur aspiratën sioniste për krijimin e një atdheu hebre.
Ky proces vazhdoi deri në prag të Rezolutës 181 të OKB-së, në vitin 1947, e cila ndryshoi ekuilibrat demografikë në favor të popullsisë hebraike dhe ndikoi në tensionet që qëndrojnë në themel të konfliktit të sotëm.
Prandaj, largimi aktual i izraelitëve nuk duhet parë si pjesë e një plani politik, por si pasojë e luftës dhe e paqëndrueshmërisë së rëndë rajonale. Gjithnjë e më shumë qytetarë po kërkojnë një të ardhme më të sigurt jashtë vendit.
Sa i madh është interesimi i izraelitëve për t’u vendosur në Itali?
Ka raportime për këtë prirje dhe unë kam qenë vetë dëshmitar i saj. Vitin e kaluar, në kompleksin hotelier Mangia’s, në Santa Reparata të Gallurës, pashë ushtarakë izraelitë që kishin mbërritur për t’u çlodhur pas luftimeve në Gaza.
Këtë vit, është vënë re edhe interesimi i qytetarëve izraelitë për blerjen e pronave të paluajtshme.
Në pamje të parë, kjo mund të konsiderohet një prirje investimi, e ngjashme me atë të komuniteteve të tjera të huaja. Megjithatë, në rastin e izraelitëve nuk mund të anashkalohet faktori politik dhe ushtarak.
Paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme, çështja e pazgjidhur palestineze dhe mundësia e rifillimit të luftës me Iranin, me rrezikun që konflikti të përhapet përtej rajonit, po i shtyjnë shumë izraelitë të kërkojnë zgjidhje jashtë vendit.
Italia nuk është destinacioni i vetëm. Interes ka edhe për Gjermaninë, Qipron, Greqinë dhe vende të tjera të hapësirës euro-mesdhetare.
Në Piemonte po promovohet projekti Baita, në Val Sesia, nga sipërmarrësi italo-izraelit Ugo Luzzati. A mund të jetë ky një model i ri vendbanimi izraelit?
Zgjedhja e këtyre zonave duket se lidhet me interesat e investimit, të nxitura nga paqëndrueshmëria politike në Izrael dhe përplasjet e fundit brenda kampit qeverisës.
Por është domethënës edhe qëndrimi i institucioneve italiane.
Heshtja e tyre mund të interpretohet si miratim i heshtur i këtyre operacioneve, si në planin ekonomik e tregtar, ashtu edhe në atë demografik. Qeveria italiane e konsideron Izraelin një vend aleat.
Pavarësisht dënimit ndërkombëtar të operacioneve ushtarake izraelite kundër palestinezëve, të cilat janë cilësuar nga shumë aktorë si gjenocidale, Roma ruan marrëdhënie të ngushta me Tel Avivin. Bashkëpunimi vazhdon në fushën ushtarake, teknologjike dhe dixhitale.
Një dëshmi për këtë, është marrëveshja dypalëshe e vitit 2023, e nënshkruar gjatë vizitës së Benjamin Netanyahut në Romë. Edhe marrëveshja e vitit 2016 për mbrojtjen dhe materialet e armatimit vazhdon të jetë në fuqi. Këtë vit u pezullua vetëm klauzola e rinovimit automatik, jo vetë bashkëpunimi.
Në Pulia, sipërmarrësja Orit Lev Maron ka krijuar agjencinë Coral 37 për të promovuar një “koloni izraelite”. A mund të bëhet fjalë për enklava të vetëqëndrueshme, me shkolla, dyqane dhe struktura sigurie?
Këtu shtrohet një çështje më e ndërlikuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për emigrim individual, por për mundësinë e krijimit të komuniteteve të organizuara dhe të vetëqëndrueshme. Komunitetet e huaja, shpesh përqendrohen në zona të caktuara, sepse bashkëjetesa me bashkëkombësit u jep një ndjenjë më të madhe sigurie.
Kjo ndodh sidomos kur dallimet kulturore dhe gjuhësore me shoqërinë pritëse e vështirësojnë integrimin. Në rastin e izraelitëve, një faktor është edhe gjuha hebraike, e cila nuk përdoret si gjuhë e përbashkët në vende të tjera.
Vendosja në komunitete homogjene, ndihmon në ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës, si dhe në përcjelljen e tyre te brezat e rinj. Por ekzistojnë edhe arsye fetare. Për zhvillimin e disa lutjeve dhe riteve publike në judaizëm kërkohet prania e të paktën dhjetë personave të rritur.
Kjo mund të nxisë vendosjen pranë bashkëkombësve të tjerë. Së fundi, ka edhe një arsye psikologjike. Jetesa në komunitet, krijon siguri për njerëz që e shohin të ardhmen e tyre me pasiguri dhe që pikërisht për këtë arsye, kanë vendosur të largohen nga vendi i origjinës.
Në Sardenjë janë raportuar raste të qëndrimit të ushtarëve izraelitë të kthyer nga Gaza, në kompleksin Mangia’s, në Santa Teresa di Gallura. A mund të shndërrohet ishulli në një destinacion të rëndësishëm për izraelitët?
Është tronditëse që ushtarë të kthyer nga operacionet në Gaza, të cilat janë cilësuar si gjenocidale, të shkojnë në Sardenjë për pushime apo për t’u çlodhur. Vitin e kaluar e kam parë vetë praninë e izraelitëve në hotelin Mangia’s, në Gallura.
Sardenja mund të bëhet një destinacion i preferuar edhe për një arsye tjetër. Në ishull ndodhen shumë struktura ushtarake, përfshirë poligone të rëndësishme stërvitore dhe eksperimentale. Një prej tyre është Salto di Quirra, poligoni më i madh ushtarak në natyrë në Evropë.
Ai përfshin dhjetëra mijëra hektarë tokë dhe hapësirë detare dhe përdoret nga Forcat e Armatosura italiane, NATO-ja dhe vende të tjera, përfshirë Izraelin. Prania e këtyre strukturave, të cilat janë të hapura edhe për përdorim nga ushtritë e vendeve të tjera, mund të shërbejë si faktor tërheqës për vendosjen e komuniteteve nga shtete me shkallë të lartë militarizimi, si Izraeli, që ka marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi ushtarak me Italinë.
Përtej Qipros, ku po shtohen vendbanimet izraelite, vëmendje ka tërhequr edhe projekti i Jared Kushner për ishullin e Sazanit në Shqipëri. A mund të fshihen pas interesave turistike edhe objektiva ushtarake? Po marrëveshja greko-izraelite “Mburoja e Akilit”, a është një sinjal për Turqinë?
Italia nuk është i vetmi vend që tërheq interesin izraelit. Qiproja, për shkak të pozicionit të saj strategjik dhe afërsisë me Izraelin, ka qenë prej kohësh në vëmendjen e Tel Avivit. Tashmë, edhe Shqipëria po bëhet gjithnjë e më interesante, veçanërisht për shkak të projektit turistik dhe hotelier të Jared Kushnerit.
Sazani mund të duket si një ishull i zakonshëm, i njohur për bukuritë natyrore, por rëndësia e tij strategjike është e njohur prej më shumë se një shekulli. Fillimisht Italia dhe më pas Gjermania, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e kanë vlerësuar për pozicionin e tij të veçantë në kontrollin e hyrjes në Adriatik, deri në Venedik dhe Trieste.
Karakteristikat natyrore të ishullit e bëjnë atë të përshtatshëm edhe për ngritjen e bazave ushtarake, veçanërisht për nevojat logjistike të anijeve luftarake dhe nëndetëseve. Kush kontrollon Sazanin, kontrollon praktikisht të gjithë Adriatikun dhe hyrjen e tij nga Mesdheu.
Kjo rëndësi nuk mund t’u shpëtojë interesave strategjike të Izraelit, sidomos në një kohë kur ai është përfshirë në konflikte në disa fronte dhe ka marrëdhënie të tensionuara me vende të rëndësishme, mbi të gjitha me Turqinë.
Në këtë kontekst duhet parë edhe Marrëveshja e Mekës, e nënshkruar së fundmi nga Turqia, Pakistani dhe Arabia Saudite. Ajo përbën një zhvillim që Tel Avivi e konsideron kundër interesave të veta dhe e shtyn të kërkojë kundërpesha strategjike.
Për këtë arsye, Izraeli po synon të forcojë bashkëpunimin me vende që për shkak të kapaciteteve ushtarake, peshës politike dhe pozicionit gjeografik, mund të ndihmojnë në frenimin e rolit gjithnjë e më të fuqishëm të Turqisë në Lindjen e Mesme dhe në Mesdhe.
Në këtë kuadër, marrëveshja ushtarako-industriale mes Greqisë dhe Izraelit, e quajtur “Mburoja e Akilit”, mund të shihet edhe si një sinjal për Ankaranë./Pamfleti nga “Giornale di Adige”

