Lajme

Nëntë Kalorësit e Apokalipsit

Shkruar nga Ugo Bardi

Në botë ekzistojnë nëntë shtete që zotërojnë armë bërthamore…

Shumë njerëz në SHBA janë të lumtur tani, sepse rezultati i votimit dha një sinjal të qartë pakënaqësie ndaj zotit Trump. Kjo ishte më e pakta që populli amerikan mund të bënte ndaj një personi që ka kryer disa krime lufte, ka shkaktuar drejtpërdrejt vdekjen e një numri të madh civilësh ose ka ndikuar tërthorazi në vdekjen e tyre. Megjithatë, ka pak arsye për t’u gëzuar.

Rreth 65 milionë amerikanë votuan kundër Trumpit, kryesisht sepse ai kishte shkaktuar rritjen e çmimeve të karburantit. Ndërkohë, ai vazhdon të jetë i lirë dhe ka ende mundësinë të vrasë njerëz, madje edhe duke përdorur armë bërthamore, nëse vendos ta bëjë këtë.

Pushteti i presidentit

Problemi është i thellë dhe lidhet me pushtetin e madh që ka presidenti i SHBA-së. Ai është i vetmi që mund të vendosë për përdorimin e armëve bërthamore kundër kujtdo, kudo dhe në çdo kohë. Asnjë dispozitë ligjore nuk ia kufizon këtë kompetencë dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë shpallur kurrë një politikë që përjashton përdorimin e parë të armëve bërthamore. Kongresi nuk ka kompetencë të ndalojë një sulm bërthamor. Pasi autoritetet përkatëse të verifikojnë urdhrin, raketat me bazë tokësore mund të lëshohen nga siloset e tyre në më pak se dhjetë minuta dhe, pas lëshimit, nuk ka asnjë mënyrë për t’i kthyer pas.

Trump e ka kërcënuar Iranin me asgjësim bërthamor më shumë se një herë. Jam i sigurt se do të ketë njerëz që do ta mbështesnin një veprim të tillë, sepse ai do të ulte çmimet e karburantit duke hapur Ngushticën e Hormuzit dhe duke larguar disa dhjetëra milionë njerëz nga tregu. Pra, imagjinoni sikur Trump të vendoste të bombardonte Teheranin për të demonstruar fuqinë e tij. Një kokë bërthamore e hedhur mbi një qytet me dhjetë milionë banorë do të vriste miliona njerëz dhe një veprim i tillë do të ishte i ligjshëm sipas legjislacionit amerikan. E vetmja pengesë e mundshme do të ishte refuzimi i oficerëve ushtarakë për t’iu bindur një urdhri çnjerëzor. Por a do ta bënin ata këtë në orën tre të mëngjesit, kur do të kishin vetëm pak minuta për të marrë një vendim?

Ironia qëndron në faktin se ky sistem u krijua pikërisht për të parandaluar vendime të tilla të pamatura. Më 10 gusht 1945, një ditë pas bombardimit të Nagasakit, Harry Truman urdhëroi që asnjë bombë tjetër atomike të mos përdorej pa autorizimin e tij të shprehur. Më vonë, ai refuzoi t’ia besonte ushtrisë kontrollin e armëve bërthamore, duke deklaruar se nuk dëshironte që «ndonjë nënkolonel i pashëm» të vendoste se kur duhej të përdoreshin ato. Truman kishte frikë nga mundësia që një gjeneral i çmendur të merrte një vendim të tillë dhe u përball me një rast të ngjashëm kur refuzoi kërkesën e gjeneralit Douglas MacArthur për përdorimin e armëve bërthamore kundër ushtrisë kineze që luftonte në Korenë e Veriut. Bota sot do të ishte shumë ndryshe nëse Truman do ta kishte miratuar atë kërkesë. Megjithatë, ai nuk e kishte imagjinuar kurrë se një gjeneral i çmendur mund të ulej në Zyrën Ovale.

Ekzistojnë tashmë projektligje që synojnë ta zgjidhin këtë problem, siç është Akti Markey-Lieu për Kufizimin e Përdorimit të Parë të Armëve Bërthamore, i cili do të kërkonte që Kongresi të shpallte luftë përpara se presidenti të urdhëronte një sulm të parë bërthamor. Kongresi i ri, i kontrolluar nga demokratët, mund ta miratojë këtë ligj. Por Trump ua ka kujtuar tashmë të gjithëve: «Unë kam të drejtë të plotë vetoje». Demokratët nuk kanë votat e nevojshme për ta rrëzuar veton e tij. Kështu, i vetmi mekanizëm që mund ta korrigjojë sistemin varet pikërisht nga njeriu, pushtetin e të cilit synon të kufizojë.

Nëntë kalorësit e apokalipsit

Trump nuk përbën një rast të veçantë. Në botë ekzistojnë nëntë shtete që zotërojnë armë bërthamore: Britania e Madhe, Kina, Franca, India, Izraeli, Koreja e Veriut, Rusia, Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara. Procesi i vendimmarrjes që mund të çojë në një sulm bërthamor mbetet gjithmonë i paqartë dhe, në disa raste, sekret. Nga këto vende, vetëm Kina dhe India kanë miratuar zyrtarisht politikën e mospërdorimit të parat të armëve bërthamore.

India ka ndoshta politikën më të arsyeshme, për aq sa mund të përdoret një përcaktim i tillë. Kryeministri nuk ka autoritet të urdhërojë i vetëm një sulm bërthamor. Këtë kompetencë e ka vetëm Këshilli Politik. Edhe Kina e përfshin vendimin në një procedurë kolektive, megjithëse pushteti mbetet i përqendruar te një person i vetëm. Në Rusi, kontrolli mbi vendimmarrjen bërthamore duket se ndahet mes një numri të vogël njerëzish, por nuk është e qartë nëse presidenti mund të autorizojë i vetëm një sulm. Në Shtetet e Bashkuara, kjo çështje mund të diskutohet publikisht, por vendimi përfundimtar i takon vetëm një personi.

Franca e konsideron këtë përqendrim të pushtetit një çështje krenarie kombëtare. Sipas doktrinës gaulliste, parandalimi bërthamor është i besueshëm vetëm nëse vendimin e merr një person i vetëm. E njëjta gjë vlen edhe për Korenë e Veriut. Britania e Madhe mbështetet te letra të shkruara me dorë, të cilat ruhen në kasafortat e nëndetëseve bërthamore dhe shkatërrohen pa u hapur kur një kryeministër i ri merr detyrën. Izraeli nuk e pranon zyrtarisht se zotëron armë bërthamore, prandaj rregullat e vendimmarrjes mbeten të panjohura dhe nuk mund të diskutohen publikisht. Në Pakistan, Amendamenti i 27-të, i miratuar në nëntor 2025, krijoi postin e Komandantit të Komandës Strategjike Kombëtare, i cili mund të marrë i vetëm vendime dhe gëzon imunitet ligjor të përjetshëm.

Si kemi arritur të mbijetojmë deri tani?

Për mrekulli, gjatë 80 viteve që kanë kaluar nga shkatërrimi i Hiroshimës dhe Nagasakit, nuk ka shpërthyer asnjë luftë bërthamore. Një nga arsyet që i mban disa prej këtyre «kalorësve» relativisht të përmbajtur është dallimi në fuqinë e tyre ushtarake. Udhëheqësit e shteteve më të vogla e kuptojnë se, nëse do të nisnin një luftë bërthamore, njëra prej superfuqive mund t’i shkatërronte shumë shpejt.

Megjithatë, problemi i vërtetë qëndron te vetë sistemi. Mundësia që një udhëheqës të jetë aq i çmendur sa të nisë një luftë bërthamore nuk është zero. Gjithashtu, ekziston gjithmonë rreziku që një gabim ose një aksident të shkaktojë një konflikt të tillë. Zhvillimet po shkojnë në drejtimin e gabuar. Sistemi i lëshimit të raketave sapo merret një paralajmërim për sulm, i projektuar për t’i lëshuar ato përpara se kokat bërthamore të armikut të arrijnë objektivat, po përhapet gjithnjë e më shumë.

Ndërkohë, po merr formë edhe një ide tjetër e rrezikshme. Lufta bërthamore po trajtohet gjithnjë e më shumë si një koncept abstrakt, si një «opsion taktik» në planifikimin ushtarak. Shoqëritë priren t’i harrojnë mësimet e katastrofave brenda kohëzgjatjes së një jete njerëzore.

Le të supozojmë se rreziku i shpërthimit të një lufte bërthamore është 1% në vit. Gjatë një periudhe 70-vjeçare, kjo do të nënkuptonte një probabilitet prej rreth 50%, pothuajse sa mundësia e njërës prej dy anëve kur hedhim një monedhë. Kjo është logjika e Efektit Seneca: për një kohë të gjatë nuk ndodh asgjë, por më pas shembja vjen papritur.

Demokracia si zgjidhje?

Ne kemi krijuar një sistem demokratik në të cilin votuesit marrin atë për të cilën kanë votuar dhe nuk mund ta ndryshojnë lehtësisht vendimin. Nuk ekziston një mundësi kthimi, siç ndodh kur blen një produkt në dyqan. Nuk mund ta anulosh votën që i ke dhënë një presidenti përpara përfundimit të mandatit të tij.

Largimi i Trumpit nga detyra përpara përfundimit të mandatit është aq i vështirë, sa duket pothuajse i pamundur. Për këtë nevojitet fillimisht ngritja e akuzave nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe më pas një vendim fajësie me dy të tretat e votave në Senat, pra 67 vota. Pavarësisht fitores së demokratëve, ata nuk i kanë votat e nevojshme.

Zbatimi i Amendamentit të 25-të është edhe më i vështirë. Ai kërkon përfshirjen e zëvendëspresidentit dhe të shumicës së anëtarëve të kabinetit. Nëse presidenti e kundërshton vendimin, nevojitet mbështetja e dy të tretave të anëtarëve të të dyja dhomave të Kongresit. Në këto rrethana, demokracia mbetet praktikisht e pafuqishme përballë një presidenti që refuzon të largohet nga detyra.

Ky është një fenomen i njohur: demokracitë kanë prirjen të shndërrohen gradualisht, ose ndoshta të kthehen pas, në diktatura. Historia ka njohur shumë raste të tilla. Mjafton të kujtojmë disa nga diktatorët më të ashpër të historisë moderne, si Musolini, Hitleri dhe të tjerë. Ata erdhën në pushtet përmes zgjedhjeve që shumica e historianëve i konsiderojnë të drejta. Problemi ishte se, pasi morën pushtetin, ndërmorën veprime që ua bënë kundërshtarëve të pamundur largimin e tyre nga drejtimi i shtetit.

Udhëheqësit e moshuar dhe të pakënaqur, të cilët mund të vuajnë edhe nga demenca senile, përbëjnë një nga rreziqet më të mëdha në botë. Ata kanë prirjen të marrin vendime të pamatura, të cilat mund të shkaktojnë katastrofa të mëdha.

Historia ofron shumë shembuj. Mendoni për Napoleonin, i cili urdhëroi pushtimin e Rusisë në vitin 1812. Mendoni edhe për Musolinin, i cili gjatë fushatës ushtarake kundër Greqisë, të nisur në vitin 1940, urdhëroi Forcat Ajrore Italiane të «shkatërronin të gjitha qytetet greke me më shumë se 10 mijë banorë». Imagjinoni sikur këta udhëheqës të kishin pasur armë bërthamore. Ose, më mirë, mos u përpiqni as ta imagjinoni një gjë të tillë.

Po tani? Më 3 nëntor, votuesit amerikanë i dërguan presidentit të tyre një sinjal të qartë pakënaqësie. Kjo tregon se mekanizmi i reagimit të qytetarëve, i cili duhet të jetë një nga tiparet themelore të demokracisë, funksionoi, por ngadalë, pjesërisht dhe pa efektivitetin e nevojshëm. A mund të ndikojë ky reagim në frenimin e sjelljes së pamatur të Trumpit? Mund të shpresojmë se po. Megjithatë, nëntë kalorësit e apokalipsit vazhdojnë të galopojnë.

Dhe këtu nuk po flasim për katastrofa që mund të jenë edhe më të rënda se një luftë bërthamore, siç është shembja e ekosistemit, një çështje që u shpërfill plotësisht gjatë këtyre zgjedhjeve.

3sgIgLJ.png