Përkundër paralajmërimeve se Tetova brenda gjashtë muajve do të ketë plan të përgjithshëm urbanistik, i njëjti, nuk do të realizohet as këtë vit. Shkak për këtë sipas kryetarit Kasami, janë punët për zgjerimin e kufijve të qytetit, të cilat kërkojnë një angazhim më të madh, sidomos rreth projekteve urbanistike jashtë zonave të ndërtimit të cilat duhet të identifikohen dhe të bëhen kushtet e planifikimit.
“Gjitha projektet urbanistike që janë jashtë kufijtë aktual është dashur një për një ti identifikojmë dhe të sigurojmë kushtet e planifikimit. Jemi në komunikim me Agjencinë e planifikimit por derisa nuk e kalojmë këtë fazë ti marrim kushtet e planifikimit nuk shkojmë dot në fazën tjetër. Por jemi në komunikim me kompaninë që bën përgatitjen e planit dhe paralel punohen edhe studime të tjera, sepse pjesë e planit gjeneral janë diku mbi 20 studime që duhet përgatitur, por jemi në komunikim të rregullt me operatorin dhe punojmë në drejtim të asaj që kohën e humbur ta kompensojmë me studime tjera, por afatet tona janë diçka planin diçka tjetër dhe ka situata kur ballafaqohemi me probleme administrative, sepse plani nënkupton përfshirjen e gjitha institucioneve në shtet, pra nuk realizohet në 2026.” Deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Plan detal urbanistik edhe përkundër pritjes prej disa viteve, nuk ka as për Kodrën e Diellit. Vonesat fillimisht ishin tek Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e cila sipas Kasamit, bënte pengesa dhe nuk e nënshkruante ndërsa tani pengesat vazhdojnë nga Ministria e Transportit, nga ku ende përgjigje pozitive nuk ka.
“Plani është kompletuar është dërguar në ministri dhe jemi në koordinim me Ministrinë dhe presim që deri të premten të marrim edhe pëlqimin e Ministrisë” – Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.
Plani i përgjithshëm urbanistik në vete ngërthen 128 plane detale, ku 68 prej tyre janë aktivë, 60 prej tyre nuk kanë plane detale. Ndryshe, në mungesë të planit gjeneral urbanistik, nënkupton që Tetova, edhe këtë vit do e kaloj në kaos urbanistik. Plani i fundit gjeneral urbanistik për qytetin është bërë në vitin 2013./Alsat.mk

