Lajme

A i ndihmuan partitë arabe Katari dhe Turqia në zgjedhjet izraelite?

Shkruar nga Françeska Salvatore

Partia Likud e Benjamin Netanyahu dyshon se Katari dhe Turqia kanë financuar mobilizimin e votuesve arabë në zgjedhjet izraelite. Kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor i kërkoi Shin Bet-it të hetojë dyshimet për ndërhyrje të huaja, por policia deklaroi se deri tani nuk ka prova që i mbështesin akuzat. Çështja ka hapur një tjetër front përplasjesh politike, ndërsa partitë arabe kanë siguruar një rezultat të rëndësishëm elektoral…

Më pak se 48 orë pas mbylljes së kutive të votimit në Izrael, ngërçi politik është shoqëruar me dyshime për ndërhyrje të huaja në procesin zgjedhor. Likud pretendon se burimi i fondeve që dyshohet se u janë dhënë grupeve arabe për të mobilizuar votuesit mund të jenë Katari dhe Turqia.

Këto akuza kanë nxitur reagimin e kryetarit të Komisionit Qendror Zgjedhor, gjyqtarit Noam Sohlberg, i cili i është drejtuar kreut të shërbimit të sigurisë së brendshme, Shin Bet, David Zini.

Sohlberg i kërkoi Zinit të nisë një hetim mbi dyshimet për financime të huaja dhe korrupsion zgjedhor nga subjekte të jashtme. Në letrën drejtuar kreut të Shin Bet-it, ai shkroi se kishte marrë informacione për një ndikim të dyshuar të paligjshëm në zgjedhje, përmes financimeve nga aktorë të huaj që, sipas pretendimeve, veprojnë kundër interesave të Izraelit.

Megjithatë, Sohlberg pranoi se nuk mund të konfirmonte vërtetësinë e dyshimeve. Ai argumentoi se, për shkak të përfshirjes së mundshme të subjekteve të huaja, çështja duhej hetuar plotësisht, duke kërkuar që rezultatet e hetimit të paraqiteshin brenda një jave.

Qëndrimi i policisë ka qenë më i rezervuar. Ajo ka deklaruar se nuk ekzistojnë prova që mbështesin akuzat për manipulim të zgjedhjeve. Edhe më herët, një zyrtar i Komisionit Qendror Zgjedhor kishte hedhur poshtë pretendimet për manipulim. Ndërkohë, të martën, Zini kishte vlerësuar se dita e zgjedhjeve ishte zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe se procesi ishte monitoruar siç duhej. Gjithsesi, Likud i ka ashpërsuar akuzat.

Në një deklaratë të publikuar një ditë më parë, partia pretendoi se zgjedhjet ishin vjedhur nga partitë arabe, të cilat i akuzoi për mbështetje të terrorizmit dhe për synimin e eliminimit të shtetit hebraik.

Sipas Likud-it, manipulimi i rezultatit ishte kryer përmes veprave të rënda penale, përfshirë korrupsionin, kërcënimet, dhunën, falsifikimin dhe përdorimin e programeve të paligjshme për mobilizimin e votuesve.

Në qendër të polemikave janë partitë arabe Ra’am dhe Lista e Përbashkët, të cilat marrin pjesë rregullisht në zgjedhjet izraelite dhe kanë përfaqësues në Knesset, parlamentin e vendit.

Së bashku, ato siguruan 19 vende, ndërsa komuniteti arab shënoi një pjesëmarrje të paprecedentë në votime. Pikërisht ky mobilizim i lartë, u bë objekt dyshimesh për ndërhyrje të mundshme, pa u paraqitur deri tani prova publike që të vërtetojnë pretendimet.

Debati për zgjedhjet u intensifikua në një moment kur drejtuesi i Listës së Përbashkët, Yousef Jabareen, deklaroi për agjencitë ndërkombëtare të lajmeve se partia e tij ishte e gatshme të bashkëpunonte me një qeveri të drejtuar nga opozita, por jo të bëhej drejtpërdrejt pjesë e koalicionit qeverisës.

Jabareen argumentoi se në rrethanat aktuale politike, nuk ekzistojnë kushtet për t’u bashkuar me një koalicion qeveritar izraelit, veçanërisht për shkak të luftës në Gaza, zgjerimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe çështjeve të tjera të pazgjidhura.

Ndërkohë, blloku kundër Netanyahut, i drejtuar nga Gadi Eisenkot, paralajmëroi kundër përdorimit politik të akuzave për ndërhyrje të huaja. Eisenkot kërkoi që Izraeli të mbrojë integritetin e zgjedhjeve nga çdo përpjekje për ndërhyrje, manipulim apo dezinformim dhe që çdo ankesë të hetohet plotësisht.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se politikanët nuk duhet të shfrytëzojnë situatën për të ndikuar në datën e betimit të anëtarëve të Knessetit të 26-të. Për momentin, pretendimet për përfshirjen e Katarit dhe Turqisë mbeten të pakonfirmuara.

Hetimi i kërkuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor, pritet të përcaktojë nëse ekzistojnë prova konkrete për financime të paligjshme apo nëse akuzat janë pjesë e përplasjes politike pas zgjedhjeve.

3sgIgLJ.png