Lajme

Pacolli dhe Ademi i nxjerrin të palarat njëri-tjetrit, a fshihen kazakët pas Aeroportit të Vlorës?

Pas vendimit të QKB-së që anuloi regjistrimin e transferimit të kuotave nga MABCO te 2A Group, Valon Ademi akuzon Behgjet Pacollin dhe përmend miliarderin kazak Timur Kulibajev si një nga emrat që synon kontrollin e aeroportit.

Lufta për Aeroportin e Vlorës po ashpërsohet dita-ditës, ndërsa Valon Ademi dhe Behgjet Pacolli kanë nisur të nxjerrin të palarat e njëri-tjetrit në publik.

Pas betejës për aksionet dhe vendimeve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, përplasja ka marrë një tjetër drejtim, me akuza për mashtrime, interesa të fshehta dhe përfshirjen e emrave të fuqishëm ndërkombëtarë në projektin e aeroportit.

Këtë herë është Valon Ademi ai që ka hedhur një akuzë të fortë, duke futur në lojë emrin e miliarderit kazak Timur Kulibajev, dhëndrit të ish-presidentit të Kazakistanit, Nursulltan Nazarbajev.

“Aeroporti i Vlorës nuk do të bëhet kurrë pronë e Compartment Berninas e as e Timur Kulibajev-it, dhe për këtë do të qëndrojmë me të gjitha mjetet ligjore dhe jo vetëm”, deklaron ai.

Timur Kulibajev është një nga oligarkët më të pasur dhe më me ndikim në Kazakistan, me interesa në sektorët e naftës, gazit, bankave dhe investimeve. Ai është dhëndri i ish-presidentit Nursultan Nazarbajev dhe ka mbajtur poste drejtuese në kompanitë më të rëndësishme shtetërore të energjisë. Kulibajev njihet edhe për lidhjet e ngushta me ish-kryeministrin kazak Karim Masimov, një nga figurat kryesore të pushtetit të Nazarbajevit. Pasuria dhe aktivitetet e tij financiare janë bërë objekt i investigimeve të mediave ndërkombëtare.

Zhvillimi i fundit lidhet me vendimin e QKB-së për të ndryshuar regjistrimin e kuotave të shoqërisë, vendim që është interpretuar si një goditje për pozitat e Ademit dhe një fitore për Pacollin.

Qendra Kombëtare e Biznesit ka anuluar vendimin për regjistrimin e shitjes së 47 për qind të aksioneve në Aeroportin e Vlorës nga kompania Mabco e Behgjet Pacollit tek 2A Group e Valon Ademit. Vendimi i pazakontë shfuqizon regjistrimin e shitjes që vetë QKB kishte bërë një javë më parë, pas kërkesës së administratorit të shoqërisë konçesionare VIA.

Por Ademi e kundërshton këtë zhvillim. Ai këmbëngul se kompania e tij vijon të zotërojë 49% të kuotave të aeroportit, pavarësisht ndryshimeve të pasqyruara në regjistrin tregtar.

“Për mediat që po raportojnë se ‘QKB anulon transferimin e kuotave’ dhe ‘i kthen Behgjet Pacollit 98% të pronësisë’, na duhet të sqarojmë se QKB ka ndryshuar ekstraktin. Nuk ka anuluar kontratën e shitblerjes së kuotave. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Ndryshimi i të dhënave në regjistër nuk ia rikthen shitësit kuotat që ka shitur, pavarësisht se si paraqitet kjo në titujt e lajmeve”, shkruan ai.

Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Ademit, duke e akuzuar atë dhe Valon Llukën për një përpjekje të vazhdueshme për të shtrembëruar të vërtetën, për të cenuar pronën dhe për të penguar përfundimin e aeroportit.

“Prej më shumë se një viti, ne përballemi me mashtrimet, gënjeshtrat, kërcënimet dhe shpifjet e Valon Ademit. Ai brutalishtë u ndihmua dhe nga arkitekti i mashtrimeve dhe hajnive Valon Lluka.

Në të gjithë përvojën time, nuk kam parë një përpjekje kaq të vazhdueshme për të shtrembëruar të vërtetën, për të cenuar pronën dhe për të penguar një projekt me rëndësi për një vend të tërë”, shprehet ai.

Pacolli pretendon se Ademi dhe Lluka kanë tentuar në prill 2025 transferimin e kuotave të MABCO-s përmes veprimeve që ai i cilëson mashtruese dhe të kundërligjshme. Sipas tij, vendimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë kanë mbështetur kundërshtimet e kompanisë së tij.

Ai e konsideron edhe korrigjimin e fundit të regjistrimit në QKB si një zhvillim që nxjerr në pah veprimet e paligjshme që ia atribuon Ademit.

“Tani se fundemi në këto pretendime përfshihet edhe emri i Timur Kulibajit. Sa primitive dhe e ulët është kjo. Po mungon të përmenden edhe emra tjere, si Grenelli, apo? … madje edhe Pinko Palino i radhes!! Këto ‘akuzat e reja’ te Valon Ademit nuk i japin përgjigje pyetjes themelore: …mbi çfarë baze ligjore është tentuar transferimi dhe regjistrimi i kuotave të MABCO-s, në QKB? Valon Ademi gabon nëse mendon se me akuza dhe kërcnime të reja dhe me përfshirjen e emrave të tjerë mund ta largojë vëmendjen nga kjo çështje”, shprehet ai.

Ndërkohë që Ademi dhe Pacolli vijojnë luftën për aksionet, me akuza për mashtrim, interesa të fshehta dhe përplasje në dyert e drejtësisë, Aeroporti i Vlorës mbetet peng i konfliktit mes tyre. Një projekt i premtuar si investim strategjik për turizmin dhe ekonominë shqiptare është kthyer në arenë betejash për pronësinë, ndërsa qytetarët ende presin që aeroporti të vihet në funksion.

3sgIgLJ.png