Shkruar nga Catherine De Vries
Europa po përjeton një vjeshtë të pazakontë pakënaqësie. Nga Parisi në Milano e deri në Madrid, protestuesit i bashkon ankthi në rritje për të ardhmen dhe zemërimi për hendekun gjithnjë e më të madh mes pritshmërive të qytetarëve ndaj qeverive dhe asaj që këto të fundit po arrijnë të ofrojnë. Qoftë për shkak të kostos së papërballueshme të banesave, pagave të ndenjura, rritjes së pandalshme të çmimeve apo krizës në sistemin arsimor, pakënaqësia po bëhet gjithnjë e më e dukshme.
Pasojat elektorale të paaftësisë për t’iu përgjigjur këtij zemërimi janë tashmë të pranishme. Spanja pritet të votojë muajin e ardhshëm, pas zgjedhjeve të parakohshme të shpallura kur parlamenti rrëzoi reformat kryesore për strehimin. Në Francë, në prill nis procesi zgjedhor për presidentin e ri, ndërsa Polonia, Italia dhe një sërë shtetesh më të vogla do të mbajnë zgjedhje deri në fund të vitit 2027. Rëndësia e këtyre zhvillimeve politike nuk ka qenë kurrë më e madhe.
Në të njëjtën kohë, udhëheqësit europianë po përballen me presione gjithnjë e më të forta nga jashtë. Lufta në Ukrainë, pasiguria rreth garancive amerikane të sigurisë dhe konkurrenca ekonomike me Kinën kërkojnë më shumë bashkëpunim europian. Por politika e brendshme, e karakterizuar nga përçarjet dhe presioni elektoral, po e vështirëson gjithnjë e më shumë këtë proces.
Qeveritë duhet t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve për siguri dhe mirëqenie, pikërisht në një kohë kur mundësitë e tyre për t’i garantuar këto objektiva në mënyrë të pavarur po zvogëlohen. Kështu, Europa përballet me një dilemë të vështirë: si mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për të vepruar së bashku në arenën ndërkombëtare vende, udhëheqësit e të cilave po hasin gjithnjë e më shumë vështirësi brenda kufijve të tyre?
Pse Europa ka nevojë për Bashkimin Europian
Nëse Bashkimi Europian nuk do të ekzistonte, europianët do të kishin të gjitha arsyet për ta krijuar atë. Së bashku, vendet anëtare përfaqësojnë një treg prej 450 milionë banorësh dhe një ekonomi me vlerë afro 19 trilionë euro, e treta më e madhe në botë pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Asnjë vend europian, i marrë veçmas, nuk i afrohet kësaj peshe ekonomike dhe politike. Gjermania, ekonomia më e madhe e BE-së, ka 84 milionë banorë dhe një ekonomi sa rreth një e gjashta e asaj amerikane. Njëzet nga 27 vendet anëtare kanë më pak se 12 milionë banorë, më pak se gjysma e popullsisë së Shangait.
Në një botë ku tarifat tregtare dhe kufizimet ndaj eksporteve po përdoren gjithnjë e më shumë si instrumente të fuqisë politike, madhësia ekonomike dhe aftësia për të vepruar së bashku janë ato që i japin Europës një vend në tryezën ku merren vendimet globale.
Megjithatë, kjo logjikë nuk e bën të pashmangshme mbijetesën e Bashkimit Europian. Projekti europian është shpallur shumë herë në prag të kolapsit, ndërsa krizat e fundit të mëdha, nga Brexit-i te pandemia dhe goditjet energjetike, kanë vënë në provë qëndrueshmërinë e tij. Pavarësisht gjithçkaje, BE-ja ka treguar një aftësi të jashtëzakonshme për të mbijetuar, duke gjetur zgjidhje të improvizuara që më parë dukeshin të pamundura.
Dobësitë që e bëjnë BE-në të qëndrueshme
Paradoksalisht, pikërisht ato karakteristika që zemërojnë euroskeptikët, vendimmarrja e ngadaltë, negociatat e pafundme dhe kompromiset e ndërlikuara, janë ndër burimet e forcës së Europës.
Shpërndarja e pushtetit mes qeverive, parlamenteve, gjykatave dhe institucioneve të BE-së e bën sistemin të vështirë për t’u kontrolluar nga një aktor i vetëm. Ndërsa kompromiset e arritura, sado të vështira, priren të jenë më të qëndrueshme.
Forca e Bashkimit Europian qëndron te aftësia për t’u përshtatur, pavarësisht mosmarrëveshjeve, dhe për t’i ndihmuar vendet anëtare të arrijnë atë që njihet si “sovranitet efektiv”.
Sovraniteti formal është e drejta për të vendosur i vetëm, edhe kur vendimmarrja e pavarur nuk sjell rezultate të prekshme. Përvoja e Mbretërisë së Bashkuar pas Brexit-it është një shembull domethënës: largimi nga BE-ja u paraqit si mënyrë për të rimarrë sovranitetin, por kjo nuk e rriti domosdoshmërisht aftësinë e vendit për të ndikuar në zhvillimet që përcaktojnë të ardhmen e tij.
Sovraniteti efektiv, përkundrazi, nënkupton aftësinë për të ndikuar në vendimet për energjinë, tregtinë, migracionin dhe mbrojtjen — fusha ku asnjë shtet europian nuk mund të përcaktojë i vetëm rezultatet.
Edhe vetë BE-ja ka ndryshuar. Vendet anëtare mbeten bërthama e projektit, por shtete jashtë unionit, si Norvegjia dhe Zvicra, bashkëpunojnë me vendet europiane në çështje të mbrojtjes, sigurisë, energjisë dhe ekonomisë. Brukseli ka gjithashtu interes që Britania të afrohet sërish me strukturat europiane, edhe nëse kjo nuk do të thotë rikthim te marrëdhëniet që ekzistonin përpara Brexit-it.
Buxheti europian dhe beteja për kompromis
Megjithatë, qëndrueshmëria e BE-së nuk duhet marrë si e mirëqenë. Negociatat për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar, me vlerë afro 2 trilionë euro, tregojnë se sa e vështirë është arritja e konsensusit.
Të gjithë bien dakord se Europa ka nevojë për më shumë siguri dhe konkurrueshmëri ekonomike. Por kur vjen puna te financimi, vendet anëtare nuk arrijnë të bien dakord se kush duhet të paguajë faturën.
Franca, për shembull, kërkon vendosjen e taksave të reja në nivel europian, një ide që ndesh kundërshtimin e disa vendeve të tjera.
Pavarësisht paqëndrueshmërisë politike në kryeqytetet europiane, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Brukseli do të paralizohet. Përkundrazi, presioni i brendshëm mund të shërbejë si nxitje për të vepruar.
Me zgjedhjet presidenciale në Francë që po afrohen, Emmanuel Macron u ka kërkuar udhëheqësve të tjerë europianë të arrijnë një marrëveshje për buxhetin deri në Krishtlindje. Ai ka paralajmëruar se hapësira politike për manovrim do të ngushtohet në vitin e ri, nëse Marine Le Pen arrin ta pasojë në presidencë.
Le Pen nuk kërkon më largimin e Francës nga euroja apo një referendum për dalje nga BE-ja, sipas modelit britanik. Megjithatë, programi i saj politik mund ta dobësojë unionin nga brenda. Propozimi për një “Europë të Kombeve” dhe planet për të shkurtuar kontributin francez në buxhetin europian përbëjnë një sfidë të drejtpërdrejtë për funksionimin e tij.
Zemërimi i qytetarëve nuk mund të shuhet me marrëveshje politike
Pavarësisht nëse ndryshimi politik vjen përmes zgjedhjeve, protestave apo kompromiseve të reja në Bruksel, pakënaqësia e qytetarëve nuk mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave politike.
Këtu rikthehemi te rrugët e qyteteve europiane. Qytetarët në Francë, Itali dhe Spanjë kërkojnë shërbime publike që funksionojnë, banesa të përballueshme, siguri ekonomike e kombëtare dhe ndjesinë se kanë ende kontroll mbi të ardhmen e tyre.
Të rinjtë europianë, në veçanti, përballen me pasiguri në rritje për perspektivën ekonomike. Gjetja e një banese me çmim të përballueshëm dhe sigurimi i një pune të qëndrueshme janë kthyer në sfida gjithnjë e më të mëdha.
Deri tani, ky pesimizëm nuk është shndërruar në një refuzim të gjerë të Bashkimit Europian. Sondazhet e fundit, sipas artikullit, tregojnë se të rinjtë mbeten ndër mbështetësit më të fortë të projektit europian: 90% e tyre favorizojnë një bashkim më të madh mes vendeve anëtare, ndërsa 78% duan që BE-ja të ketë më shumë burime për të vepruar.
Kjo përbën një mundësi të rëndësishme për Europën, por edhe një përgjegjësi. Mbështetja e të rinjve duhet të shndërrohet në përmirësime konkrete të jetës së tyre të përditshme.
Ky është testi i vërtetë për vitet që vijnë.
Vendimet për mbrojtjen, politikën industriale dhe mbrojtjen sociale do të kërkojnë kompromise të vështira dhe nuk do t’u sjellin përfitime të barabarta të gjithë qytetarëve. Por nëse bashkëpunimi europian bëhet më i aftë të ruajë institucionet sesa t’u përgjigjet shqetësimeve të njerëzve, zemërimi që sot po derdhet në rrugë mund të kthehet gjithnjë e më shumë kundër vetë Bashkimit Europian.
BE-ja ka dëshmuar vazhdimisht se mund t’u mbijetojë krizave politike. Tani sfida është të provojë se qytetarët që i përjetojnë këto kriza mund të bëjnë më shumë sesa thjesht të përpiqen t’ia dalin mbanë.
Sepse e ardhmja e projektit europian nuk do të varet vetëm nga aftësia e tij për të mbijetuar politikisht, por edhe nga aftësia për t’u ofruar njerëzve një jetë më të sigurt, më të përballueshme dhe me më shumë perspektivë./ Përshtatur nga The Guardian

