Lajme

Revolta e të rinjve: Si një brez i tërë ka rënë viktimë e një sistemi të pamëshirshëm!

Shkruar nga Domenico Valter Rizzo

Pakënaqësia ka arritur pikën e vlimit, dhe jo vetëm mes të rinjve. Në jug të Italisë, kamionistët kanë bllokuar gjithçka dhe, nëse nuk marrin garanci konkrete, protesta mund të zgjasë e të paralizojë vendin…

Makinat e djegura dhe vitrinat e thyera nuk i pëlqejnë pothuajse askujt. Them “pothuajse”, sepse një pjesë e politikës dhe e mediave i shfrytëzon pikërisht këto pamje për të ndërtuar një narrativë që fsheh arsyet e revoltës që po trondit Italinë dhe Evropën.

Grupet e vogla që përfshihen në grabitje dhe shkatërrime, zënë gjithë hapësirën në kronikat mediatike dhe debatin politik, duke lënë në hije pakënaqësinë e gjerë sociale që i ka nxjerrë njerëzit në rrugë.

Kështu, atyre që kanë ndihmuar në këtë gjendje, u jepet mundësia të flasin me zell për rendin dhe ligjin, sikur të mos kishin asnjë përgjegjësi për shkatërrimin, këtë herë të përmasave masive, që politikat liberiste u kanë shkaktuar shoqërive evropiane prej dekadash.

Një model i mbështetur edhe nga e majta e frymëzuar prej Tony Blair dhe nga ata që sot vetëquhen “reformistë”. Megjithatë, përtej një të vërtete që është kaq e dukshme, sa rrezikon të tingëllojë banale, ka edhe të tjera gjëra për t’u thënë.

Pak ditë më parë, në një artikull për revoltën rinore, kur protestat ishin ende të kufizuara në Francë, shtroja pyetjen nëse ky fenomen do të përhapej edhe në vende të tjera. Nuk kishte siguri se kjo do të ndodhte, për një sërë arsyesh.

Por ndodhi. Revolta mbërriti në Itali, Shqipëria po zien, në Spanjë protestat vijojnë njëra pas tjetrës, ndërsa demonstrata ka edhe në Belgjikë e Portugali. Edhe në Gjermani, politikat qeveritare po përballen me kundërshtimin e lëvizjeve rinore.

Janë qindra mijëra të rinj që nuk po dalin në rrugë për të imituar njëri-tjetrin. Ata i bashkon një gjendje e përbashkët pakënaqësie, e cila nuk lidhet vetëm me të tashmen, por mbi të gjitha, me frikën se nuk do të kenë një të ardhme.

Në këtë lëvizje të gjerë kolektive, e cila po merr gjithnjë e më qartë tiparet e një kundërshtimi radikal ndaj modelit të kapitalizmit liberist, ishte e pritshme prania e dhunës. Kjo s’do të thotë se duhet justifikuar, por as se mund të kuptohet duke e shkëputur nga rrethanat që e kanë prodhuar.

Asnjë revoltë nuk është një “darkë gala”. Përgjegjësinë kryesore për këtë shpërthim dhune, duhet ta kërkojmë te shurdhëria kokëfortë dhe shpesh brutale e qeverive ndaj kërkesave që njerëzit çojnë në sheshe.

Kjo dhunë institucionale vazhdon prej vitesh, duke i shtyrë të rinjtë dhe shtresat shoqërore që përballen me shfrytëzim të pamëshirshëm të braktisin apatinë dhe dorëzimin, për të kaluar drejt revoltës. Ata që përpiqen të gjejnë rrugën e dialogut, ndeshen me një mur arrogancë, paditurie dhe gënjeshtrash.

“Prej shumë vitesh, përvoja që popujt evropianë kanë me klasat e tyre drejtuese është ajo e një organizmi anonim teknokratik, një muri të lëvizshëm prej gome, që ecën me ‘autopilot’, krejtësisht indiferent ndaj nevojave të qytetarëve”, shkruan profesori Andrea Zhok.

Është e qartë se askush nuk mund të duartrokasë shkatërrimet. Por kërkesa e kryeministres Giorgia Meloni që të gjithë të distancohen dhe të dënojnë dhunën, është si zakonisht një reagim i parashikueshëm dhe politikisht i leverdishëm.

Ajo e zhvendos vëmendjen nga shkaqet e revoltës te pasojat e saj. Ajo që pamë në Milano dhe Bolonjë nuk erdhi nga hiçi. Meloni, ministri i Arsimit Giuseppe Valditara dhe ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi nuk kanë asnjë arsye të shtiren si të habitur.

As ata dhe as mediat pranë tyre, nuk mund t’ia kalojnë opozitës përgjegjësinë për zemërimin që ka shpërthyer. Shpërthimi i sotëm i dhunës, është përgjegjësi e atyre që prej vitesh kanë grumbulluar lëndën plasëse.

Ai është pasojë e politikave cinike që kanë vënë disiplinën buxhetore mbi nevojat e njerëzve. Fitilin e kanë ndezur vendimet e atyre, që në Itali dhe në vende të tjera, kanë drejtuar shuma kolosale drejt armatimeve, duke lënë pas dore shëndetësinë, arsimin, universitetet dhe sistemin e mbrojtjes sociale.

Katërmbëdhjetë miliardë euro nga taksat e italianëve, të hedhura në vorbullën e riarmatimit, po minojnë marrëveshjen e pashkruar mes shtetit dhe qytetarëve. Është e vështirë të bindësh njerëzit se Italia përballet me rrezikun e një pushtimi rus, ndërkohë që u kërkohet të paguajnë një faturë të tillë.

Për këdo që nuk e ka trurin të mbushur me editorialet e “La Repubblica”-s dhe me pretendimet e pabazuara të edicioneve informative televizive, kjo shumë nuk është thjesht një shifër në buxhet. Ajo shihet si një provokim, sidomos kur shërbimet publike janë në krizë dhe familjet mezi përballojnë jetesën.

Por paratë për armët nuk janë problemi i vetëm. Burimet publike po devijohen gjithnjë e më shumë drejt interesave të grupeve private. Fondet e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (PNRR), të destinuara për ndërtimin e konvikteve studentore, kanë financuar vërtet struktura të reja.

Por këto u janë besuar më pas fondeve private, dhe janë hedhur në treg me çmime të papërballueshme: mbi 1.000 euro në muaj për një dhomë. E njëjta logjikë është ndjekur edhe me strukturat e ndërtuara për Lojërat Olimpike.

Investimet bëhen me para publike, ndërsa përfitimet përfundojnë në duart e privatëve. Çfarë mesazhi duhet të marrin të rinjtë nga zgjedhje të tilla? Sot universiteti po bëhet sërish një privilegj për ata që kanë mundësi ekonomike. Për të studiuar nuk mjafton më dëshira, talenti apo puna: duhen para.

Giovanni Donzelli, habitet kur sheh studentët që kanë ngritur çadra përpara parlamentit dhe u thotë të presin, të rriten e pastaj të kuptojnë se si funksionon bota. Por a ka vërtet një ndryshim kaq të madh mes një deklarate të tillë dhe dhunës së ushtruar kur thyhet një vitrinë?

Duhet të biem njëherë e mirë dakord se çfarë quajmë dhunë. Sepse kemi përballë një model shoqëror që prodhon dhe ushtron dhunë çdo ditë. Jo vetëm përmes goditjeve me shkopinj gome në sheshe, por edhe përmes një sistemi që i ka zhytur gjashtë milionë italianë në varfëri.

Edhe koncepti i varfërisë duhet parë më gjerë. Të jesh i varfër sot, s’do të thotë domosdoshmërisht të mos kesh asgjë për të ngrënë, si në format më ekstreme të mjerimit të shekujve të kaluar, të cilat fatkeqësisht ekzistojnë ende.

Privimi që e bën jetën të padurueshme nis shumë më herët, përpara se njeriu të arrijë në atë pikë. Të jesh i varfër, do të thotë të mos kesh mundësi të bësh një jetë që shoqëria e konsideron normale. Të mos përballosh as shpenzimet e transportit publik për të shkuar në punë.

Të mos kesh para për t’u kuruar. Të heqësh dorë nga librat që të duhen për të studiuar, sepse qiraja të merr pothuajse gjithçka që fiton. Do të thotë të durosh pa mbrojtje temperaturat ekstreme që po bëhen gjithnjë e më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike.

Të mbetesh jashtë botës dixhitale, pa mundësi për të përdorur internetin për shërbimet më elementare të jetës së përditshme. Sot pa internet, mund të mos arrish as të konsultosh raportet e tua mjekësore në sistemin shëndetësor.

Të varfrit. Janë në një masë të madhe, të rinj dhe gra. Por nuk bëhet më fjalë vetëm për të papunët. Gjithnjë e më shumë, varfëria prek njerëzit që punojnë, por marrin paga të ulëta dhe jetojnë mes kontratave të pasigurta, pasigurisë ekonomike dhe frikës për të ardhmen.

Pastaj janë të padukshmit, ata që rrëfen Zerocalcare: të rinjtë pa fytyrë e pa emër të periferive urbane, që jetojnë në kufirin e brishtë mes përjashtimit shoqëror dhe kriminalitetit të vogël. Për shumë prej tyre, i vetmi vend ku ndihen pjesë e diçkaje është grupi i rrugës, “tufa” ku gjejnë një lloj përkatësie që shoqëria ua mohon.

Ata nuk dolën në sheshe bashkë me studentët. Nuk kanë një vetëdije të qartë politike dhe as një program për të ndryshuar shoqërinë. Janë thjesht të zemëruar deri në palcë. Në ekranet e telefonave shohin një botë që ekspozon luksin, pasurinë dhe konsumin e shfrenuar, ndërsa ata vetë mbeten të përjashtuar.

Kur ndiejnë se diçka po lëviz dhe se revolta mund të tronditë rendin ekzistues, i bashkohen asaj duke sjellë me vete gjithçka që kanë: zemërimin dhe në disa raste dhunën e verbër. A janë të huaj për studentët që protestojnë? Ndoshta po, ndoshta jo.

Por një gjë është e qartë: të gjithë i përkasin një brezi që po paguan çmimin e një modeli ekonomik të padrejtë dhe të dështuar, i cili në një mënyrë apo në një tjetër, po ia vjedh të ardhmen.

Makinat e djegura, monumentet e dëmtuara, vitrinat e thyera dhe dyqanet e grabitura janë vepra penale. Ato nuk mund të justifikohen dhe as të shpërfillen. Por për vite me radhë, ne si shoqëri kemi mbyllur sytë përballë një grabitjeje shumë më të madhe: asaj që tregu u ka bërë jetëve të njerëzve, duke i kthyer të drejtat themelore në privilegje dhe pasigurinë në një gjendje të përhershme.

Ata që kanë qëndruar në krye të sistemit politik dhe ekonomik, mbajnë një përgjegjësi të rëndë për këtë gjendje. Përgjegjësia e tyre nuk zhduket duke dënuar të rinjtë që dalin jashtë kontrollit dhe shkatërrojnë gjithçka.

Përkundrazi, është pikërisht ky sistem që duhet të japë llogari për kushtet në të cilat është rritur një brez i tërë. Dhe kjo mund të jetë vetëm fillesa. Sepse pakënaqësia nuk kufizohet më te të rinjtë.

Në jug të Italisë, kamionistët kanë bllokuar gjithçka. Nëse nuk marrin garanci konkrete, protesta rrezikon të vazhdojë dhe të paralizojë vendin. Dhe për të shuar zemërimin e tyre, vështirë se do të mjaftojnë disa favore të vogla financiare, të shpërndara në momentin e fundit.

Në të njëjtën situatë janë edhe fermerët, të cilët shohin se prodhimet e tyre blihen nga rrjetet e mëdha të shpërndarjes me çmime qesharake dhe më pas shiten te konsumatorët me çmime marramendëse. Ata prodhojnë, punojnë dhe mbajnë mbi supe kostot, por pjesa më e madhe e fitimit përfundon diku tjetër.

Ndërkohë, punëtorët po varfërohen çdo ditë e më shumë nga inflacioni. Edhe ata që kanë një punë, e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë shpenzimet bazë dhe po lëkunden rrezikshëm në kufirin e varfërisë.

Çasti kur zemërimi i të rinjve bashkohet me pakënaqësinë e punëtorëve, fermerëve dhe shtresave të tjera të goditura nga kriza po afrohet. Tenxherja është nën presion. Dhe fishkëllima ka nisur tashmë të dëgjohet./ “Il Fatto Quotidiano”

3sgIgLJ.png