Lajme

Mishi i prodhuar në laborator përplaset me realitetin, miliardat s’mjaftojnë për të zëvendësuar fermat!

Industria e mishit të prodhuar nga qeliza në laborator po përballet me një realitet shumë më të vështirë se premtimet që tërhoqën miliarda dollarë nga investitorët.

Sipas Financial Times, kompanitë e sektorit po largohen nga objektivi fillestar për të zëvendësuar në masë mishin tradicional dhe po kërkojnë tregje ku kostot e teknologjisë mund të përballohen më lehtë.

Në vitin 2021, në kulmin e investimeve në teknologjitë klimatike, kompanitë e proteinave alternative siguruan më shumë se 5 miliardë dollarë. Financimet më pas ranë ndjeshëm. Vitin e kaluar sektori tërhoqi 881 milionë dollarë, ndërsa kompanitë e mishit dhe produkteve të detit të kultivuara siguruan vetëm 74 milionë dollarë.

Problemi kryesor mbetet prodhimi në shkallë industriale. Kompanitë duhet të rrisin qelizat në rezervuarë të mëdhenj pa kontaminim dhe me një kosto që mund të konkurrojë ushqimin tradicional. Deri tani, asnjë kompani nuk ka provuar se mund ta realizojë prodhimin masiv me çmime që industria ushqimore është e gatshme të paguajë.

Për këtë arsye kompanitë po kërkojnë rrugë të tjera. Meatly po synon ushqimin për kafshët shtëpiake, Hoxton Farms po zhvillon yndyrë derri të kultivuar për produktet e përpunuara, ndërsa Wildtype ka hyrë në treg me salmon të kultivuar për sushi. Teknologjia po përdoret edhe jashtë mishit, pasi Celleste Bio po zhvillon gjalpë kakaoje nga qeliza të kultivuara.

Përveç kostos, industria përballet me skepticizmin e konsumatorëve dhe procedurat rregullatore. Në Europë miratimet ecin ngadalë, ndërsa disa shtete amerikane kanë vendosur kufizime ose ndalime ndaj mishit të kultivuar.

Kështu, ideja e një revolucioni të shpejtë që do të zhvendoste prodhimin e mishit nga fermat drejt fabrikave është zbehur. Sfida për kompanitë nuk është më vetëm të provojnë se mishi mund të prodhohet pa rritur dhe therur kafshë, por se mund ta prodhojnë atë në sasi të mëdha dhe me një çmim që tregu pranon.

3sgIgLJ.png