Lajme

Nga Millosheviqi te Vuçiqi – Stradner: E njëjta strategji, propagandë për ta paraqitur veten si viktimë

Analistja amerikane e sigurisë, Ivana Stradner, ka kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas intervistës së tij me gazetarin e njohur të CNN-it, Fareed Zakaria, lidhur me varrimin e Ratko Mlladiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte.

Zakaria, përmes një postimi, ka rikujtuar figurën e Mlladiqit, të njohur si “Kasapi i Bosnjës”, dhe ka ngritur pyetjen se përse atij iu organizua një varrim si heroi në Serbi.

“Pse iu organizua një varrim si heroi në Serbi? Këtë pyetje ia drejtova presidentit serb, Aleksandar Vuçiq”, ka shkruar Zakaria.

Duke shpërndarë postimin e gazetarit të CNN-it, Stradner e ka cilësuar intervistën si propagandë të Vuçiqit, duke pretenduar se ai po e paraqet veten si viktimë dhe si “shtyllë të stabilitetit”.

“Çfarë interviste e shpifur. Një tjetër propagandë e Vuçiqit, duke e paraqitur veten si viktimë dhe si ‘shtyllë të stabilitetit’”, ka shkruar Stradner.

Ajo ka shtuar se Vuçiqi e ka shtypur opozitën pro-perëndimore, ka nxitur nacionalizmin dhe është pozicionuar në qendër të pushtetit për të siguruar vazhdimin e mbështetjes nga Perëndimi.

Stradner e ka krahasuar këtë qasje me strategjinë e ish-presidentit serb, Slobodan Millosheviq, duke e cilësuar atë si një version të përshtatur për kohën e sotme.

“Është strategjia e Millosheviqit, e përshtatur për kohën e sotme”, ka përfunduar ajo.

3sgIgLJ.png