Dy drejtues të kompanisë Oxygen Forensics akuzohen për komplot për mashtrim elektronik; njëri u arrestua në Idaho, ndërsa tjetri në aeroportin Heathrow…
Autoritetet amerikane kanë zbuluar një skemë të dyshuar për fshehjen e lidhjeve ruse të kompanisë Oxygen Forensics, e cila më vonë siguroi një kontratë 5-vjeçare me Shërbimin Sekret të SHBA-së.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë (DoJ), Lee Reiber, drejtues ekzekutiv i Oxygen Forensics, akuzohet se fshehu pronësinë dhe lidhjet ruse të kompanisë përpara se ajo të fitonte kontratën me Shërbimin Sekret.
Prokurorët pretendojnë se Reiber u tha autoriteteve amerikane se Rusia nuk kishte rol në kompani. Megjithatë, sipas tyre, pesë shtetas rusë e zotëronin dhe e kontrollonin fshehurazi kompaninë, ndërsa programi i saj zhvillohej dhe menaxhohej në Rusi.
Reiber, 55 vjeç dhe shtetas amerikan, u arrestua të dielën në Idaho. Oleg Davydov, 52 vjeç dhe shtetas rus, u arrestua në aeroportin Heathrow të Londrës. Autoritetet amerikane pritet të kërkojnë ekstradimin e Davydov.
Prokuroria i ka akuzuar të dy për komplot për kryerjen e mashtrimit elektronik. Oxygen Forensics, kompani e forenzikës digjitale me seli në Alexandria të Virxhinias, prodhon programe për rikuperimin, ruajtjen dhe analizimin e të dhënave elektronike nga pajisjet digjitale.
Sipas prokurorëve, programi i kompanisë, i zhvilluar nga Davydov në vitin 2013, ishte shitur më parë te Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB), Komiteti Hetimor rus dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Rusisë.
Reiber iu bashkua Oxygen Forensics në vitin 2015 dhe u emërua drejtues ekzekutiv në mars 2022, një muaj pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës dhe pasi SHBA-ja zgjeroi sanksionet ndaj Rusisë.
Zyra e Prokurorit të SHBA-së për Distriktin Qendror të Kalifornisë pretendon se Reiber dhe bashkëpunëtorët e tij ndërmorën hapa të qëllimshëm për të fshehur pronësinë ruse dhe për ta paraqitur kompaninë si amerikane.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Reiber u emërua drejtor ekzekutiv, president dhe kryetar i bordit në mars 2022, ndërsa pronarët rusë u hoqën nga dokumentet publike të kompanisë.
Prokurorët thonë se, pavarësisht këtij ndryshimi formal, pronarët rusë vazhduan të merrnin vendime të rëndësishme, të ndërhynin në çështjet e pagesave dhe të ruanin të drejtën e firmës në llogaritë bankare të kompanisë.
Në dhjetor 2022 dhe tetor 2023, Reiber i deklaroi qeverisë amerikane se Oxygen Forensics nuk kishte një pronar të drejtpërdrejtë ose përfundimtar.
Sipas DoJ-së, hetuesit gjetën gjithashtu një email që Reiber ia kishte dërguar Davydov dhe dy pronarëve të tjerë rusë. Në të, ai paralajmëronte se zbulimi i lidhjeve ruse mund të rrezikonte kontratën në pritje dhe të vinte në pikëpyetje të ardhmen e kompanisë.
Në shtator 2024, Shërbimi Sekret i SHBA-së i dha Oxygen Forensics një kontratë pesëvjeçare për përdorimin e programit të saj.
Prokurorët pretendojnë se në mars 2026 Reiber i tha qeverisë amerikane se asnjë shtetas rus nuk kishte marrë pjesë në zhvillimin e programit dhe se askush në Rusi nuk kishte qasje në mjedisin ku ai ndërtohej.
Sipas akuzës, këto deklarata ishin të rreme. Prokuroria thotë se programi zhvillohej, shkruhej dhe menaxhohej nga një ekip në Rusi.
Nëse shpallen fajtorë, Reiber dhe Davydov mund të përballen secili me një dënim maksimal prej 20 vjetësh burg.

