Aplikacioni i enkriptuar përdoret gjerësisht për komunikime që synohen të mbeten private. Por rasti Hyseni-Agasi tregon edhe një herë se telefoni në duart e hetuesve mund të jetë shumë më pak “i heshtur” nga sa mendon përdoruesi...
‘Signal’ duket se ishte zgjedhja e Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit për komunikimet mes tyre. Një aplikacion i njohur pikërisht për nivelin e lartë të privatësisë dhe enkriptimin e komunikimeve.
Por ironia është se qindra gjurmë të këtyre komunikimeve sot ndodhen në dosjen e SPAK.
Nga materialet e hetimit rezulton se në telefonin e Ergys Agasit janë evidentuar 508 forma komunikimi me ish-drejtoreshën e SHISH vetëm në periudhën 28 qershor–26 gusht 2026. Telefonata zanore, video-thirrje, mesazhe dhe forma të tjera komunikimi, të zhvilluara përmes Signal-it.
Dhe këtu historia bëhet edhe më interesante.
Në Shqipëri, Signal prej kohësh shihet si një prej aplikacioneve të preferuara për komunikime private. Politikanë, deputetë, ministra, zyrtarë dhe njerëz me pushtet e përdorin pikërisht për shkak të reputacionit që ka krijuar si një kanal më i sigurt komunikimi.
Por dosjet e SPAK-ut po japin një mësim disi më të pakëndshëm: një aplikacion i enkriptuar nuk do të thotë domosdoshmërisht një telefon i padepërtueshëm.
Dhe rasti bëhet edhe më domethënës kur në njërën anë të komunikimit nuk është një zyrtar dosido, por personi që drejtonte Shërbimin Informativ të Shtetit.
Nëse dikush duhet të jetë i vetëdijshëm për mënyrën se si funksionon siguria e komunikimeve, gjurmët digjitale dhe ekzaminimi i pajisjeve elektronike, logjikisht ai është drejtuesi i shërbimit sekret.
Megjithatë, pikërisht komunikimet në Signal mes Hysenit dhe Agasit janë sot një prej elementeve që SPAK ka futur në dosjen hetimore.
Sipas materialeve të publikuara, në funksionin “BIOME” të telefonit të Agasit janë ruajtur gjithsej 508 forma komunikimi mes tyre. Hetuesit kanë evidentuar 70 thirrje hyrëse Vlora-Agasi, 17 thirrje në drejtimin Agasi-Vlora, 28 thirrje të humbura dhe 25 pa përgjigje, krahas komunikimeve të tjera.
Pra, Signal mund të ketë enkriptuar komunikimin gjatë rrugës, por telefoni i sekuestruar duket se ka pasur histori tjetër për të treguar.
Ky është edhe një dallim i rëndësishëm. Deri tani nuk ka të dhëna publike që SPAK të ketë “thyer” teknologjinë e enkriptimit të Signal. Ajo që tregon dosja është se hetuesit kanë mundur të nxjerrin të dhëna nga pajisja e sekuestruar e Agasit, ku ishin ruajtur gjurmët e komunikimeve.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi për këdo që beson se instalimi i një aplikacioni të sigurt e kthen automatikisht celularin në kasafortë.
SPAK ka investuar vitet e fundit në kapacitete të ekspertizës digjitale dhe sekuestrimi i telefonave është kthyer në një prej burimeve kryesore të provave në hetimet e profilit të lartë. Pajisja fizike mund të përmbajë të dhëna, metadata, skedarë, njoftime apo gjurmë të tjera që nuk varen vetëm nga siguria e kanalit përmes të cilit është kryer komunikimi. Dhe ky është sinjal dhe për emrat e tjerë.

