Lajme

Koha për një marrëveshje të re të Prizrenit

A kemi nevojë për një Lidhje të re të Prizrenit, për një besëlidhje të re të përgjegjësisë shqiptare? Një tryezë ku Tirana, Prishtina dhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Luginë, bashkë me ekspertë, diplomatë dhe diasporën, të diskutojnë seriozisht të ardhmen e shqiptarëve

Nga Lirim DULLOVI

A jemi gati për dekadën që po vjen? Bota po ndryshon me një shpejtësi që nuk na lejon më luksin të merremi vetëm me betejat tona të vogla politike.

Lufta në Ukrainë vazhdon, përplasjet hibride shtohen dhe Evropa po riarmatoset. Franca diskuton gatishmërinë kombëtare, Polonia forcon mbrojtjen dhe kufirin lindor, ndërsa Britania e Madhe dhe vende të tjera përgatiten për skenarë krizash që deri dje dukeshin të paimagjinueshme.

Në Ballkan, Serbia po forcon kapacitetet ushtarake dhe vazhdon të manovrojë mes Moskës dhe Perëndimit, ndërsa ndikimi rus mbetet faktor. Në të njëjtën kohë, edhe politika e Washingtonit ndaj rajonit po ndryshon. Duhet të pyesim: çfarë do të thotë për shqiptarët afrimi i Perëndimit me Serbinë dhe përpjekja për ta larguar atë nga Rusia?

Po rikthehen edhe temat e luftërave tona. Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hapur debat të madh në Kosovë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut rikthehen temat e konfliktit të vitit 2001 dhe “rastet e Hagës”. Fjalori politik në rajon po ashpërsohet.

Dhe ne vazhdojmë të harxhojmë energji në parti, liderë dhe përçarje të brendshme.

Prandaj duhet shtruar pyetja: A kemi nevojë për një Lidhje të re të Prizrenit, për një besëlidhje të re të përgjegjësisë shqiptare? Një tryezë ku Tirana, Prishtina dhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Luginë, bashkë me ekspertë, diplomatë dhe diasporën, të diskutojnë seriozisht të ardhmen e shqiptarëve.

A kemi një strategji të përbashkët në rast të një kërcënimi apo agresioni ndaj nesh? A kemi koordinim politik, diplomatik dhe të sigurisë? A jemi të përgatitur për mbrojtjen civile, sigurinë kibernetike, infrastrukturën kritike dhe rezervat strategjike, në bashkërendim me NATO-n dhe aleatët?

Përgatitja për t’u mbrojtur është edhe mënyrë për ta parandaluar atë.

Një “Lidhje e re e Prizrenit” e shekullit XXI duhet të jetë një platformë strategjike shqiptare për sigurinë, mbrojtjen, diplomacinë dhe reagimin ndaj krizave.

Historia nuk të pyet nëse je gati.

3sgIgLJ.png