Lajme

Trump dhe Xi, udhëheqësit e gabuar në kohën e gabuar

Shkruar nga Gideon Rachman

Bota ka nevojë për një lidership me vizion afatgjatë, por udhëheqësit aktualë të SHBA-së dhe Kinës nuk duket se janë në gjendje ta ofrojnë atë…

“Sapo dola nga një takim pothuajse tre orësh me Presidentin e Republikës dhe shërbimet e inteligjencës dhe sigurisë. Në 50 vitet e mia, rrallëherë kam ndier një ndjenjë të tillë marramendjeje. Marramendje për shkak të peshës së situatave në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, dhe për shkak të çmendurisë grabitqare që po e shtyn botën drejt kaosit”.

Kështu u shpreh javën e kaluar politikani francez Guillaume Lacroix. Por ai nuk është i vetëm në shqetësimin e tij. Paralajmërime të forta për rrezikun e konflikteve të reja kanë ardhur prej javësh nga kryeqytetet europiane.

Alarmet për rreziqet që lidhen me inteligjencën artificiale po dëgjohen në të gjithë botën. Një krizë energjetike po merr formë, ndërsa tregjet e obligacioneve po sinjalizojnë mundësinë e një krize të re borxhesh. Ky është një moment veçanërisht i ndërlikuar për politikën botërore. Në teori, kjo situatë do ta bënte një lajm të mirë faktin që udhëheqësit e dy fuqive më të mëdha të botës do të takohen këtë javë. Donald Trump dhe Xi Jinping kanë shumë çështje për të diskutuar: luftërat, energjinë, inteligjencën artificiale, tregtinë, Tajvanin dhe madje edhe projektet simbolike të Shtëpisë së Bardhë.

Por mosbesimi i thellë mes SHBA-së dhe Kinës, së bashku me kufizimet e dy liderëve, e bëjnë shumë të pamundur që ky takim të sjellë përparim të vërtetë në çështjet më të rëndësishme globale. Një nga arsyet kryesore pse SHBA-ja dhe Kina vazhdojnë të përballen me kujdes dhe dyshim, pa bashkëpunuar në çështje me interes të përbashkët, është konflikti i vazhdueshëm tregtar mes tyre.

Kur Pekini reagoi ndaj tarifave që Trump shpalli më 2 prill 2025, Uashingtoni fillimisht e nënvlerësoi përgjigjen kineze. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, i cili shpesh përdor metafora nga bota e basteve, pretendoi se Kina po luante “me një palë dysha”.

Por në realitet, kufizimet që Kina vendosi mbi eksportet e tokave të rralla dhe mineraleve kritike u treguan shumë më të fuqishme. Brenda pak javësh, linjat e prodhimit të disa industrive të rëndësishme amerikane filluan të përballeshin me probleme serioze.

SHBA-ja dhe Kina arritën një armëpushim tregtar në Korenë e Jugut në tetor 2025, i cili mund të rinovohet në Uashington. Por përplasja tregtare, e ka rritur mosbesimin në të dyja anët. Tani si Pekini, ashtu edhe Uashingtoni janë të kujdesshëm ndaj çdo forme bashkëpunimi që në të ardhmen mund të përdoret kundër tyre.

Me një besim të ndërsjellë thuajse inekzistent, mundësia që SHBA-ja dhe Kina të punojnë së bashku për kërcënimet që tejkalojnë kufijtë kombëtarë – si inteligjenca artificiale e pakontrolluar apo ndryshimet klimatike – është shumë e kufizuar.

Kompanitë kryesore amerikane të inteligjencës artificiale, kanë kërkuar një qasje të përbashkët SHBA-Kinë për rregullimin e kësaj teknologjie. Bessent ka deklaruar se të dy vendet kanë rënë dakord për një dialog mbi inteligjencën artificiale.

Por çdo përpjekje për bashkëpunim, do të kufizohet nga rivaliteti themelor mes Uashingtonit dhe Pekinit. Trump vazhdon të këmbëngulë se “SHBA-ja po udhëheq Kinën në inteligjencën artificiale” dhe se dëshiron “ta mbajë këtë avantazh, sepse kush fiton inteligjencën artificiale, fiton gjithçka”.

Nga ana tjetër, pala kineze dyshon se thirrjet amerikane për një qasje të përbashkët janë në të vërtetë një përpjekje për të ruajtur avantazhin e kufizuar të SHBA-së në një teknologji që do të përcaktojë të ardhmen.

Diskutimet në mediat zyrtare kineze, janë përqendruar shpesh te rreziku që inteligjenca artificiale mund të paraqesë për vazhdimësinë e pushtetit të Partisë Komuniste, dhe jo vetëm te ndikimi i saj mbi njerëzimin në tërësi.

Trump ka një prirje për të quajtur “mashtrim” çdo ide që nuk i përshtatet pikëpamjes së tij. Kjo është fjala që ai ka përdorur edhe për kërcënimet nga inteligjenca artificiale dhe prej kohësh për ndryshimet klimatike.

Në vend të kësaj, presidenti amerikan ka vendosur theksin te përdorimi i rezervave të mëdha amerikane të naftës dhe gazit për të ndërtuar atë që ai e quan “dominim energjetik amerikan”. Ai është krenuar gjithashtu edhe me tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit për klimën dhe nga marrëveshje të tjera ndërkombëtare klimatike.

Kjo politikë i ka dhënë Kinës mundësinë për të forcuar dominimin e saj në industritë që lidhen me energjinë e rinovueshme, si bateritë, panelet diellore, turbinat e erës dhe automjetet elektrike. Të dyja vendet kërcënohen gjithashtu nga kriza energjetike e shkaktuar nga luftërat në Lindjen e Mesme.

Kina është përpjekur edhe më parë të luajë një rol ndërmjetësues në rajon, dhe është një nga importueset më të mëdha të naftës nga Lindja e Mesme. Por edhe nëse SHBA-ja do të kërkonte ndihmën e Pekinit për t’i dhënë fund konfliktit – gjë që duket e pamundur – Xi Jinping nuk ka arsye të përfshihet në atë që ai mund ta shohë si një krizë të krijuar nga politikat e Trumpit në Gjirin Persik.

Mundësia për bashkëpunim SHBA-Kinë mbi luftën në Ukrainë është edhe më e kufizuar. Pekini vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë ruse. Në vend që të luajë rolin e ndërmjetësit të paqes, ekziston ende rreziku që Kina të hapë një konflikt të tretë të madh global përmes një sulmi ose bllokade ndaj Tajvanit.

SHBA-ja po përballet me vështirësi në Iran dhe rezervat amerikane të armëve janë zvogëluar. Ndryshe nga presidenti Joe Biden, Trump e ka minimizuar idenë se SHBA-ja do të ndërhynte ushtarakisht për mbrojtjen e Tajvanit. Dhe kjo mund ta forcojë tundimin e Xi Jinping për të vepruar më shpejt.

Nga ana tjetër, lideri kinez ka parë se si SHBA-ja dhe Rusia kanë hasur vështirësi për të fituar luftëra kundër vendeve më të dobëta. Kjo mund ta shtyjë atë të preferojë rritjen graduale të presionit politik ndaj Tajvanit, në vend të një veprimi të menjëhershëm ushtarak.

Trump dhe Xi e pëlqejnë shumë ceremoninë dhe simbolikën e pushtetit. Në Uashington do të ketë shumë nga këto elementë. Por ka shumë pak gjasa që të ketë një angazhim serioz për çështjet që kanë më shumë rëndësi për botën.

Ky takim, nuk do të jetë një version modern i samitit Reagan-Gorbaçov në Reykjavik në vitin 1986, ku dy liderët diskutuan për çarmatimin bërthamor dhe panë mundësinë e dhënies fund të Luftës së Ftohtë. Trump dhe Xi përfaqësojnë dy vende rivale.

Por fatkeqësisht, të dy liderët ndajnë disa dobësi të ngjashme: narcisizëm, nacionalizëm dhe mungesë vizioni afatgjatë. Bota ka nevojë për udhëheqës që mund të shohin përtej krizave të momentit. Por kjo nuk është ajo që po ofrohet sot./ “Financial Times”

3sgIgLJ.png