Lajme

Pse lufta SHBA-Iran nuk do të përfundojë shpejt

Shkruar nga Eliot A.Kohen

Rrënjët e konfliktit shkojnë përtej betejave të sotme dhe lidhen me dekada armiqësie politike, fetare dhe strategjike. Edhe një marrëveshje e përkohshme, nuk do të zgjidhte përplasjen themelore mes palëve.

Gjatë luftës në Irak në vitin 2003, gjenerali i atëhershëm David Petraeus i tha gazetarit dhe historianit Rick Atkinson një fjali që mbeti e famshme: “Më thuaj si përfundon kjo luftë?”. Është pyetja që lind natyrshëm për çdo luftë të madhe, edhe për konfliktin me Iranin.

Por në këtë rast, ajo mund të jetë pyetja e gabuar. Për të kuptuar se ku po shkon kjo përballje, nuk duhet parë vetëm fundi i mundshëm, por historia e gjatë që e ka sjellë deri këtu. Në mes të një lufte, vëmendja zakonisht përqendrohet te betejat aktuale, te sulmet dhe kundërsulmet, ndërsa arsyet më të thella që kanë krijuar konfliktin mbeten shpesh në sfond.

Por një luftë nuk kuptohet vetëm nga mënyra si zhvillohet. Ajo kuptohet edhe nga momenti kur nisi dhe nga interesat që e ushqejnë. Në rastin e Iranit, konflikti i sotëm nuk është një luftë e veçuar, por faza më e fundit e një përplasjeje që ka vazhduar që prej revolucionit iranian të vitit 1979.

Për dekada, kjo luftë është zhvilluar kryesisht në hije, përmes operacioneve të fshehta, sulmeve kibernetike, përplasjeve detare, atentateve dhe luftërave të zhvilluara përmes aleatëve rajonalë. Megjithatë, vitet e fundit kanë sjellë një ndryshim të madh.

Operacionet e drejtpërdrejta kundër Iranit, përfshirë goditjet ndaj objekteve të tij bërthamore, e kanë kaluar konfliktin në një fazë të re, ku përballja nuk zhvillohet më vetëm përmes kanaleve të fshehta.

Në këtë luftë përballë Iranit janë rreshtuar Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe shumica e monarkive sunite të Gjirit Persik. Përplasja nuk lidhet vetëm me çështjet e sigurisë së momentit, por me një konflikt më të thellë mbi ndikimin rajonal, ideologjinë dhe ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme.

Regjimi iranian mbështetet mbi një vizion politik që prej dekadash është në konflikt me Perëndimin dhe Izraelin, ndërsa kundërshtarët e tij kërkojnë të kufizojnë aftësinë e Teheranit për të zgjeruar ndikimin përmes rrjetit të aleatëve dhe grupeve të armatosura në rajon.

Fakti më i rëndësishëm i këtij konflikti, është se ai ka rrënjë të thella historike dhe fetare. Për këtë arsye, ideja e një zgjidhjeje të shpejtë është pak realiste. Mund të ketë armëpushime, marrëveshje të përkohshme apo periudha më të qeta, por një paqe e qëndrueshme do të kërkonte ndryshime shumë më të mëdha sesa një marrëveshje diplomatike.

Gjithsesi, luftërat nuk i lënë asnjëherë gjërat e pandryshuara. Ato transformojnë aleancat, dobësojnë aktorë të caktuar dhe krijojnë realitete të reja. Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ishte një nga momentet që ndryshoi drejtimin e rajonit.

Ai u pasua nga një seri përplasjesh të mëdha: goditjet izraelite ndaj Hezbollahut në vitin 2024, dobësimi i pozitës së Iranit në Siri, sulmet e Huthive nga Jemeni dhe përballjet e drejtpërdrejta me raketa mes Iranit dhe Izraelit.

Të gjitha këto zhvillime zgjeruan fushën e luftës. Konflikti nuk mbeti më vetëm mes Iranit dhe kundërshtarëve të tij kryesorë, por u shtri në një hapësirë më të gjerë që përfshin Detin e Kuq, Gjirin Persik dhe rrugët kryesore tregtare ndërkombëtare.

Përpjekjet e Iranit për të kontrolluar ngushticën e Hormuzit dhe kërcënimet e Huthive ndaj ngushticës Bab Al-Mandeb, treguan se lufta mund të prekë jo vetëm aktorët ushtarakë, por edhe ekonominë globale. Për këtë arsye, kthimi në gjendjen e mëparshme duket pothuajse i pamundur.

Edhe nëse arrihet një armëpushim, ai do të ndodhë në një realitet të ndryshuar. Një  karakteristikë tjetër e kësaj lufte është keqkuptimi mes palëve. Kundërshtarët e Iranit kanë mbivlerësuar në disa momente dobësinë e regjimit të tij, duke pritur që goditjet ushtarake të prodhonin një kolaps të shpejtë.

Por regjimi iranian ka treguar aftësi për të mbijetuar edhe pas goditjeve të rënda. Nga ana tjetër, Irani ka nënvlerësuar vendosmërinë e kundërshtarëve të tij dhe gatishmërinë e tyre për të vazhduar përballjen.

Edhe marrëdhëniet mes fuqive të mëdha dhe aleatëve të tyre, janë më komplekse nga sa duken. Shtetet e Bashkuara nuk kontrollojnë gjithmonë vendimet e Izraelit, ndërsa Irani nuk kontrollon plotësisht grupet që mbështet në rajon.

Huthit, Hezbollahu dhe aktorë të tjerë, kanë gjithashtu interesat dhe objektivat e tyre. Kjo e bën konfliktin edhe më të paparashikueshëm. Në të njëjtën kohë, lufta me Iranin është një shembull i mënyrës së re të luftimit në shekullin XXI.

Përballë njëra-tjetrës nuk janë vetëm ushtritë tradicionale. Në këtë konflikt përdoren raketa balistike, dronë, inteligjencë satelitore, sulme ndaj figurave drejtuese, operacione kibernetike dhe bombardime me precizion të lartë.

Në sfond qëndrojnë edhe fuqitë e tjera globale, veçanërisht Rusia dhe Kina, të cilat kanë ofruar mbështetje teknike dhe informacion për Iranin. Ashtu si në konflikte të tjera moderne, lufta nuk zhvillohet më vetëm në fushën e betejës, por edhe në hapësirën teknologjike, ekonomike dhe diplomatike.

Për të gjitha palët, ajo që është në lojë është shumë e madhe. Arabia Saudite përballet me kërcënime nga grupet e mbështetura nga Irani në rajon dhe me rrezikun ndaj rrugëve të saj të eksportit. Izraeli përballet me një kërcënim të vazhdueshëm nga raketat dhe grupet aleate të Iranit.

Ndërsa Teherani e di se kundërshtarët e tij kanë aftësinë të godasin përsëri nëse konflikti përshkallëzohet. Kur rriten rreziqet, shtohet edhe tundimi për të përdorur më shumë forcë. Historia e luftërave tregon se konfliktet shpesh zgjaten dhe përkeqësohen sepse palët, të shtyra nga frika dhe dëshira për të mposhtur kundërshtarin, ndërmarrin hapa gjithnjë e më agresivë.

Prandaj, pyetja “si do të përfundojë kjo luftë?” mund të mos jetë më e rëndësishmja. Një armëpushim i përkohshëm mund të ndalojë dhunën për një periudhë, por nuk do të zhdukë shkaqet që kanë krijuar këtë përplasje.

Pyetja më e vështirë është një tjetër: Si mund të bëhet kjo luftë edhe më e keqe?/ “The Atlantic”

3sgIgLJ.png