Lajme

Kina grumbulloi rezerva nafte dhe tani mund të dominojë tregun global

Kina ka arritur ta shndërrojë një nga dobësitë e saj më të mëdha, varësinë nga importet e naftës, në një burim të ri fuqie gjeopolitike, shkruan New York Times.

Strategjia e Pekinit për grumbullimin e rezervave të mëdha të naftës, zgjerimin e kapaciteteve të rafinimit dhe investimet në burime alternative energjie ka ndryshuar ndjeshëm pozicionin e vendit në tregun global.

Lufta me Iranin e ka bërë këtë ndikim edhe më të dukshëm. Në gjashtë muajt e parë të konfliktit, Kina uli blerjet e naftës me 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vendet e tjera të varura nga nafta e Lindjes së Mesme nuk kishin të njëjtën hapësirë manovrimi dhe u përballën me reduktim të konsumit ose kosto më të larta.

Ulja e importeve kineze ndihmoi gjithashtu në frenimin e rritjes së çmimit të naftës, pasi Irani kufizoi ndjeshëm kalimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit.

Sipas Daan Struyven të Goldman Sachs, në fund të gushtit nafta kushtonte rreth 10 dollarë më pak për fuçi sesa do të kushtonte nëse Kina do të kishte vazhduar blerjet në nivelet e paraluftës.

“Kjo është një fuqi që askush nuk mendonte se Kina e kishte”, tha Erica Downs, studiuese në Qendrën për Politikat Globale të Energjisë në Universitetin Columbia për NYT-në.

Pekini ka treguar gjithashtu se është i gatshëm ta përdorë energjinë si instrument politik. Në muajt e parë të luftës, Kina vendosi kufizime të forta mbi eksportet e karburantit të avionëve, benzinës dhe naftës. Sasitë e kufizuara që eksportoi gjatë pranverës shkuan kryesisht drejt vendeve me marrëdhënie të afërta me Pekinin, si Vietnami dhe Tajlanda.

Një tjetër element kyç janë rezervat. Nën drejtimin e Xi Jinping, Kina ka zgjeruar rezervat e saj deri në atë pikë sa ato përfaqësojnë rreth një të tretën e rezervave të njohura të naftës në botë.

Ndërkohë, automjetet elektrike po reduktojnë kërkesën e brendshme për naftë. Sipas të dhënave të cituara në raportim, ato përbëjnë rreth 14% të makinave të pasagjerëve në rrugët kineze dhe kanë ndihmuar vendin të konsumojë 1.5 milionë fuçi naftë më pak në ditë gjatë tremujorit të dytë.

Pyetja kryesore tashmë është se si Pekini do ta përdorë këtë fuqi të re. Ndikimi që tradicionalisht u përkiste vendeve të mëdha prodhuese të naftës po shfaqet tashmë edhe në anën e kërkesës, me Kinën në qendër të këtij ndryshimi.

3sgIgLJ.png