Lajme

EVN Maqedoni dhe Rade Konçar-TEP partnerë në përfshirjen e nxënësve me aftësi të kufizuara

EVN Maqedoni dhe Rade Konçar-TEP po e thellojnë bashkëpunimin e tyre të orientuar drejt mbështetjes së përfshirjes së nxënësve me aftësi të kufizuara, si pjesë e angazhimeve për një veprimtari të përgjegjshme shoqërore, mundësi të barabarta dhe zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me parimet ESG. Për këtë qëllim, në ambientet e Rade Konçar-TEP u mbajt një ngjarje me moton „Partneritete për përfshirje: Nga angazhimet ESG drejt aktiviteteve konkrete“, ku u prezantuan rezultatet e përbashkëta të partneritetit të deritanishëm të dy kompanive. Në kuadër të bashkëpunimit, Rade Konçar-TEP do të punësojë nxënës me aftësi të kufizuara, të cilët do të angazhohen në prodhim për nevojat e EVN Maqedonisë.

Në ngjarje morën pjesë ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, znj. Sanja Bozhinovska, Drejtori i Përgjithshëm i Rade Konçar-TEP, mr. Goran Antevski, Kryetari i Bordit Drejtues të EVN Maqedonisë, z. Vollfgang Maier, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe kompanive.

Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, znj. Sanja Bozhinovska, e përshëndeti projektin dhe theksoi se është veçanërisht e rëndësishme që kompanitë, përmes aktiviteteve konkrete, krijojnë mundësi për përfshirje më të madhe dhe pjesëmarrje të barabartë të të rinjve në shoqëri dhe në mjedisin e punës. Ajo theksoi se partneritete të tilla duhet të jenë shembull pozitiv dhe nxitje për projektet e ardhshme, në të cilat përgjegjësia shoqërore do të shndërrohet në rezultate konkrete dhe të qëndrueshme.

„Më gëzon veçanërisht fakti që sot jemi dëshmitarë të një projekti që tregon se përfshirja mund të jetë pjesë përbërëse e proceseve reale të biznesit. Iniciativa të tilla janë shembull i drejtimit në të cilin duhet të zhvillohen partneritetet e ardhshme. Shpresoj që në periudhën e ardhshme të ketë përfshirje edhe më të madhe të kompanive dhe institucioneve dhe të shohim më shumë projekte që krijojnë mundësi konkrete për të rinjtë“, theksoi ministrja Bozhinovska.

3sgIgLJ.png