Lajme

71 maqedonas dhe 1 shqiptar, i vetmi i punësuar del familjar i Zekës! (DOKUMENT)

I vetmi kandidat shqiptar i pranuar në mesin e 74 punësimeve është Jasir Ibrahimi, familjar i kryetarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, i cili është përzgjedhur për pozitën e “intendentit” dhe pritet të fillojë detyrën pas trajnimit disa mujor. Burime të gazetës KOHA konfirmojnë se, edhe pse në konkursin e shpallur në maj kanë aplikuar dhjetëra kandidatë shqiptarë të diplomuar, të gjithë – përveç Ibrahimit – janë eliminuar gjatë testit psikologjik ose fizik

Vedat MEMEDALIU

Shkup, 5 gusht – Ka përfunduar selektimi i parë për pranimin e 74 studentëve të diplomuar në ciklin e parë të studimeve gjashtëmujore në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihajlo Apostolski” në Shkup, për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për sektorët e menaxhimit të krizave dhe mbrojtjes dhe shpëtimit. Nga 74 kandidatët e pranuar, 71 janë maqedonas, 2 romë dhe vetëm 1 shqiptar – një përbërje etnike që ka nxitur reagime dhe dyshime për diskriminim gjatë procesit të përzgjedhjes.

I vetmi shqiptar i pranuar është Jasir Ibrahimi, familjar (nip) i kryetarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, i cili është përzgjedhur për pozitën e intendentit dhe pritet të fillojë detyrën pas trajnimit disa mujor. Burime të gazetës KOHA konfirmojnë se, edhe pse në konkursin e shpallur në maj kanë aplikuar dhjetëra kandidatë shqiptarë të diplomuar, të gjithë – përveç Ibrahimit – janë eliminuar gjatë testit psikologjik ose fizik. Kandidatë shqiptarë që kanë marrë pjesë në konkursin publik, i cili ishte shoqëruar me thirrje publike nga eksponentë të koalicionit VLEN, shprehen të zhgënjyer dhe të revoltuar nga rezultati i selektimit. Ata akuzojnë për skenar të përgatitur paraprakisht për të margjinalizuar shqiptarët në procesin e përzgjedhjes, ndërsa prania e vetme e një shqiptari në listë, pikërisht një familjar i kreut të një partie politike në Qeveri, e thellon dyshimin mbi transparencën dhe paanshmërinë e konkursit.

“Kishte një lloj fushate kur u publikua konkursi. Eksponentë të VLEN-it bënin thirrje që të konkurrojnë të rinjtë shqiptarë për pozita oficerësh dhe pozita tjera në Ushtri. Njoh personalisht disa kandidatë shqiptarë që konkurruan bashkë me mua, por që të gjithë u eliminuam në testet psikologjike ose fizike, përveç familjarit të Zeqirija Ibrahimit”, thotë për gazetën KOHA një prej aplikantëve të papranuar, i cili kërkon të mbetet anonim.

Në këtë konkurs, ku pjesa më e madhe e vendeve ishte për oficerë, kanë konkurruar edhe ata që janë pjesë e Ushtrisë, por me kontrata pune dhe jo vendime të përhershme. “Me 4 vjet përvojë pune në Ushtri, me kontratë, nuk arrita të selektohem nga Komisioni pranuar. Lista kishte qenë e përgatitur, ndërsa shqiptarët nuk kanë patur qasje. Kaloi vetëm një – familjarit i një lideri të partisë pjesë e Qeverisë”, thotë një tjetër i punësuar në Ushtri.

Ndërkohë, publikimi i listës zyrtare ka ngritur pyetje serioze në lidhje me kriteret reale të përzgjedhjes, rolin e komisionit selektues dhe ndikimet e mundshme politike në përzgjedhje. E ajo që është më e tmerrshmja, diskriminimi etnik në ushtri dhe mbrojtje.  Që ironia të jetë edhe më e madhe, në konkursin për punësim shkruante se, “gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për regjistrim në Akademi, i kushtohet vëmendje e duhur përfaqësimit të duhur dhe të barabartë të anëtarëve të komuniteteve dhe zhvillimit të një perspektive gjinore, duke respektuar parimet e ekspertizës dhe kompetencës”.

BDI: PLAN SISTEMATIK PËR PËRJASHTIMIN E SHQIPTARËVE

Bashkimi Demokratik për Integrim ndërkohë e ka dënuar ashpër përjashtimin e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera nga procesi i fundit i punësimit në Armatën dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në një reagim drejtuar mediave, BDI thotë se kjo nuk është vetëm një padrejtësi, po jo realizim i një plani sistematik për përjashtimin e shqiptarëve dhe të komuniteteve të tjera jo-shumicë nga institucionet e sigurisë, nga Armata e vendit, nga administrata shtetërore dhe administrata publike.

“Nga 74 të punësuarit e fundit, 71 janë maqedonas, 2 janë nga komuniteti rom dhe vetëm 1 është shqiptar. Ky veprim është shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe shkelje e vlerës kushtetuese të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, siç e garanton rendi juridik i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo është alarmante. Numrat janë të frikshëm. Ky degradim dhe rrënim i vlerave kushtetuese ka marrë përmasa alarmante. Pas degradimit të gjeneralit të vetëm shqiptar që plotësonte të gjitha kushtet për të udhëhequr Shtabin e Përgjithshëm të Armatës, përjashtimi sistematik vazhdon në formën zyrtare dhe institucionale. Ky është sulm i drejtpërdrejtë ndaj frymës së Marrëveshjes së Ohrit, ndaj rendit kushtetues dhe karakterit multietnik të shtetit”, thonë në BDI, ndërsa pyesin liderët e VLEN-it se ku është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i proklamuar çdo ditë e më shumë.

“Ku është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat? Ku është barazia e garantuar me ligj dhe Kushtetutë? Pse shqiptarët sistematikisht mbahen jashtë institucioneve kyçe të shtetit? BDI nuk do të heshtë përballë padrejtësive. BDI nuk do të qëndrojë duarkryq kur shqiptarët përjashtohen dhe nënçmohen. Ne kërkojmë hetim të menjëhershëm mbi këtë konkurs skandaloz, marrje përgjegjësie nga funksionarët përkatës në Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe zbatim pa kompromis të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në çdo institucion shtetëror, përfshirë institucionet e sigurisë”, thonë në BDI.

ASH: KU MBETËN 2500 PUNËSIMET E VLEN-it

Në fillim të muajit gusht, realiteti i punësimeve në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut e nxjerr zbuluar mashtrimin e madh të propagandës së VLEN-it. Shifrat flasin vetë dhe nuk kanë nevojë për koment. Janë bërë 116 punësime në tre institucione – vetëm 1 është shqiptar, sigurisht ndonjë familjar i krerëve të VLEN-it. Kështu e nis reagimin ASH-Taravari, ndërsa përmend se në radhët e fundit të pranimeve në Armatë dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, janë punësuar 71 maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar – një tregues brutal i përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga strukturat e sigurisë.

“Në Agjencinë për Kadastrën e Pasurisë së Paluajtshme, bilanci i avancimeve dhe punësimeve të fundit është 25 maqedonas dhe 0 shqiptarë. Në Agjencinë për Nxitjen e Zhvillimit të Bujqësisë, u punësuan 20 maqedonas dhe 0 shqiptarë. VLEN-i që premtoi 2500 punësime për shqiptarët, ka sjellë deri tani 0. E vetmja gjë që po punësohet me ritme të shpejta është gënjeshtra. Ky është realiteti i qeverisjes aktuale – VMRO ecën me agjendën e saj, ndërsa VLEN-i hesht, pranon, dhe dekoron këtë pabarazi të turpshme. Shqiptarët janë bërë spektatorë të ndarjes së posteve për një pakicë të privilegjuar, ndërsa masa trajtohet si e padukshme. Aleanca për Shqiptarët dënon këtë diskriminim të pastër dhe paralajmëron se heshtja përballë këtij përjashtimi është bashkëfajësi. Koha e llogaridhënies do të vijë. Dhe ajo nuk do të matet me konferenca për shtyp, por me bilanc real dhe ndëshkim politik”, akuzon ASH-Taravari.

MINISTRIA E MBROJTJES PA ZYRTAR TË LARTË SHQIPTAR

Pas dorëheqjes së zëvendësministres Elfete Ismaili, Ministria e Mbrojtjes ka mbetur pa asnjë zyrta të lartë shqiptarë, konkretisht VLEN-i nuk ka emëruar as zëvendësministër e as sekretar shtetëror. Përfaqësimi në këtë ministry vazhdon të jetë i tmerrshëm, ndërkohë që së fundmi janë shpallur konkurse të shumta si për punësime, ashtu edhe në institucionet e varura nga kjo ministry, ku po thellohet përfaqësimi i zhdrejtë i shqiptarëve. Askush nga Qeveria, por as nga koalicioni VLEN nuk tregojnë se pse dhe kur vendi i zëvendësministrit në Mbrojtje është lënë bosh, sidomos kur kemi parasysh se ministraitë dhe postet që i takonin dikur Taravarit, me daljen e tij nga Qeveria, të gjitha u plotësuan, përveç posti i zëvendësministrit në Mbrojtje. (koha.mk)

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png