71% e mostrave të marra nga Qendra për Shëndet Publik në ujin e fshatrave në Tetovë kanë treguar se uji nuk është i pijshëm! Sipas udhëheqësit të kësaj qendre, Ratko Davidovski, në shumicën e analizave uji ka edhe baktere Escherichia coli, që është një bakter që vjen nga ujërat e zeza.
“Për fat të keq mund të them se edhe më keq është situata me ujin e pijshëm. 71% e mostrave të analizuara nuk është ujë i sigurt për pije në aspektin mikrobiologjik dhe 10% në aspektin kimiko-fizik është i pasigurt. Në aspektin fizik dominon turbullimi i ujit, ndërsa në parametrat mikrobiologjik kemi baktere Kaliforni, Escherichia coli dhe ndonjëherë edhe Enterobacteriaceae, që do të thotë se nuk kryhet dezinfektimi i rregullt i ujësjellësve në vendbanimet e fshatrave”, tha Davidovski.
Një nga vendbanimet që nuk e përdorin ujin për pije është fshati Pallçisht. Ata ujin e marrin nga lumi dhe jo nga burimi. Nga Bashkësia Lokale thonë se, edhe pse uji menaxhohet nga ndërmarrja komunale, i njëjti nuk është i pijshëm.
“Uji në fshatin Pallçisht nuk është i pijshëm. Kemi edhe analizat që na vijnë çdo muaj nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë. Ky është rezultati që më vjen mua çdo muaj si kryetar i Bashkësisë Lokale, që tregon edhe dokumentacioni se uji i fshatit Pallçisht nuk është për pije. Uji i fshatit Pallçisht vjen nga lumi, burim nuk ka”, tha Vullnet Akimi, kryetar i Bashkësisë Lokale Pallçisht.
Shumica e fshatrave në komunat rurale ujin e menaxhojnë bashkësitë lokale, ndërsa shumicën e ujit e marrin nga lumenjtë që kalojnë në afërsi të vendbanimeve të tyre. Kjo bën që banorët ujin ta shfrytëzojnë për higjienë, ndërsa ujin e pijshëm e blejnë ose e mbushin në vendbanime të tjera.