Lajme

66 fëmijë vdesin nga kequshqyerja në Gaza që nga tetori 2023

Të paktën 66 fëmijë palestinezë kanë vdekur nga kequshqyerja e rëndë në Rripin e Gazës nën bllokadën izraelite që nga tetori 2023, thanë të shtunën autoritetet lokale, ndërsa mungesat e rënda të ushqimit, barnave dhe formulës për foshnja vazhdojnë ta përfshijnë enklavën.

Vdekjet e foshnjave pasqyrojnë krizën humanitare në përkeqësim e sipër në Gazë, ku Izraeli ka vendosur një rrethim të ashpër që nga 7 tetori 2023, duke kufizuar ndihmën dhe karburantin.

Viktimat më të fundit përfshijnë tre foshnja që humbën jetën këtë javë për shkak të kequshqyerjes dhe mungesës së barnave.

Jouri al-Masri, tre muajshe, vdiq të enjten në Deir al-Balah pasi familja e saj nuk arriti të siguronte qumështin terapeutik të specializuar që i nevojitej, sipas Zyrës së Medias të Qeverisë në Gazë.

Po atë ditë, 5-muajshi Nidal Sharab dhe 10-ditëshja Kinda al-Hams vdiqën në spitalin Nasser në Khan Younis, me familjet që fajësuan kequshqyerjen ekstreme dhe mungesën kritike të barnave.

“Këto vdekje pasqyrojnë krimin e vazhdueshëm të luftës për mohimin e aksesit në produkte jetike,” tha zyra e medias, duke përshkruar bllokadën dhe mbylljen e kufijve si një “krim kundër njerëzimit dhe shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe Konventave të Gjenevës.”

Zyra gjithashtu dënoi “heshtjen e turpshme” të komunitetit ndërkombëtar përballë urisë sistematike në Gazë.

Të premten, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se rreth 112 fëmijë pranohen çdo ditë në spitalet e Gazës për trajtim nga kequshqyerja.

Izraeli ka mbajtur të mbyllura në masë të madhe pikat kryesore të kalimit të Gazës që nga 2 marsi, duke bllokuar qindra kamionë me ndihma dhe furnizime. Agjencitë e OKB-së thonë se Gazës i duhen të paktën 500 kamionë në ditë për të përmbushur nevojat bazë, por shpesh lejohen më pak se 50 të hyjnë.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka kryer një ofensivë vdekjeprurëse në Gazë që nga tetori, duke vrarë mbi 56.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë.

Në nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gazë.

Izraeli po përballet gjithashtu me një proces për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me luftën e tij në enklavë.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png