Lajme

36.7 për qind e vdekjeve shkaktohen nga sëmundjet kardiovaskulare

Shkup, 29 shtator – Çdo vit, më 29 shtator, shënohet Dita Botërore e Zemrës për të rikujtuar rëndësinë e parandalimit dhe trajtimit të sëmundjeve kardiovaskulare, të cilat mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në botë. Kjo ditë shënohet me aktivitete sensibilizuese dhe apel për ndërgjegjësim rreth faktorëve të rrezikut dhe kujdesit që secili duhet të ketë ndaj shëndetit të zemrës.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS) për vitin 2024, në vend janë regjistruar gjithsej 20.201 vdekje, ndërsa 36.7 për qind e tyre kanë qenë si pasojë e sëmundjeve të qarkullimit të gjakut, ku përfshihen edhe sëmundjet e zemrës. Njëkohësisht, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vetëm nga sëmundjet e zemrës kanë humbur jetën 4.420 persona, që përbëjnë rreth 19.2 për qind të vdekjeve totale. Ndërsa, në raportin “Health Systems in Action – North Macedonia 2024” thuhet se ndonëse ka rënie të lehtë të rasteve të infarktit dhe goditjeve në tru, sëmundjet kardiovaskulare mbeten ende një nga sfidat më të mëdha për shëndetin publik në vend.

Me këtë rast, gazeta KOHA bisedoi me kardiologun në Klinikën Universitare të Kardiologjisë në Shkup, Dr. Besir Murtezani, i cili deklaroi se gjendja aktuale në vend është shqetësuese për shkak të rritjes së numrit të pacientëve me sëmundje të zemrës. “Gjendja aktuale në vendin tonë mund të quhet alarmante për shkak të rritjes së numrit të pacientëve me sëmundje kardiovaskulare, ndër to infarkti akut i miokardit i shoqëruar me hipertension dhe insuficiencë kardiake. Por ajo që është edhe më shqetësuese është se këto sëmundje po prekin gjithnjë e më shumë moshat e reja dhe të mesme”, tha Murtezani.

300600-Banner-AKi

Ai nënvizon se mënyra e jetesës është arsyeja kryesore pse njerëzit po sëmuren nga zemra gjithnjë e më herët. “Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare janë stili i jetesës, duhanpirja, kequshqyerja, pasiviteti fizik dhe faktorët gjenetikë. Sot stili i jetesës ka bërë që të ulet mosha e të sëmurëve me sëmundje të zemrës, sidomos për shkak të kequshqyerjes, konsumit të duhanit, pasivitetit fizik dhe stresit”, theksoi ai.

Në lidhje me parandalimin, Murtezani rekomandon masa të thjeshta por të domosdoshme, rëndësinë e kontrolleve mjekësore të rregullta, si EKG, analizat e gjakut dhe, nëse duhet, ekzaminime më të avancuara kardiologjike. “Masat parandaluese janë përmirësimi i stilit të jetesës duke shmangur faktorët e rrezikut, ushtrime të rregullta fizike, ushqim i shëndetshëm, menaxhim i stresit dhe kontrolle të rregullta mjekësore. Këto fillojnë nga ekzaminimet bazë si elektrokardiograma (EKG), analizat laboratorike për statusin lipidik dhe, nëse është e nevojshme, përdorimi i metodave më të avancuara kardiologjike për të parandaluar në kohë shfaqjen e sëmundjeve”, përfundon ai.

Ndryshe, sipas Federatës Botërore të Zemrës, sëmundjet kardiovaskulare mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në botë, duke marrë çdo vit mbi 20,5 milionë jetë. Ekspertët theksojnë se deri në 80 për qind e vdekjeve të parakohshme mund të parandalohen me qasje të hershme shëndetësore, ushqim të shëndetshëm, aktivitet fizik dhe menaxhim të stresit. Mesazhi “Mos e humb rrahjen”, synon të kujtojë se kujdesi për zemrën është thelbësor për cilësinë dhe gjatësinë e jetës. (koha.mk)

DIK-300x250-AL

3sgIgLJ.png