Lajme

14-vjeçari nga Kosova bëhet hero në Gjermani

Një 14-vjeçar me origjinë nga Kosova, Len Fejzullahu, nxënës në shkollën e mesme të Friedbergut, rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar shokun e klasës nga një sulm i dhunshëm me çekiç.

Ngjarja ndodhi në fillim të tetorit, në oborrin e shkollës së mesme në qytetin Friedberg, afër Mynihut. Një 15-vjeçar, ish-nxënës i shkollës, i veshur me uniformë ushtarake dhe i armatosur me çekiç e një armë lodër, sulmoi papritur dy nxënës 14-vjeçarë para fillimit të mësimit.

Njërin prej tyre e goditi disa herë në kokë, duke e lënë të shtrirë në tokë, shkruan gazeta gjerman Friedberger Allgemeine.

Len kujton se në fillim mendoi se ishte një shaka.

“E pashë që po afrohej me çekiç dhe mendova se ishte lodër, por kur e pashë shokun në tokë, mendova: nuk mund ta lë vetëm”.

14-vjeçari iu vërsul agresorit, e goditi me shkelm, e kapi për çekiçi dhe arriti ta shtyjë tutje, duke i dhënë kohë shokut të plagosur të largohej.  Pas përleshjes, Len e mori shokun e tij dhe të dy vrapuan drejt shkollës fillore ngjitur, ku kërkuan ndihmë.

Në ato momente, sulmuesi qëlloi disa herë pas tyre me një armë lodër Softair, ndërsa më pas u arratis.

Policia gjermane reagoi me njësi të shumta dhe e arrestoi pak më vonë në një garazh nëntokësor, ku iu gjetën çekiçi, disa armë Softair dhe një thikë.

15-vjeçari ndodhet aktualisht në paraburgim, i akuzuar për tentativë vrasjeje dhe lëndim të rëndë trupor, ndërsa autoritetet po hetojnë edhe një motiv të mundshëm ekstremist.

Në rrjete sociale, veçanërisht në TikTok, janë shfaqur edhe komente që aludojnë për hakmarrje mes nxënësish – diçka që Len e hedh poshtë plotësisht.

“Po të ishte sulmuesi i huaj, reagimet në rrjet do të kishin qenë ndryshe”, thotë Len.

Pas ngjarjes, Len është ftuar në bashkinë e Friedbergut, ku kryetari Roland Eichmann e ka përgëzuar personalisht për veprimin e tij.

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png