Zbulohet personi i cili e ndaloi koalicionin mes BDI-së dhe VMRO-së

ahmeti-ivanov.jpg

Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, ka zbardhur prishjen e marrëveshjes së arritur mes Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit. Ivanov thotë se koalicioni mes VMRO DPMNE dhe BDI u shkatërrua në momentin e fundit nga një bisedë telefonike mes Edi Ramës dhe Ali Ahmetit.

“Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, unë e bëra atë që e kanë bërë të gjithë paraardhësit e mi e kanë bërë, të jepet mandati për formimin e Qeverisë. Por, VMRO-DPMNE nuk arriti të merret vesh me shqiptarët, në afatin e parashikuar prej 20 ditëve, sipas Kushtetutës. Të jem më preciz, koalicioni ishte dakordësuar. Por në momentin e fundit kishte një telefonat dhe koalicioni nuk u bë”, ka thënë Ivanov. George Ivanov megjithatë insiston se, e ashtuquajtura Platforma e Tiranës, me një goditje shkatërroi Marrëveshjen e Përzhinës dhe thelloi krizën në vend. Për Ivanovin fajtorë janë Edi Rama, Brukseli dhe Uashingtoni. “BE-ja dhe Amerika u kyçën për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza, mirëpo ata nuk i dënuan shkaktarët e kësaj krize e që janë Edi Rama me politikanët shqiptarë. Sot jemi në krizë institucionale e shkaktuar prej Platformës së Tiranës, diçka që nuk ka lidhje me Marrëveshjen e Përzhinos”, theksoi Ivanov.

Presidenti madje ka kërcënuar me burg kreun e LSDM-së Zoran Zaev nëse ky i fundit nuk vjen në pushtet. Ai i humbi zgjedhjet në dhjetor. Unë mendoj se ai nuk e din në çfarë loje ka hyrë. Ishte i verbër prej dëshirës për të ardhur në pushtet. “Tani ndodhet në situatë delikate. Nëse nuk arrin të vijë në pushtet, ai mund të përfundoj në burg. Unë nuk kërcënohem. Institucionet e Maqedonisë në moment të caktuar do të veprojnë kundër tij, do ti hetojnë të gjitha rrethanat. Për shembull, do të jetë interesante pyetja se kush ja ka dhënë bisedat e përgjuara”, kërcënoi Ivanov. Ivanov ka thënë se çdo qeveri e votuar në Kuvend dhe pa marrë mandatin nga ai, do të jetë qeveri jolegjitime.

Komentet
Top