Turizmi: Shqipëria promovohet në Panairin “MITT 2017” të Moskës

0-134.jpg

Agjencia Kombëtare e Turizmit ka vijuar prezantimin e radhës së Shqipërisë turistike, në kuadrin e Panairit “MITT 2017” të Moskës, i cili po mbahet në kryeqytetin rus gjatë datave 14-16 mars.

Kështu, me bashkëpjesëmarrjen e gjashtë operatorëve të sektorit privat, stenda e Shqipërisë që në ditën e parë ka patur një numër tejet të madh vizitorësh, të cilët kanë treguar një interes të veçantë për vendin tonë.

Por në të njëjtën kohë, interes të lartë kanë treguar edhe disa nga operatorët më të mëdhenj rusë, të cilët kanë kërkuar informacion të mëtejshëm për vendin tonë dhe potencialin turistik, jo vetëm gjatë sezonit veror.

Ndërkaq, bëhet me dije se në kuadrin e këtij panairi, drejtori i Përgjithshëm i AKT-së, Ardit Çollaku ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e njërës prej kompanive më të mëdha të fluturimit në Rusi, “RusLine”, ku u diskutua për mundësinë e fillimit të fluturimeve direkte me Shqipërinë si një destinacion i ri për tregun rus.

Nga ana e tij, drejtori i departamentit tëe kompanisë “RusLine”, Alexey Donchenko, konfirmoi interesin e tij dhe të disa operatorëve turistikë rusë, për të filluar fluturimet direkte charter me vendin tonë, duke nisur që nga muaji maj i këtij viti.

Dhe teksa Agjencia Kombëtare e Turizmit po punon për rritjen e promovimit të turizmit, pjesëmarrja dhe prezenca e saj në tregun rus është një tjetër pjesë e kësaj strategjie për ta zhvilluar sa më shumë këtë sektor prioritar.

Komentet
Top