Tregu i gjelbër në Tetovë: Ngrijnë perimet, tregtarët ankohen

0-111.jpg

Gjendja ne tregun e gjelbër në Tetovë gjatë stinës së dimrit është shumë e rëndë, shkruan gazeta KOHA. Kushtet në këtë treg janë shumë të vështira, sidomos në këtë periudhë kohore kur temperaturat kanë shënuar ulje drastike, ndërsa edhe shitja e produkteve që tregtarët shesin në treg po bie dita ditës.

Shumica nga tregtarët të cilët veprimtarinë e tyre e realizojnë në tregun e gjelbër, kanë braktisur tezgat e tyre për shkak të ftohtit të acartë, ndërsa ata të cilët edhe në këto kushte ekstreme të motit kishin dalë për të shitur produktet e tyre, shprehen të indinjuar se shitja dukshëm ka rënë dhe malli i cili ngrin dhe prishet nga i ftohti nuk kompensohet nga askush. Ata ankohen se prodhimet e tyre nuk rezistojnë në këto temperatura dhe pjesa dërmuese e tyre prishen, kurse të njëjtat nuk u kompensohen.

Tregtarët thonë se nga shitja e produkteve të ndryshme varet mbijetesa e tyre. Ata nënvizojnë se edhe përkundër faktit se për hapësirën ku ata realizojnë tregtinë brenda tregut, gjegjësisht për tezgat që i shfrytëzojnë, Ndërmarrjes publike komunale “Tetova” – Tetovë i paguajnë nga tre mijë deri në pesë mijë denarë në muaj.

“Shumë pak shesim në këtë periudhë, sepse ka pak qytetarë që vijnë për të blerë dhe produktet nuk mundet që gjatë kohë të qëndrojnë në këto temperature dhe kemi humbje të dyfishta, fillimisht i blejmë, nuk shiten dhe i hedhim. Kjo ndodh pothuajse çdo vit dhe kompensime nuk kemi marrë asnjëherë. Duhet që të rregullohet mirë ky treg, të ketë ambiente pak më të ngrohta, të rrethuara mirë që të mundet që produktet të qëndrojnë më gjatë”, thotë një shitës në këtë treg.

Më problem e kanë shitësit, të cilët i shesin prodhimet e tyre që i kanë kultivuar gjatë vitit. Ata nënvizojnë se humbjet janë të mëdha në këtë kohë.

“Nuk kemi se ku të shkojmë përveçse në këtë treg. Vet i kemi kultivuar me shumë mund derisa ta marrim frytin nga arat tona dhe ta sjellim në treg, por këtu kemi shumë probleme, sepse ngrinë prodhimet në këto temperature, nuk rezistojnë dhe duhet t’i hedhim. Edhe pse kemi harxhuar shumë mund që t’i mirëmbajmë gjatë viti”, thotë një shitës tjetër në këtë treg.

Përndryshe, për dallim nga tregu i Tetovës dhe shumë tregje të tjera në qytetet e Maqedonisë Perëndimore, tregjet në qytetet e Maqedonisë Lindore kanë kushte shumë më të mira. Disa nga ato janë edhe të izoluar, me qëllim që edhe gjatë dimrit të jenë funksional dhe të punojnë me kapacitet të plotë.

“Tregjet që janë në qytetet lindore të Maqedonisë janë modernizuar, izoluar dhe kanë kushte më të mira jo vetëm për prodhimet, por edhe për shitësit, sepse edhe ne duhet të jemi në ambient më të ngrohtë. Kështu, siç jemi, nuk qëndrojnë gjatë, sepse është tepër ftohtë”, thonë tregtarët.

Ndryshe, gjatë kësaj kohe gjithnjë e më pak shitës dalin në tregun e gjelbër, pikërisht për shkak të ftohtit dhe vendosin që këto ditë të acarta të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa ata që janë në këtë treg vetëm disa orë qëndrojnë dhe largohen. Në ndërkohë, nga ndërmarrja publike e cila menaxhon me këtë treg nuk arritëm të marrim informacione se a kanë në plan që tregun e gjelbër ta rregullojnë apo izolojnë që shitësit të kenë kushte më të mira.

Komentet
Top