Trashëgimia e burrave

06_11_13_79466_f1_flaka-jpg1383725444.jpg

Një procedurë gjyqësore që zgjat me vite, një tentativë-vrasjeje dhe “zbulimi” i listës së 26 vetave që duhej eliminuar nga një organizatë terroriste e shpikur apo jo, e shënuan javën. Punën e ujit 24 orë në ditë për Prishtinën as që po e zë në gojë – sepse po më duket absurde përtej normales që do të duhej madje ta bënim lajm këtë ngjarje, këtu, në mes të Evropës, mu në shekullin XXI.

Robi i huaj

Quhet Shyhrete Berisha. Nuk e di sa vjet i ka. E di që më 26 mars 1999, serbët ia ekzekutuan bashkëshortin, Nexhatin (43), të bijat Majlindën (16), Herolindën (13), bijtë Altinin (11) dhe Redonin (22 muajsh). Shyhretja i mbijetoi ekzekutimit pasi u shtir e vdekur. Tash jeton e vdekur për së gjalli.

I mohohet e drejta për ta pasur shtëpinë ku kishte jetuar 17 vjet me bashkëshortin e saj dhe ku i kishin lindur fëmijët. Mbase mund të mos ketë qenë e punësuar, porse askush nuk mund t’ia mohojë punën në shtëpi dhe rritjen e mbarë të fëmijëve. Amvise i quajnë, dhe askush nuk ua çmon gjithë këtë punë, e cila pa dyshim se është kontribut në pasurinë e përbashkët të krijuar në martesë. Shtetet me vlera të avancuara shoqërore e kuptojnë këtë koncept ashtu si duhet. Shoqëritë patriarkale mbështeten në zakone e kanune.

Shyhretja insiston se shtëpia ku ka jetuar me familjen e saj ka qenë pronë e bashkëshortit të saj. Dëshmi për këtë e paraqet faktin se Nexhati këtë shtëpi ia kishte lëshuar me qira Misionit të OSBE-së gjatë luftës. Me të përfunduar lufta, Shyhretja kishte tentuar të kthehej në shtëpi. Kunati i saj ia kishte ndaluar qasjen.

Kishte dalë një testament, i babait të Nexhatit, ku ishte lënë në trashëgimi edhe kjo shtëpi. E testamenti është vullneti i lirë i atij që e lë pasurinë pas – dhe mund të zgjedhë kujt t’ia lë me kufizimet që i parasheh ligji. E vullneti i lirë i vjehrrit të Shyhretes paska qenë që ajo pasuri t’i kalojë tjetërkujt në pronësi.

Dhe deri këtu situatë mjaft e paqartë për ne që nuk e dimë rastin mirë. Por, situatë e cila nxjerr në pah dy momente të cilave duhet kushtuar kujdes.

I pari, po qe se prona ka qenë e Nexhatit, shtëpinë, sipas ligjit, do të duhej ta trashëgonin Shyhretja dhe prindërit e bashkëshortit. Pra, 50% Shyhretja dhe nga 25% secili prind. Dhe për këtë do të duhej zhvilluar procedurë për të përcaktuar trashëgiminë. Këtu testamenti i vjehrrit të Shyhretes do të ishte, më së paku, i kontestueshëm.

I dyti, edhe më i dhimbshmi – edhe nëse prona paska qenë e regjistruar në emër të vjehrrit, a do të duhej lënë të renë krejtësisht pa strehim dhe pa përkujdesje, veç pse i ka vdekur burri? E në rastin e saj edhe fëmijët? Ata 17 vjet bashkëjetese me të birin e familjes, dhe ata katër fëmijë, ama bash asnjë rëndësi nuk kanë? A i bie kjo ajo e vjetra: robi huaj, nuk ka hise, pavarësisht të gjithave? Nëse po, kjo lyp ndryshim të Ligjit për trashëgiminë, për t’u siguruar që rastet sikur ky të mos përsëriten. Sepse në rastin e Shyhretes, nuk po sundon drejtësia, por paragjykimet patriarkale, bile-bile edhe primitive.

Shyhretja thotë se prona e bashkëshortit të saj i është përvetësuar paligjshëm nga familja e tij. Nuk do banesë, si kompensim për humbjen burrit dhe të fëmijëve – sepse ata nuk janë mall. Janë pjesë e saj që iu rrëmbyen dhunshëm një natë të tmerrshme marsi. Krejt çka kërkon është të kthehet në shtëpinë e saj. Aty ku do të dijë t’i imagjinojë kujtimet, edhe nëse ato nuk janë. Aty ku dikur do të ketë qenë e lumtur.

Leje për të vrarë

E lumturinë duket ta kemi larg ne si shoqëri. E besa edhe si shtet.

Nga mesi i javës ndodhi një tentativë vrasjeje, në qendër të Prishtinës. Viktima: një ish-zyrtar politik, kritik ndaj marksistë-leninistëve. Atentatori: vëllai i një komandanti të vrarë gjatë luftës, i shquar për nga mijëra pyetjet (letra të shenjta i quan) që nëpërmjet internetit ia shtron herë Hashim Thaçit e herë Xhavit Halitit e ndonjëherë edhe Fatmir Limajt e Ali Ahmetit.

Nuk e di nëse ndonjëri nga këta e ka marrë seriozisht Jasharin. Nuk e di nëse janë lodhur madje t’i lexojnë pyetjet që i shkruan me një milion gabime gjuhësore. Por duket se që të gjithë e njohin, ngase ky ka qenë aktivist i lëvizjes së marksistë-leninistëve në Zvicër – aty ku janë mbledhur paratë për aktivitetin e tyre. E edhe për luftën.

Sido që të jetë, viktima shpëtoi me një plagë në krah; atentatori u zu, edhe falë kamerave të sigurisë në ndërtesë, por me gjasë edhe për shkak se e kishin përcjellë qe një kohë. E paraburgosën dhe tash akuzohet për vrasje nga hakmarrja. Sinqerisht, askush nuk po e kupton se për çfarë hakmarrje bëhet fjalë. Se nëse bëhet fjalë për librin që e ka botuar Vllasi para dy javësh – se ndonjë fjalë e saj ka mundur të zgjonte ofendim aq të madh sa për të marrë hak me plumba, atëherë kjo të bën të mendosh se kushdo prej nesh që shkruan diçka që dikujt mund të mos i pëlqejë mund ta ketë fatin e njëjtë.

Po nejse. Mbrojtja tash po thotë se ky njeri ka nevojë për ekzaminim psikiatrik, se gjasat janë se nuk është emocionalisht stabil. Po mirë. Nëse edhe kështu qenka, a do të thotë se edhe dy të arrestuarit e tjerë do të duhej t’i nënshtroheshin ekspertizës – sepse është vështirë të besohet se tre veta me probleme shpirtërore mund të bëhen bashkë për të bërë atentate kundër jetës së dikujt që i bën nervozë. Apo ndoshta edhe bëhen bashkë – se në këtë Kosovë gjithçka është e mundur.

Pasi kaloi tollovitja e parë, doli në pah prononcimi i një organizate për të cilën Policia deklaron se ka detaje. Se për çfarë detajesh bëhet fjalë, nuk flitet, sepse hetimet vazhdojnë. Organizata, po qe se ekziston, e mban emrin “Syri i Popullit”, dhe në program e ka eliminimin e “gjakpirësve antishqiptarë që kanë punuar për interesat e Jugosllavisë vrastare” si dhe “lidershipin shqiptar që është i lidhur ngushtë me shërbimet antishqiptare të shteteve evropiane dhe i zhytur deri në fund me korrupsion dhe me krim të organizuar”.

Pas dy ditësh doli Thaçi për të treguar se si po ekzistuaka një listë me 26 emra – që do të ishin viktimat potenciale të dikujt që, sipas tij, është në shërbim të Rusisë. Dhe kjo, pasi që AKI-ja doli të thotë se nuk jep asnjë informatë për asnjë gjë, për shkak se dokumentet e veta janë konfidenciale. Kjo në teori do të thotë se ose lista nuk ekziston, ose lista në fakt është dokumenti konfidencial, zbulimin e të cilit e ka bërë Thaçi duke e shkelur ligjin.

Se cila është e vërteta rreth gjithë kësaj – zor se do ta marrim vesh. Nuk e dimë me çfarë deklaratash do të dalë atentatori në gjykim kur ai të mbahet, e ndërkohë nuk e dimë as me çfarë përfundimesh do të dalë policia. Të vetmen gjë që po e dimë se këtë situatë përfundimisht na e kanë lënë trashëgim burrat e ligj. Këta që janë duke e sjellë këtë vend ashtu siç po u konvenon. Për hir të mbajtjes së pushtetit, ani që krejt përreth po na rrëzohet sikur të ishte kullë prej letre.

Letra e thatë

E letra është e vetmja gjë që duket që tash po e mban gjallë këtë koalicion qeverisës. Ende në ankthin e pritjes së veprimeve të para të Gjykatës Speciale, megjithatë dy personat kyç të PDK-së, Veseli dhe Thaçi po i intensifikojnë fushatat e tyre. Thuajse bëhet fjalë për zgjedhjet primare partiake, ku duhet të zgjidhet kandidati për kryeministrin e ardhshëm të këtij vendi.

Ligji për ushtrinë tashmë e ka hallakatur koalicionin. Qeverisë nuk i ngutet ta procedojë atë para vjeshtës. Thaçi po insiston që ligji duhet të dalë në votim menjëherë, kurse Veseli, as mish as peshk – po ua lë të dy nënshkruesve të marrëveshjes së koalicionit që të thyejnë shtizat, ndërkohë që është bërë krejt veshë, tek i dëgjon brengat e qytetarëve. Brengat që i ka shkaktuar kryesisht partia e tij, e të cilat do të duhej t’i dinte përmendsh, pa pasur nevojë të na i harxhojë paratë e buxhetit për shëtitje nëpër Kosovë.

Pra, edhe një trashëgimi që na e kanë lënë burrat që e kanë kequdhëhequr këtë vend që nga fundi i luftës. Legjislaturën, ende të papërfunduar, më të keqe që kemi pasur ndonjëherë, me zgjedhjen e deputetëve sipas qejfit të shefit të partisë; gjyqësinë që nuk është në gjendje të dëshmojë se si bëhet që barnat e dedikuara për QKUK-në të konfiskohen në ambulancat private të dy mjekëve; prokurorinë që nuk është në gjendje t’i përkthejë dokumentet e rastit “Stenta” as pas dhjetë muajsh dhe komplet sistemin që në tri vitet e kaluara ia ka dalë t’i dënojë dy avokatë publikë dhe një prokurore – dhe këtë ta paraqesë si dëshmi të luftimit të korrupsionit të profilit të lartë.

Kjo gjendje nuk do të ndryshojë, sepse nuk ka vullnet politik. Dhe për shkak se po kalkulohet me punën e Gjykatës Speciale – nëse ka zgjedhje para aktakuzave të para, gjasat për fitoren e sërishme të PDK-së janë shumë të mëdha. Për shkak të trashëgimisë që e kanë lënë pas – duke i shtrirë rrjetet krejt ku kanë mundur për ta ngufatur ndryshimin.

Prandaj, deri në marrjen e vendimit për shqyerjen e letrës që e mban këtë koalicion gjallë, mbase nuk duhet çuditur, nëse nesër do të na shfaqet ndonjë “Vetull e popullit”, për të na e tërhequr vëmendjen nga problemet shumë, shumë më të rëndësishme sesa që është karriera politike e secilit prej këtyre burrave që mendojnë se Kosovën e kanë pronë të veten që ua ka lënë baba trashëgim, e që do t’ua trashëgojnë djemtë.

Komentet
Top