BE thotë se bombardimet në Alepo “mund të përbëjnë krime lufte”

0-147.jpg

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë dënuar fuqishëm sulmet ajrore të Rusisë dhe Sirisë, që kanë pasur për cak civilët, në zonat e kontrolluara nga rebelët në lindje të Alepos, duke thënë se këto akte “mund të përbëjnë krime lufte”.

Në deklaratën e 28 anëtarëve të bllokut, pas takimit të zhvilluar më 17 tetor në Luksemburg, është thënë se “që prej fillimit të ofenzivës së regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe aleatëve të tij, sidomos Rusisë, intensiteti dhe shkalla e bombardimeve ajrore në lindje të Alepos është qartazi në disproporcion”.

Ofenziva e regjimit sirian dhe forcave ajrore ruse ndaj qytetit të Alepos filloi pas kolapsimit të marrëveshjes së armëpushimit, muajin e kaluar.

Në deklaratën e ministrave të BE-së, po ashtu, është thënë se gjatë ofenzivës “janë sulmuar spitalet, personeli mjekësor, shkollat dhe infrastruktura e nevojshme dhe po ashtu janë përdorur bombat fuçi dhe armë kimike”, njofton agjencia Reuters.

Britania dhe Franca kanë kërkuar dënim më të fuqishëm për Sirinë dhe Rusinë.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka thënë se bombardimet e Rusisë dhe Sirisë mbi qarqet e kontrolluara nga rebelët në Alepo janë “turp për njerëzimin”.

Disa nga ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së kanë thënë se sanksionet kundër Rusisë mund të mos kenë ndikim, për më tepër ato mund të jenë kundër produktive, njofton Associated Press.

“Në këtë kohë, nuk shoh se si sanksionet, me efekt të mundshëm afatgjatë, mund të kontribuojnë në dërgimin e ndihmave për popullatën civile”, ka thënë ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

“Nuk jam i vetmi që në këtë rast është skeptik lidhur me sanksionet”, ka shtuar tutje ai.

Në deklaratën e përbashkët, ministrat e bllokut i kanë bërë thirrje Rusisë që të bëjë përpjekje të “ndalë bombardimet, të ndërpriten armiqësitë, dhe të sigurohet qasje e menjëhershme e ndihmave humanitare dhe të krijohen kushte për një trazicion politik të besueshëm dhe gjithpërfshirës”.

Edhe pse Rusia nuk u kërcënua se do të përballet me sanksione të reja, ministrat e BE-së u fokusuan më shumë tek regjimi sirian.

Ministrat kanë thënë se BE-ja do të veprojë “me shpejtësi, sipas procedurave të përcaktuara, me qëllim të vendosjes së masave të mëtejshme shtrënguese kundër Sirisë, kundër individëve dhe subjekteve që mbështesin regjimin sirian”.

BE-ja kishte vendosur sanksione kundër Sirisë në maj të këtij viti. Ato janë në fuqi deri në qershor të vitit 2017.

Moska ka thënë se një armëpushim afatgjatë në Siri, gjë që po kërkojnë vendet perëndimore, do t’u jepte mundësi rebelëve të rigrupohen.

Por, më 17 tetor, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar se gjatë ditës së enjte – për tetë orë – në qytetin e Alepos do të ndalen bombardimet, me qëllim që civilët dhe rebelët të mund të largohen nga qyteti.

Lidhur me këtë njoftim, Shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se armëpushimi tetë orësh mund të jetë fillimi.

“Në njoftimin e bërë nga Rusia për armëpushimin tetë orësh, e dini, mund të jetë fillimi. Ka diskutime të vazhdueshme nëse tetë orë janë të mjaftueshme ose jo që konvojet të dërgojnë ndihma në lindje të Alepos. Por, sigurisht është një hap pozitiv, por vlerësimi i fundit që kemi pasur nga agjencitë e OKB-së është se për shpërndarjen e ndihmave humanitare në Alepo janë të nevojshme 12 orë, prandaj unë besoj se do të ketë pak punë për të gjetur gjuhën e përbashkët”, ka thënë Mogherini.

Sipas shifrave të OKB-së, në qytetin e rrethuar të Alepos, jetojnë mbi 250 mijë civilë./rel

Komentet