Tetovarët: Nuk na frikësojnë helikopterët e qeverisë VMRO-BDI

helio.jpg

Fluturimet e shpeshtuara të helikopterëve mbi qiellin e Tetovës, si dhe lëvizjet e shtuara të transporterëve policorë e ushtarakë, banorët e këtij qyteti i shohin si tentim nga qeveria e VMRO-së dhe BDI-së për të frikësuar banorët e kësaj ane.

“Kot e kanë, nuk na frikëson as VMRO-ja as BDI-ja. Mos të harxhojnë kot karburante për helikopterët e transporterët se qytetarët nuk frikohen nga lojnat e politikës”, tha për Gazetën Lajm një banor 62 vjeçar i Tetovës.

Ka edhe të atillë që haptazi shprehin dyshime se këto aktivitete të shtuara janë parapërgatitje për skenare të reja destabilizimi me qëllim që të ruajnë pushtetin.

“Ndoshta po përgatisin ndonjë skenar të ri si në Kumanovë, nuk është çudi. Nuk besoj se do të kenë sukses, sepse popullata i ka kuptuar skenarët e kësaj qeverie. Edhe ndërkombëtarët e dinë se këto janë lojëra të VMRO-së dhe të BDI-së me ruajt pushtetin”, thotë studenti 22 vjeçar, i cili na prezantohet me emrin Bekim.

Në Tetovë me të madhe komentohet në kontekst negativ vendimi i BDI-së për të mbetur edhe më tej në qeverinë e VMRO-DPMNE-së. Këtë vendim ata e vlerësojnë si thikë pas shpine nga BDI edhe për shqiptarët edhe për Zoran Zaevin dhe dëshmi se BDI nuk e ka ndërmend të largohet prej partnerit të saj strategjik.

Ndryshe kohën e fundit përveç në Tetovë, fluturime helikopterësh vërehen edhe në Shkup edhe atë jo vetëm në ditët kur mbahen ka seanca gjyqësore kundër Grupit të Kumanovës.

Komentet
Top