Tetova e para me shitore në Maqedoni

tetova-foto.jpg

Komuna e Tetovës është e para në Maqedoni për nga numri i objekteve të tregtisë me pakicë. Të dhënat e Entit të Statistikës tregojnë se në Tetovë ka 1500 dyqane, pasojnë Kumanova me 1252 dhe Manastiri me 1135 dyqane, shkruan gazeta KOHA. Edhe vizitorët e Tetovës mund të konstatojnë se në këtë qytet, në çdo hap vërehen dyqane të ndryshme, si ushqimore, të tekstilit e kështu me radhë apo edhe qendra tregtare që, megjithatë, nuk e ndihmojnë zhvillimin e ekonomisë lokale, për shkak të numrit tejet të ulët të kapaciteteve prodhuese në këtë rajon që janë shtyllë e një ekonomie të zhvilluar. Sipas anëtarit të Këshillit Drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderez Kuçi, një bum i tillë i hapjes së dyqaneve në Tetovë rrjedh nga mbretërimi i konceptit të vjetër të ushtrimit të biznesit nga ana e mërgimtarëve nga ish shtetit jugosllav, që e kanë pasur ëndërr të kenë një dyqan në vendlindje.

“Hapja e dyqaneve në çdo cep jo vetëm të Tetovës, por edhe Gostivarit apo Kërçovës, ka shkaktuar që edhe çmimet e hapësirave afariste në këto qytete të jenë ndër më të lartat në Maqedoni për metër katrorë. Pra, në të kaluarën, posedimi i një dyqani ka qenë i motivuar me posedimin e një lloj sigurie për ardhmërinë e tyre ekonomike. Megjithatë, sot stërngopja e Tetovës me lokale afariste e ngulfat punën e tyre, për shkak të mungesës së konceptit të punës dhe shpesh edhe grumbullimit të së njëjtës veprimtari. Bile, ndodh edhe që dyqanet të dëmtojnë punën e njëri tjetrit me konkurrencë jolojale lidhur me çmimet”, thekson për KOHA, Kuçi.

Sipas tij, është koha e fundit të një riorientimi i zhvillimit ekonomik të Tetovës, me ofrimin e një koncepti krejt ndryshe që do të rrisë punësimet, mirëqenien dhe do të zbusë mërgimin e madh të rinjve të kësaj ane. “Nevojitet që nga pushteti lokal të ofrohet koncept zhvillimor i bazuar në potencialet e këtij rajoni, që do t’i adresohet pushtetit qendror, duke kërkuar infrastrukturën dhe mjetet e nevojshme për një gjë të tillë, përmes një planifikimi të kujdesshëm që nënkupton kërkesa konkrete deri tek pushteti qendror, duke i shfrytëzuar avantazhet konkurruese që i posedon ky rajon”, shton më tej Kuçi.

Sipas tij, koncepti zhvillimor pritet të ofrojë zgjidhje për çështjet e ndryshme, duke filluar nga kapacitetet njerëzore dhe financiare, fuqinë punëtore, teknologjitë e reja, demografinë si dhe të ofrojë parapërgatitje për hapjen e ndërmarrjeve të rejë të vogla dhe të mesme në degë të ndryshme ekonomike. Në ndërkohë, analizat tregojnë se në Maqedoni ka 18.749 kapacitete shitëse në tregtinë me pakicë prej të cilave, 18.266 janë shitore dhe 483 janë pompa të benzinës.

“Shikuar sipas komunave, koncentrim më të madh ka në Tetovë me 8.1 për qind, Kumanovë me 6.9 për qind, Manastir me 6.1 për qind, Prilep me 5.4 për qind, Komuna Qendër në Shkup me 5.3 për qind, Strumicë me 4.4 për qind, Ohër me 3.8 për qind, Veles me 3.4 për qind dhe Strugë me 3.3 për qind. Me fjalë të tjera, në territoret e këtyre komunave është e koncentruar më shumë se gjysma e kapaciteteve shitëse të tregtisë me pakicë, apo 54.6 për qind e totalit të shtetit”, thuhet në publikimin më të ri të Entit të Statistikës, “Regjistri i kapaciteteve shitëse në tregtinë me pakicë në Maqedoni në vitin 2016”. Kjo, e shprehur në shifra do të thotë se në Tetovë ka 1500 dyqane, pasojnë Kumanova me 1252 dhe Manastiri me 1135 dyqane. Në ndërkohë, numrin e parë me pompat e benzinës, me 34 e mban Kumanova, e pasura me 19 nga Velesi dhe Strumica, me 17 nga Tetova dhe Gjevgjelia dhe me 13 nga Komuna e Bogovinës.

Ndryshe, analizat e caktuara kanë dhënë edhe përparësitë dhe mundësitë mbi të cilat mund të bazohet programi për zhvillim i rajonit të Pollogut. Këto janë fryma e zhvilluar biznesi, tradita dhe përvoje në sektorë të ndryshëm ekonomik, si dhe zhvillim i rrjetit ekzistues i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Fuqia punëtore në dispozicion me çmim konkurrent, mërgimtarët dhe resurset e përgjithshme njerëzore, të cilët me sjelljen e inovacioneve dhe me aplikimin e teknologjisë së informatikës dhe të telekomunikacionit në procesin arsimor dhe prodhues, mund të vihen në funksion të zhvillimit rajonal, thuhet në planin zhvillimor të rajonit të Pollogut.

“Pozita e volitshme gjeografike, e cila me zhvillim të mëtutjeshëm të rrjetit dhe kapaciteteve infrastrukturore, mund të ndikojë në orientimin e ekonomisë kah eksporti dhe në përmirësimin e bashkëpunimit ndërkufitar, ekzistimi i qendrave turistike, si bazë për zhvillim të llojeve të ndryshëm të turizmit gjatë gjithë vitit, toka bujqësore dhe terreni i përshtatshëm për blegtori hap mundësi për zhvillim të mëtutjeshëm të industrisë së qumështit dhe mishit, përqindje e lartë e popullsisë së moshës së re, që mundëson zhvillimin e profesioneve bashkëkohore e kështu me radhë”, konsiderohen avantazhet tjera të zhvillimit të ekonomisë në këtë rajon.

Komentet
Top