“Tensionet po rriten në Ballkan, BE të ndërhyjë”

0-119.jpg

Shefi i diplomacisë italiane, Angelino Alfano kërkoi nga Tirana, në krah të homologut Ditmir Bushati, një impenjim konkret nga ana e BE-së në Ballkanin Perëndimor, pasi situata aktuale në këto vende është e tensionuar, e shoqëruar me një retorikë nacionaliste nga ana e disa liderëve politikë.

“Ballkani Perëndimor është një zonë që ka rëndësi strategjike për të gjithë Europën. Pavarësisht arritjeve të konsiderueshme në kuadër të procesit të integrimit, risqet për destabilizim në rajon po rriten, duke vënë në pikëpyetje edhe rezultatet pozitive të arritura deri tani. Jemi duke asistuar në një shfaqje progesive të tensioneve mes vendeve të rajonit dhe kjo rritje e tensioneve është e shoqëruar me rritje të përdorimit të retorikës nacionaliste nga ana e disa liderëve politikë në rajon. Pikërisht për shkak të kësaj situate, BE-ja duhet të riafirmojë rolin e vet si partner kryesor në të gjithë këtë rajon dhe të dërgojë një mesazh të fortë konkret impenjimi në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha Alfano.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun Ditmir Bushati, theksoi se Italia e mbështet procesin e reformave të vendit tonë. Kur u pyet për bojkotin e opozitës, Alfano tha: “Ne mbështesim procesin e reformave të Shqipërisë, që përkon me prioritetet kyçe. Nuk mund të futem në dinamikën politike të një vendi të lirë dhe sovran”.

Ndërsa ministri Bushati tha se “reforma në drejtësi është elementi thelbësor për ringritjen e besimit te qytetarët”.

Komentet
Top