Të dhëna tjera që vërtetojnë se zgjedhjet e 11 dhjetorit mund të jenë të paligjshme!

0-256.jpg

Po afrohen edhe një palë zgjedhje të jashtëligjshme. Kuvendi nuk arriti të koordinohet me partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos; BDI, LSDM, PDSH dhe VMRO-DPMNE, që t’i balancojnë njësitë zgjedhore. Por, as vet partitë politike nuk treguan interes për t’a zgjidhur këtë çështje.

Analizat e fundit janë edhe më bindëse në vërtetimin e ndryshimeve të numrit të votuesve në njësi të ndryshme zgjedhore.

Analisti politik, Robert Nesimi kujton se zgjedhjet parlamentare të këtij viti, të caktuara për 11 dhjetor janë anti-kushtetuese dhe të jashtëligjshme qysh ditën kur janë shpallur.

Njësia numër 6 përsëri ka 5% më tepër votues se mesatarja apo 11% më tepër se njësia më e vogël. Kështu, sipas tij, le që nuk është garantuar as ligjërisht barabarësia e votës, por tanimë as që nuk tentohet të fshihet.

“Fajin për këtë e kanë të gjitha partitë parlamentare, pa përjashtim, sepse janë ata që është dashur të bëjnë ridefinimin e njësive zgjedhore para se të shpallen zgjedhjet. Nga ana tjetër kjo pabarabarësi nuk duhet të na habitë, sepse nuk është se ndodh për herë të parë. Me probleme të njëjta është shkuar edhe në zgjedhjet e vitit 2008, por ky fakt u harrua shumë shpejtë dhe ai parlament jolegjitim më gjithë Qeverinë jolegjitime vazhduan të funksionojnë tre vitet e ardhshme. Kështu do të ndodhë edhe këtë radhë, përderisa vazhdojmë të trajtojmë shkel e shko problemet e sistemit zgjedhor dhe listave zgjedhore”, sqaron Nesimi.

Prej vitit 2014 deri në vitin 2016 (pas pastrimit të Listës Zgjedhore), numri i votuesve nëpër njësitë zgjedhore komunat e Maqedonisë ka ndryshuar, gjegjësisht në disa ka rënë, ndërkaq në disa tjera është ngritur.

Edhe pse është pastruar Lista Zgjedhore, në Komunën e Zhupës (Njësia numër 5), nga viti 2014 deri në vitin 2016 ka pasur rritje të numrit të votuesve për 13%, gjegjësisht për 816 votues. Në Komunën e Kërçovës (Njësia numër 6), nga viti 2014 deri në vitin 2016 (pas pastrimit të Listës Zgjedhore), ka pasur rritje të votuesve për 11% ose për 1896 votues, ndërkaq në njësinë numër 5 të Kërçovës për 3.7% gjegjësisht për 1.100 votues. Për Komunën e Kërçovës mund të ilustrohet me shembull “sikur të lindin nga 10 fëmijë në çdo familje (para 18 vjetëve).

Nga ana tjetër, zvogëlim i numrit të votuesve është vërejtur në Komunën e Çairit, edhe atë, nga viti 2014 deri në vitin 2016 (pas pastrimit të Listës Zgjedhore), numri i votuesve të Çairit në Njësinë Zgjedhore numër 2 është zvogëluar për 2.9% apo për 682 votues, ndërkaq numri i votuesve të Çairit në Njësinë Zgjedhore 1 për 4.7% apo për 1537 votues./Portalb

Komentet