Speciales po i vështirësohet puna, ja skenaret

katica.jpg

Vendimi i Gjykatës së lartë që të mos pranojë asnjë ankesë të gjykatësve të pakënaqur nga sistemimi i ri në Gjykatën Penale, për avokatin, Zvonko Davidoviq është dëshmi se dikujt i përshtatet, gjykatësit që janë pjesë e “bombave” ose për të cilët PSP-ja kërkon përcaktimin e veprimit joprofesional, të jenë në pozicione kyçe në Gjykatën Themelore Shkupi 1.

 Davidoviq është i bindur se dikush nga jashtë e drejton Gjykatën Penale dhe bën orarin e gjykatësve sipas dëshirës së dikujt. Ai konsideron se orari i ri i ushtruesit të detyrës kryetar, Stojançe Ribarev, i cili është thuajse identik me atë të paraardhëses së tij, do t’ia vështirësojë në mënyrë plotësuese punën Prokurorisë Speciale me këtë gjykatë.

”Është evidente, por edhe faktet tregojnë se orari është i njëjtë, përkatësisht në raport me Prokurorinë Speciale është i pandryshuar, njerëzit që punonin dhe i refuzonin të gjitha propozimet e mundshme të Prokurorisë Speciale, sërish janë në vendin e njëjtë, Gjykata Supreme merr vendime të njëjta, madje edhe tenton të spinojë se, Prokuroria Speciale tani nuk bashkëpunon dhe kur do të shikoni rezultati është i njëjtë, gjyqësori është i fundosur” – tha për Alsat-M, Zvonko Davidoviq, avokat.

Me shtrirjen e këtillë të gjykatësve “Svarovski” në Gjykatën Penale, Davidoviqi është i bindur se aktakuzat e radhës të Prokurorisë Speciale nuk kanë ardhmëri. Katica Janeva do të përballet me rezistencë të ashpër të gjykatësve që vendosin për paraburgim në lëndë të caktuara.

”Në përbërje të këtillë po, dhe këtë e dëshmoi praktika. Jo vetëm që nuk do të ketë paraburgim, jeni të vetëdijshëm se asnjë urdhër i thjeshtë nuk zbatohet dhe gjykata nuk qëndron prapa tij. Është i turpshëm pohimi i kryetarit të Këshillit Gjyqësor se gjyqësori funksionon meqë ka lëshuar urdhër, por gjykata nuk është kujdesur që të respektohet ky urdhër i saj” – u shpreh Zvonko Davidoviq, avokat.

Pikërisht për shkak të degradimit të gjykatësve nga Gjykata Penale, është pezulluar tërësisht orari i ish ushtrueses paraprake të detyrës kryetar, Tatjana Mihajllova. Pasi që gjykatësit suprem i pranuan thuajse të gjitha ankesat e kolegëve të saj, ajo dha dorëheqje të parevokueshme. Në vendin e saj erdhi gjykatësi suprem Stojançe Ribarev. Edhe ai është me status të ushtruesit të detyrës së kryetarit. Përpiloi thuajse orar identik si Mihajllova, por Gjykata supreme në mënyrë të shpejtuar refuzoi të 17 ankesat.

Komentet
Top