Si ta kaloni kohën e provimeve me sukses dhe pa stres?

stress_d5e9d.jpg

Koha e provimeve është një nga periudhat më të vështira për të rinjtë. Eshtë një kohë që shpeshherë shoqërohet edhe me stress, ndaj për t’ju ardhur në ndihmë më poshtë do të gjeni 5 këshilla sesi ta kaloni lehtë këtë periudhë.

1.Mos e lini pas dore ushqimin

Gjatë kohës që mësoni është e rëndësishme për organizmin të ushqehet mirë. Mëngjesi duhet të jetë një vakt i pasur me drithëra, fruta të freskëta, lëngje apo fruta të thata: 3-4 lajthi apo 5-6 bajame. Çaji, kafeja apo qumështi janë më të preferuarit.Edhe dreka, pasditja dhe darka janë të rëndësishme. Që ta kaloni me sukses kohën e provimeve duhet që të ushqeheni mirë, të jeni të fortë fizikisht që të keni dhe një mendje e kujtesë të mirë.

2.Flini mirë, mos rrini pa gjumë

Qetësia dhe gjumi me orar të plotë konsiderohen si çelësi i suksesit. Ekspertët këshillojnë se një gjumë i qetë, çlodhës dhe jo më pak se 8 orë ju jep energji, forcë dhe më shumë dëshirë për të mësuar. Për më tepër që ju largon stresin dhe ju bën të ndiheni të freskët. Asnjëherë mos lini diçka për të përsëritur apo mësuar në orët e vona të natës, po ashtu mos lini gjëra për t’u përsëritur në mëngjes nëse do të duhet të zgjoheni. Zgjimi i kushtëzuar nga gjumi do ju bëjë të mos jepni rezultatin që dëshironi dhe sigurisht të keni më shumë stres dhe ankth para se të futeni në provim.

3.Mos i mësoni të gjitha në një ditë

Është e rëndësishme që i gjithë materiali që kemi për të mësuar të ndahet në mënyrë të barabartë mes ditëve brenda së cilës duhet t’i mësosh. Ekspertët këshillojnë që ditëve të para t’u lihet më shumë ngarkesë trurit, sepse është më i freskët për të përthithur konceptet e reja dhe më të vështirat, ndryshe nga ditët e fundit, ku “rezistenca” e tij bie, për shkak të ngarkesës së tepërt. Por nëse keni lexuar apo mësuar gjatë vitit, e keni shumë më të thjesht punën.

4.Kini besim në vetvete

Besimi në vetvete është shumë i rëndësishëm. Duhet të besoni gjithmonë se ato që keni mësuar do t’ju kujtohen në momentin kur të filloni provimin. Mendo që do t’ja dalësh dhe do të dini si të dilni nga situata.

5.Bëni vrap për të çliruar energjinë negative

Gjeni kohë për aktivitet fizik. Vrapi ju ndihmon të çlironi energjitë negative dhe njëkohësisht mendimet e këqija. Sporti sigurisht që është ilaçi më i mirë për t’u ndjerë në formë dhe për të përthithur më mirë leksionet që keni për të mësuar.

Komentet
Top