Rama paralajmëron: Nëse BE-ja mbyll dyert bashkohemi me Kosovën

edi-rama1-620x426.jpg

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur në dy media të ndryshme, ka theksuar se nuk përjashtohet mundësia e bashkimit Shqipëri-Kosovë nëse sipas tij, perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Ballkanin Perëndimor zbehet, ndërsa për krizën në Maqedoni ai është shprehur se nuk mund të nxitet një konflikt etnik për pushtet.

Në një intervistë për “politico.eu”, Rama ka folur për situatën në Ballkan, vizionin që ka Bashkimi Evropian rreth perspektivës së zgjerimit, duke theksuar se duhet më shumë vëmendje ndaj rajonit.

I pyetur nëse është në tavolinë opsioni i bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, Rama u shpreh se “Jo, sepse e vetmja mënyrë që t’a mbash Ballkanin në këtë situatë paqësore dhe bashkëpunuese është duke i mbajtur rrugën drejt anëtarësimit në BE të hapur, t’i japësh një perspektivë të qartë si dhe t’i japësh një ndjenjë pozitive rreth BE-së. Askush nuk do të donte bashkime të vogla, të gjithë duan të jenë pjesë e bashkimit të madh. Por, nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë, atëherë, sigurisht që bashkimet e vogla mund të ndodhin.”

Ai ka folur edhe për vizionin që ka Bashkimi Evropian rreth zgjerimit, duke theksuar se “Ekziston një mungesë e të kuptuarit, ose mungesa e vizionit për të mos e kuptuar se ky rajon ka nevojë për Evropën, por edhe Evropa ka nevojë për këtë rajon.”

Rama ka bërë thirrje për më shumë vëmendje të BE-së ndaj rajonit.

Nuk mund të nxitet një konflikt etnik për pushtet
Rama, në një emision në një televizion lokal në Tiranë, ka folur mbi zhvillimet e fundit politike në Maqedoni duke thënë se po krijohet një ndasi e pamerituar për shqiptarët dhe maqedonasit.

Duke vënë në dukje se pretendimet se përgatitja e platformës së partive shqiptare është bërë në Tiranë janë spekulime, Rama është shprehur: “Një gënjeshtër, një politikë e shijes më të keqe, sepse po krijohet një ndasi etnike krejtësisht e pamerituar për popullin maqedonas dhe shqiptar, mbi bazën e një gënjeshtre.”

Ai ka thënë se nuk është absolutisht e vërtetë që “platforma e quajtura e Tiranës”, është shkaku i situatës dhe më pas ka shtuar: “E vërteta është se Gruevski dhe partia e tij janë dakorduar pa vënë kushte me platformën e Tiranës dhe kur nuk është realizuar dakordësia për shkaqe që Gruevski i di shumë mirë, atëherë janë hedhur mbi platformën e Tiranës e cila nuk është e Tiranës fare, duke krijuar një ndasi me shqiptarët që është krejtësisht e paarsyeshme. Nuk mund të nxisësh një konflikt etnik për arsye pushteti. Është thjeshtë një arsye pushteti dhe nuk ka fare lidhje me atë që propagandohet. Kjo është e vërteta. Ajo që quhet platforma e Tiranës është thjeshtë një platformë e partive shqiptare në Maqedoni të cilat për herë të parë vendosën interesin e shqiptarëve mbi interesat e tyre politike dhe bënë një punë shumë të mirë.”

Ndërsa pyetjes se nëse do të ishte më mirë të mos bëhej publik takimi me partitë shqiptare, Rama i është përgjigjur: “Shqipëria e ka treguar qëndrimin e saj për komunitetin maqedonas me një provë shumë të madhe. Një komuniteti që është shumë i vogël në numër në zonën e Korçës, u vendosëm edhe emrin sikurse e donin, Pustec, ju dhamë një bashki të tyren, vetëm për të dhënë një masazh të qartë bashkëjetese ashtu siç duhet të jetë. Jo më një popull shtetformues në Maqedoni që është pjesë e etnitetit shtetëror maqedonas, të mund të trajtohet sikur është një popull i dorës së dytë, por kjo nuk mund të ndodhë. Është vërtetë e madhe kjo që partitë shqiptare kanë bërë dhe nga ana tjetër është tepër e ulët që goditet e ashtuquajtura platforma e Tiranës duke nxitur një ndasi larg interesave të Maqedonisë.”

“Në duam një Maqedoni shumë stabël, shumë të fortë dhe shumë të zhvilluar”, ka thënë Rama dhe më pas ka shtuar: “Maqedoninë e kemi parë me shumë respekt dhe madje me admirim këto 10 vitet e fundit sepse vërtetë është bërë një shembull për shumë gjëra të mira që kanë bërë. Çdo gjë ka një kufi dhe boll kjo lojë me shqiptarët dhe boll kjo lojë me të ashtuquajturën platforma shqiptare. Nuk mund të luash politikisht për të goditur kundërshtarin e të njëjtës etni duke futur ndasi me një etni tjetër. Kjo është shumë e rrezikshme dhe unë jam shumë i shqetësuar për këtë.”

Komentet
Top