Rama emëron ministrat e rinj

edi-rama1-620x426.jpg

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot paradite në përfundim të mbledhjes së kryesisë së Partisë socialste emrat e katër anëtarëve të qeverisë së tij. Në postin më të rëndësishëm, atë të ministrit të Brendshëm, në vend të Saimir Tahirit, është emëruar Fatmir Xhafaj, një figurë e njohur socialiste, disa herë ministër edhe në qeveritë e mëparshme të së majtës.

Që prej vitit 2013, ai ka drejtuar Komisionin parlamentar të Ligjeve, ndërsa udhëhoqi të gjithë procesin e Reformës në Drejtësi.

Në kabinetin qeveritar do të përfshihen edhe dy gra. Ogerta Manastirliu, drejtoresha aktuale e Qendrës universitare spitalore të Tiranës “Nënë Tereza” do të marrë drejtimin e ministrisë së Shëndetësisë, duke pasuar Ilir Beqjan. Ndërsa deputetja socialiste Olta Xhaçka do të zëvendësojë Blendi Klosin në ministrinë e Mirëqënies sociale dhe Rinisë.

Një tjetër deputet, Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit parlamentar për Aktivitetet prodhuese, është emëruar ministër i Pushtetit Vendor në vend të Bledi Çuçit.

Kryeministri Rama tha se do t’i dërgojë menjëherë emrat e ministrave të shkarkuar dhe të zëvendësuesve të tyre presidentit Bujar Nishani për dekretim. Ministrat e rinj do të marrin detyrën pas votimit në parlament.

Komentet
Top