Pesë vite burg për blerje votash

0-252.jpg

Përkundër faktit se fushata elektorale e partive politike në Maqedoni është duke u zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe pa probleme të mëdha, personat të cilët eventualisht synojnë apo planifikojnë vjedhje të votave, thyerje të kutive zgjedhore si dhe pengim të procesit zgjedhor, dënohen me minimum tre vite burg.

Shkelja e përcaktimit të lirë të qytetarëve gjatë realizimit të së drejtës kushtetuese për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen me 11 dhjetor, sipas Kodit Penal të Maqedonisë, mund të sanksionohet në mënyra të ndryshme, qoftë me burg apo me gjoba në të holla.

Dispozitat penale të sistemit juridik të Maqedonisë thonë se ky dënim rrezikon t’ju shqiptohet atyre personave të cilët me përdorimin e dhunës, kërcënimeve, mashtrimeve apo llojeve tjera të hajnisë do të detyrojnë ose pengojnë një qytetar të realizon ose jo të drejtën e votës, respektivisht të ndikojnë në vendimin përfundimtar të votuesit. Dënime të ngjashme si për kërcënuesit dhe shantazhuesit, Kodi Penal parasheh edhe për keqpërdoruesit e të drejtës së votës.

“Ai i cili gjatë ditës së zgjedhjeve do të votojë në emër të huaj, apo këtë të drejtë do ta realizon më tepër se një herë, do të dënohet me minimum tre vite burg. Ky sanksionim e pret poashtu edhe personin i cili do të merr pjesë në ciklin zgjedhor si votues, përkundër asaj se ai është i njoftuar se nuk ka të drejtë ligjore që ta bëjë një gjë të tillë”, thuhet në Kodin Penal të Maqedonisë.

Duke ju referuar publikimit të fundit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, thuhet se në zgjedhjet e 11 dhjetorit të drejtë vote në Maqedoni, kanë mbi 1.7 milionë qytetarë./Koha

Komentet