PD fillon me protesta, bllokim total i rrugëve

protesta-e-10-shkurtit-2007.jpg

Pas djegies së afateve në KQZ për pjesëmarrjen në zgjedhje, opozita ka vendosur të kalojë në aksione dhe protesta më radikale. Dje drejtuesit PD-së vendosën që protesta nuk do të zhvillohet vetëm te çadra në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por në të gjithë vendin. Protesta masive do të nisin ditën e hënë për të vijuar pa afat. Të hënën është parashikuar të zhvillohet një nga tubimet më të mëdha në gjithë vendin. Tubimi është ideuar në një mënyrë të pazakontë deri më sot dhe ngjan më tepër me mosbindje civile. Demokratët janë udhëzuar që të bllokojnë të gjitha rrugët kryesore të qyteteve të vendit. Të paktën për një orë, nga ora 11:00 deri në 12:00 qarkullimi i makinave në gjithë vendin do të bllokohet. Protesta më e madhe do të zhvillohet në Tiranë me datë 30 prill, ku demokratët llogarisin të nxjerrin rreth 200 mijë persona në shesh. Bllokimi i rrugëve do të ndodhe që nga autostrada Tiranë-Durrës dhe deri në qendër të qytetit. E njëjta skemë do të ndiqet edhe në qytete të tjera të vendit.

Vendimi i djeshëm i PD-së është një kthesë e fortë në gjithë krizën politike dhe rrezikon fatin e negociatave politike me Partinë Socialiste. Protesta do të zhvillohet në momentin kur në Tiranë do ketë mbërritur negociatori i Partive Popullore Europiane për zgjidhjen e krizës, David McAllister. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kërkuan shtyrjen e afateve për regjistrimin e PD-së në KQZ, me shpresë se ardhja e negociatorit të PPE do të prodhojë një marrëveshje politike mes palëve. Me lëvizjen e djeshme të PD-së është e paqartë se cili do të jetë fati i negociatave në kohën që PD-ja del nga çadra dhe hap protestën në gjithë vendin. Acarimi i situatës me protesta janë mosbindje civile. Por kjo tensionon gjithë shoqërinë dhe mund të sjellë konflikte, praktikisht rrëzon dhe negociatat. Me 200 mijë njerëz në rrugë, PS dhe PD do ta kenë shumë herë më të vështirë të arrijnë një pakt. Ndërkohë po dje, Basha theksoi edhe një herë se kushti kryesor është qeveri teknike dhe zgjedhje të rregullta.

Një pjesë e skenarit të protestave u bë bërë publik mbrëmjen e djeshme nga kreu i PD-së, Lulzim Basha në fjalimin e mbajtur në çadrën e PD. Basha tha vetëm orën e protestave dhe daljen e njerëzve në akset kryesore rrugore. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme Basha ka mbledhur gjithë drejtuesit e degëve të Partisë Demokratike në rrethe ku kanë diskutuar detajet e protestave masive në gjithë vendin. Në takim është kërkuar angazhim i çdo demokrati dhe opozitari në protesta. Basha ka kërkuar nga krerët e degëve që të thërrasin në protestë të gjithë qytetarët që janë të pakënaqur nga qeverisja.

Pas detajeve të takimit me krerët e degëve të PD, Basha ka zhvilluar dhe një takim urgjent me aleatët e PD-së ku është vendosur përfundimisht përshkallëzimin e situatës. Veç tubimit të së hënës, demokratët kanë vendosur dhe axhendën e protestave në ditët në vijim. Në 5 maj pritet të zhvillohen sërish protesta masive në gjithë vendin, për të kulmuar më pas me një superprotestë në Kavajë ku duhet të zhvillohen zgjedhjet lokale. Edhe pse askush nuk e ka të qartë se çfarë do të ndodh në Kavajë, burime nga PD thonë se pas këtij tubimi protesta do të vijojnë përditë në gjithë vendin, deri në rrëzimin e qeverisë.

Ky është skenari i ideuar nga opozita deri mbrëmjen e djeshme. Kjo javë do të jetë vendimtarja në gjithë procesin politik të vendit. Mazhoranca është në pritje të David McAllister, si njeriun që mund të sjellë “forumulën” e zgjidhjes së krizës.

Nëse nuk gjëndet zgjidhje atëhere ka frikë se mos turmat do të acarohen dhe do përplasen me policinë.

Komentet
Top