Nuk mbaj mend emrat. A kam probleme?

kujtes.jpg

Ka njerëz që e kanë shumë të vështirë të fiksojnë emrat e personave të tjerë. Cilat mendoni se janë shkaqet neurologjike që çojnë në një problem të tillë?

Nëse disa persona nuk i fiksojnë dot emrat e njerëzve, kjo nuk do të thotë se kemi të bëjmë me ndonjë patologji. Por çfarë ndodh? Në kohën në të cilën jetojmë, njerëzit janë shumë të stresuar dhe ngarkuar me punë. Ndërkohë që vetë truri disa qendra i mban të nxitura, disa të frenuara, kjo varet nga ajo çka kemi përparësi në atë moment.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë që këto informacione janë të humbura vetëm sepse një zonë ka qenë e nxitur dhe një e frenuar. Truri i regjistron të gjitha, prandaj shpeshherë disa gjëra na kujtohen më vonë.

Por nëse flasim për njerëz të cilët e takojnë dikë shumë shpesh dhe përsëri kanë problem për të mbajtur mend emrin, atëherë këtu ndryshojnë gjërat. Nëse kjo bëhet e përsëritur, zgjat në kohë dhe shoqërohet me gjëra të tjera, duhet parë sepse mund të jetë dhe paralajmërim apo shkak për ndonjë sëmundje. Për shembull, tek diabetikët kjo ndodh shpesh. Personi mund të mos e dijë fare, mund të ketë thjesht një gjendje konfuzioni, një gjendje harrese dhe duke bërë thjesht një glicemi mund të dalin shumë probleme në pah. Pra në këtë rast kujtesa nuk ka të bëjë me atë çfarë kemi ose jo përparësi.

Komentet
Top