Neziri: Të vihet rend me portalet

Xhelal-Neziri_0.jpg

Këshilli i Etikës në Media në Maqedoni, konsideron se thellimi i krizës politike dhe bllokimi i institucioneve për shkak të pengesave që po bëhen rreth transferimit të pushtetit katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni ka bërë që gjithnjë e më shumë të jenë të pranishme shkeljet e Kodit Etik të Gazetarëve.

“Mediat gjithnjë e më shume janë duke e keqpërdorur hapësirën e tyre mediatike duke shpërndarë informata të cilat shërbejnë për realizim të qëllimeve të dhëna ideologjike, megjithëse nuk i shërbejnë interesit publik”.

“Nuk them se të gjitha mediat janë të tilla, por kemi regjistruar përpjekje të mjaftueshme të cilat janë kërcënuese dhe të cilat nënkuptojnë shmangie nga rregullat e informimit profesional dhe etik”, thekson për Radion Evropa e Lirë, drejtoresha ekzekutive e Këshillit për Etikë në Media, Marina Tuneva.

Nga Këshilli i Etikës së Mediave në Maqedoni, janë regjistruar gjithnjë e më shumë përpjekje për ikje nga vetërregullimi.

Drejtoresha e Këshillit Etik të Mediave, Marina Tuneva, njëherësh konsideron se vetërregullimi në hapësirën mediatike në Maqedoni nuk mund të jetë plotësisht i suksesshëm përderisa mungon bashkëpunimi edhe me institucionet e tjera relevante, siç është Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi, Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuele si dhe Prokuroria Publike.

Ndërkaq ekspertët vlerësojnë se shkeljet më të shpeshta të kodit etik në Maqedoni kanë të bëjnë me publikimin e informacioneve të pa aprovuara, të pasakta si dhe informimi tendencioz në disa media kombëtare të cilat burim kryesor kanë mjetet nga arka e shtetit përmes fushatave të ndryshme të promovimit të politikave qeveritare.

Shkeljet të eikës gazetareske janë më të pranishme dhe mediat online veprimi i të cilave nuk është i definuar qartë me ligj.

Xhelal Neziri nga Qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP, për Radion Evopa e Lirë thotë se për t’ju shmangur trysnisë që po i bëhet mediave si në aspektin ekonomik ashtu dhe atë politik, nevojitet të implementohet praktika evropiane për funksionimin e mediave përkatësisht përpilimi i një regjistri të mediave ku qartë do të definohet karakteri i mediave.

“Në rradhë të parë duhet punuar në drejtim të asaj që të bëhet një dallim mes atyre mediave që respektojnë standardet profesionale dhe etikën gazetareske dhe mediave të caktuara, veçanërisht web faqet (portalet), as që kanë lexuar standardet e informimit të mirëfilltë dhe as që e dinë se çka paraqet etikë gazetareske”.

“Nuk them se duhet të mbyllen apo të ndalohen tërësisht këto media mirëpo duhet të vendosen në një listë ku lexuesve do t’u bëhet e qartë se atë që lexojnë në këto media nuk është e verifikuar dhe nuk ka kaluar filtrat profesioal përmes ë cilave kalon lajmi në mediat e standardizuara”, thotë Neziri.

Në mungesë të një regjistri të këtillë, shton ai, partitë politike do të themelojnë media dhe do të plasojnë lajme në opinion në favor të tyrin pa mbajtur llogari për dëmin që i bëhet opinionit publik.

Ndryshe, gjatë dy viteve të fundit, përkatësisht nga janari i vitit 2015, në Këshillin për Etikë të Mediave në Maqedoni kanë arritur rreth 200 ankesa ku pjesa më e madhe e tyre ka të bëjë me informim të njëanshëm, diskriminim në forma të ndryshme, gjuhë e urrejtjes dhe problemeve gjatë informimit në media. (REL)

Komentet
Top