Në mbështetje të administratorëve shqiptarë

14741695_996324403826580_785802980_n-640x380.jpg

Sëpari dëshirojmë që për hirë të opinionit të gjerë të rikujtojmë se Lëvizja BESA nuk është e themeluar si rezultat i përçarjeve e as si rezultat i “hedhja-futja”-ve.

Njerëzit njihen në mes vete, ata e dijnë se neve nuk na shkon për shtati as përçarja, as sahanlëpirja, as inferioriteti ndaj palës tjetër, as vëlla vrasja, as lakmija e as hajnia, sepse këta janë gjërat që na u kemi shpallur luftë e më së shumti i urrejmë. Mirëpo, kur shohim se si disa faqe në mënyrë kalkulative të tipit të shit-blerjes dhe trajtimit aq nënçmues i llogaritin administratorët shqiptarë, të cilët konsiderohen mu si robër lufte, është tepër e dhimshme dhe kjo i tejkalon limitet e politikë-bërjes së këtij regjimi që dita-ditës bëhet edhe më i padurueshëm.

Lëre se administratorët shqiptarë nuk u avancuan aspak për afër dy dekada por ata u degraduan aq shumë saqë sot trajtohen vetëm si numëra të cilët nevojiten për legjitimimin e krimeve si dhe shpëtimin e kriminelëve.

Por një gjë është shumë e qartë, se administratorët shqiptarë nuk janë BDI-ja. Edhe pse shumica prej tyre u punësuan në kohën e regjimit të kësaj partie (si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit), ata kurrë nuk duhet llogaritur dhe trajtuar si pronë e kësaj partie! Ata nuk janë mall që blehet e shitet. Ata janë aty si rezultat i punës së tyre, si rezultat i mbështetjes së familjeve të tyre dhe fundja si rezultat i gjakut të dëshmorëve të UÇK-së e kontributit mbarëshqiptarë.

Administratorët shqiptarë (edhe pse) janë më të nëpërkëmburit e këtij regjimi, ne prapëseprapë jemi krenarë që ata gjatë gjithë kësaj kohe degraduese kanë qenë stoik dhe nuk janë dorëzuar e as kanë lëshuar pozicionet e tyre, por vazhdimisht kanë luftuar për ditët e mira që do të vijnë për të gjithë pa dallim.

Janë të gabuar shumë ata që mendojnë se administratorët shqiptarë janë të kënaqur me punën e tyre, me pozitën a me trajtimin që iu bëhet atyre. Përkundrazi, ata janë të lënë në front të “luftës” sikur të shkretë e t’pa t’zot, ata diskriminohen çdo ditë e në çdo moment. Ata pra, janë dëshmitarë të gjallë se si VMRO-ja gjatë gjithë këtyre viteve tallet me fatin e të gjithë shqiptarëve. Ata (administratorët) çdo ditë e shohin dhe përjetojnë “gatimet” që përgatiten ndaj shqiptarëve. Ata më së miri e kuptojnë se çfarë lojrash të flliqta janë duke u zhvilluar aty brenda e në sy të tyre.

E si të jenë ata me BDI-në?! Për çfarë arsye e motivi?! Kjo mund të ndodhë vetëm në rast se ata i kanë humbur ndjenjat kombëtare dhe morale.

Vallë a nuk janë ata që më së miri e njohin BDI-në dhe dështimet e saja?!

Ne besojmë fortë se, ashtu siç BDI ua humbëti krenarinë dhe dinjitetin administratorëve shqiptarë, po ashtu ata do ta humbin këtë parti ditën e zgjedhjeve. Ajo ditë afrohet çdo moment! Sa më parë që afrohet aq më herët do t’iu kthehet krenaria dhe dinjiteti të gjithë administratorëve shqiptarë. Ne jemi krenarë që kemi administratorë shqiptarë të cilët në institucionet shtetërore para se t’gjithash përfaqësojnë etninë, kulturën dhe vlerat tona.

Autori: Blerim Sejdiu

Komentet