Marsh paqësor për lirimin e Haradinajt

0-50.jpg

Sot duke filluar nga ora 13:00, te Newborn në Prishtinë fillon marshi protestues kundër ndalimit të ish kryeministrit të Kosovës dhe kryetari të AAK-së, Ramush Haradinaj. Marshin e organizon AAK.

Organizatorët njoftojnë se marshi protestues do të jetë paqësor dhe ftohen të gjithë qytetarët që t’i bashkëngjiten protestës për të shprehur pakënaqësinë dhe indinjatën kundër ndalimit të Haradinajt nga autoritetet franceze në bazë të një flet-arresti të Serbisë.

Haradinaj është ndaluar pardje nga policia franceze në aeroportin e Bazelit, me një urdhër arrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004.


OVL-UÇK i bashkohet protestës për lirimin e Haradinajt

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se do t’i bashkohet marshit protestues për të kundërshtuar ndalimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

AAK më herët kishte njoftuar se nesër do të organizojë marshin protestues për të kërkuar lirimin e Haradinajt nga autoritetet franceze, që e ndaluan atë në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

Sikurse njoftimi i AAK-së, edhe OVL-UÇK ka bërë të ditur se do të grumbullohet prej orës 13:00 të premten te Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Haradinaj ishte ndalur dje në Francë dhe prokuroria ka njoftuar se do ta mbajë në paraburgim deri në arritjen e kërkesës zyrtare për ekstradim nga Serbia.


Po diskutohet lirimi me kusht për Haradinajn

Ahmet Isufi nga AAK ka deklaruar se është duke u diskutuar lirimi me kusht për liderin e kësaj partie, Ramush Haradinajn, që po mbahet në Francë, me urdhërarrest të Serbisë.

Në Interaktiv të KTV-së, Isufi ka thënë se ndalimi i Haradinajt është i pakuptimtë dhe “i dëmshëm edhe për shtetin e Kosovës sepse ai është ndalur me pasaportë diplomatike”.

Edhe pse Prokuroria ka kërkuar nga Serbia kërkesën zyrtare për ekstradim, në mënyrë që të vendosë për Haradinajn, Isufi ka bërë të ditur se është duke u diskutuar edhe lirimi me kusht për liderin e AAK-së.

“Nuk besoj që do ta mbajnë më gjatë Haradinajn, sepse ekziston edhe mundësia për lirim me kusht. Këto janë procedura që drejtësia franceze është duke i përfillur”, ka thënë ai në Interaktiv. “Janë procedura që po përfillen, por që është dashur me kohë të eliminohen”.

Sipas Isufit, Kosova së pari është dashur që të parashtrojë kushte që kanë të bëjnë me dëmet e luftës, me të pagjetur, me fondet pensionale e të kursimit, dëmshpërblimin për të gjitha ato që i ka bërë në Kosovë dhe krahas këtyre të pastrohet lista, e pastaj të shkohet në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Isufi, partia e së cilit në fillim kishte përkrahur dialogun me Serbinë, ka kërkuar ndaljen e tërësishme të dialogut.

“Kjo vetëm e ka vështirësuar normalizimin e marrëdhënieve. Fillimisht ka pasur një dialog që janë quajtur bisedime teknike, edhe pse ne e kemi thënë që në fillim se do të jenë bisedime politike. Por e kemi përkrahur sepse kanë qenë për normalizim të marrëdhënieve. Kur kemi parë se kemi hyrë në tema që e dëmtojnë Kosovën ne kemi kërkuar ridefinim të këtij dialogu. Tash kërkojmë ndaljen e tërësishëm të këtij dialogu”, ka deklaruar ai.


Çfarë shkruan në letrën e Prokurorisë së përgjithshme të Francës për Haradinajn

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj do të mbesë në paraburgim në Francë, deri në një kërkesë zyrtare të Serbisë për ekstradim të tij, ka njoftuar Gjykata e Apelit në Francë, raportoi Reuters.

Në letrën e Prokurorisë së përgjithshme thuhet se: “Në përputhje me Konventën Evropiane të ekstradimit nga 1957, z. Ramush Haradinaj iu paraqit Prokurorit të Përgjithshëm të Apelit në Colmar me 5 janar, që ia tregoi atij kërkesën për mbajtje të përkohshme dhe ia tregoi masat e kryegjyqtarit të Apelit që të merren masat në mënyrë që të garantohet përfaqësimi i tij para Drejtësisë franceze me rastin e procedurës se ekstradimit”.

“Me vendim e marrë sot përmbarohet udhëzimi i Apelit për ta përcaktuar vlefshmërinë juridike e kërkesës për ekstradim në Serbi”, thuhet më tej në dokumentin, raporton Koha.net.

Ramush Haradinaj u ndalua nga autoritet franceze gjatë ditës së djeshme, në pjesën franceze të Bazelit, bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004, kinse për krime lufte.

Haradinaj dy herë është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës ku po gjykohej si i dyshuar për krime lufte.

0a

Komentet
Top