Maqedoni: Kur bukën e blejmë më shtrenjtë se gjermanët!

0-159.jpg

Të punësuarit në Maqedoni jo vetëm që i kanë pagat për pesë herë e gjysmë më të vogla se të punësuarit në Gjermani, por edhe një pjesë të madhe të artikujve ushqimor i paguajnë njësoj ose edhe më shtrenjtë se në Gjermani.

Krahasimi i pagave tona mesatare prej 23.457 denarë apo afër 400 euro, dhe i atyre gjermane prej 2200 euro – në raport me çmimet e konsumit të përditshëm tregon se kemi fuqi shumë më të dobët blerëse se të gjitha shtetet perëndimore, si dhe mirëqenie më të ulët jetësore. Përkundër dallimit të madh të standardit jetësor dhe pagës mesatare, çmimet në Gjermani në mesatare – duke përfshi edhe supermarketet siç janë Aldi apo edhe supermarketet e tjera, janë më të lira se tek ne.

Në Maqedoni, më të lira janë pemët, dhe perimet, ndërsa cigaret janë më të shtrenjta për së paku tre herë në Gjermani. Kjo, me fjalë të tjera – nënkupton se kur maten të ardhurat e një qytetari në Maqedoni me nivelin e çmimeve në shtet, del se me ato të ardhura mund të blihen shumë pak të mira materiale në raport me Gjermaninë. Krahasimi i çmimeve të artikujve kryesor midis Maqedonisë dhe Gjermanisë tregon se buka, mielli, qumështi e kështu me radhë janë më të lira në shtetin më të zhvilluar evropian në krahasim me dyqanet tona. Bile, krahasimi tregon se mjaft artikuj jo që janë më të lirë, por janë edhe me çmime të njëjta apo edhe më të shtrenjta se në Gjermani.

Një bukë prej 750 gram në Gjermani kushton 0.85 që është 52 denarë, nga ana tjetër një bukë (e prera në feta dhe që konsiderohet më e mira) prej 470 gram në Maqedoni kushton 34 denarë. Oriz i klasës dytë në Maqedoni kushton 46 denarë për 900 gram, ndërsa në Gjermani orizi i klasës parë kushton 49 denarë. Mielli më i lirë tip 400 në Maqedoni kushton 23-24 denarë për kilogram, ndërsa në Gjermani kushton 0.30 cent apo 18.5 denarë. Një litër qumësht në Maqedoni mund të blihet nga 39 deri 43 denarë, ndërsa në Gjermani – çmimi në mesatare është prej 33-45 denarë për litër. Një litër vaj më i lirë në Gjermani kushton 60 denarë, ndërsa tek ne çmimet luhaten ndërmjet 60 deri 65 denarë. Gjashtë vezë tek ne kushtojnë 50 denarë, ndërsa në Gjermani kushtojnë 60 denarë. Dallimet në favor të Maqedonisë lidhur me koston e artikujve janë vetëm tek pemë-perimet, ku për shembull – tek ne një kilogram mollë kushton 20-25 denarë, ndërsa në Gjermani kushtojnë së paku 60 denarë. Edhe zarzavatet e tjera si specat, domatet, krastavecat… i paguajmë më lirë se në Gjermani.

Dallimet vërehen edhe tek artikujt e kozmetikës, por edhe të veshmbathjes, ku sidomos gjatë muajve të janarit apo gushtit, përgjatë lirimeve të ndryshme mund të blihen edhe brende të njohura për çmime shumë më të volitshme se në shitoret tona. Ekonomistët shpjegojnë se mirëqenien e dobët të qytetarëve në Maqedoni e dëshmojnë edhe të dhënat statistikore, sipas të cilave, standardi jetësor në Maqedoni është vetëm një e treta e asaj të një banori mesatare në BE. Sipas tyre, gjatë krahasimit të standardit jetësor midis shteteve të ndryshme, si tregues merret Prodhimi i Brendshëm Bruto për kokë banori i përshtatur për paritetin e fuqisë blerëse.

Kjo do të thotë se të ardhurat e një qytetari mesatar krahasohen me nivelin e çmimeve në shtet që të mund të krahasohet se sa shërbime dhe të mira tjera materiale mund të blihen me ato të ardhura. Me fjalë të tjera, një matës i tillë tregon se mirëqenia e qytetarëve të Maqedonisë është diku një e treta e asaj të një qytetari mesatar të BE-së. Nga ana tjetër, në shumicën e shteteve perëndimore – edhe pse harxhimet e ndryshme jetësore janë më të mëdha se në Maqedoni, si për shembull kostoja e banimit dhe të tjera, megjithatë ato janë të harmonizuara me pagat mujore që lejojnë jo vetëm kënaqjen e nevojave mujore, por edhe shkuarjen në pushime, blerjen e veturës dhe gjësendeve të tjera të nevojshme për një jetesë normale. Ndryshe, një familje mesatare në Maqedoni harxhon më shumë të holla se sa fiton edhe atë vetëm për mbijetesë. Hendeku midis të ardhurave dhe nevojave mbulohet përmes dërgesave të mërgimtarëve, kartelave kreditore, bujqësisë, ekonomisë informale e kështu me radhë.

Enti Shtetëror i Statistikës ka përllogaritur se një familje katër-anëtarëshe me një të punësuar, për konsum personal në një vit i janë nevojitur 321.065 denarë, gjegjësisht 5780 euro, ndërsa nga ana tjetër – ajo ka harxhuar 355.941 denarë. Kjo do të thotë se një amvisëri ka harxhuar 35 mijë denarë më shumë që nuk i kanë pasur në disponim, apo nuk i ka fituar në emër të pagës së rregullt apo burimeve të tjera të ardhurave mujore./Koha

Komentet
Top